Palit VI: Gruaja di ta bëjë të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme!

Mar 8 • Këndvështrime

Mesazhi i Atit të Shenjtë Palit VI drejtuar grave

 

 

Nga  Papa Pali VI

E tani, po ju drejtohemi ju, gra të çdo shtrese shoqërore, bija, nuse, nëna e vejusha; edhe juve, virgjëra të shuguruara e gra të pamartuara; jeni gjysma e familjes së madhe njerëzore.

Kisha, ju e dini, është krenare që e ka lartuar dhe e ka bërë të lirë gruan, dhe ka bërë të shkëlqejë në rrjedhë shekujsh, në përkim me ndryshimet përkatëse, barazinë e saj thelbësore me burrin.

Por po vjen koha, e koha erdhi, në të cilën thirrja e gruas përsoset; koha në të cilën gruaja fiton në shoqëri një ndikim, një rrezatim, një pushtetet, që nuk e kishte arritur kurrë deri më sot.

Për këtë arsye, në këtë kohë, kur njerëzimi po përjeton ndryshime të thella, të mbushur me shpirtin e ungjillit, të ndihmojnë njerëzimin të mos shkatërrohet.   

Ju, gra, keni gjithnjë dhantinë e mbrojtjes së vatrës familjare, dashurinë për zanafillën e saj e për vazhdimësinë e saj, për djepat. Jeni të pranishme në misterin e jetës që nis. Ju jeni ngushëllueset e jetës që shuhet. Teknika jonë rrezikon të bëhet çnjerëzore. Pajtojini burrat me jetën. E, sidomos vigjiloni, ju lutemi, mbi ardhmërinë e species sonë. Ndaleni dorën e burrit nëse, në një çast çmendurie, do të tundohej të shkatërronte qytetërimin njerëzor!

Nuse, nëna familjesh, edukatore të para të gjinisë njerëzore në fshehtësinë e vatrave, përçojani bijve e bijave traditat e etërve e, njëkohësisht, përgatitini për të përballuar edhe të papriturat e së ardhmes. Mos harroni se përmes bijve, nëna është e pranishme edhe në atë ardhmëri, të cilën ndoshta nuk do ta shikojë!

Edhe ju, gra të pamartuara, përgjigjuni si duhet thirrjes e përkushtimit tuaj. Shoqëria ju thërret nga të katër anët. E edhe vetë familja nuk mund të jetojë pa ndihmën e atyre që nuk kanë familje!

Ju, virgjëra të përkushtuara, sidomos, në një botë ku egoizmi dhe kërkimi i kënaqësisë dëshiron t’ju diktojë ligjin, ruajeni pastërtinë, dhurimin, përshpirtërinë. Jezusi, që i dha dashurisë bashkëshortore gjithë përsosurinë e vet, e ka lartuar edhe heqjen dorë nga kjo dashuri njerëzore, kur bëhet për Dashurinë e Amshuar  e vihet në shërbim të të gjithëve.

Gra, që kaloni çaste të vështira, së fundi, ju që rrini nën kryq, si Maria; ju, që shpesh, në rrjedhë historie u dhatë burrave forcë të luftonin deri në fund, të dëshmonin deri në martirizim, ndihmojini përsëri të rigjejnë guximin për punë të mëdha, njëherësh me durimin e kuptimin e pikënisjeve të përvuajta.

O ju, gra, që dini ta bëni të vërtetën të ëmbël, të butë, të pranueshme! Përpiquni që shpirti i këtij Koncili të depërtojë në institucione, në shkolla, në vatra, në jetën e përditshme.

Gra të mbarë universit, të krishtera e jo besimtare, që ju është besuar jeta në këtë çast kaq të rëndë të historisë, ju përket juve ta shpëtoni paqen në botë!

(Fjalimi i Atit të Shenjtë Pali VI, në përfundim të Koncilit II të Vatikanit,  8 dhjetor 1965.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »