Ky është Biri im i dashur, Atë dëgjoni!

Mar 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela II e Kreshmës (A) 

 

Leximi i parë   Zan 12, 1-4

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti i tha Abrahamit: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj. Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj. Do ta bëj të madh emrin tënd. Ti do të jesh bekimi. Do t’i bekoj ata që do të bekojnë ty, do t’i mallkoj ata që do të mallkojnë ty. Në ty do të bekohen të gjitha fiset e tokës!” Atëherë Abrahami u nis sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe me të shkoi edhe Loti. Abrahami kishte shtatëdhjetë e pesë vjet, kur u çua prej Harranit.        

Fjala e Zotit

 

Psalmi 33

Ref: Na e jep, o Zot, mëshirën tënde, sepse në ty shpresojmë.

—————————————————

E drejtë është fjala e Zotit,
e të gjitha veprat e tija me besë.
E do drejtësinë e gjyqin,
plot është toka me mirësinë e Zotit.

————————————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,
mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:
për t’i shpëtuar nga vdekja
e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

—————————————————-

Shpirti ynë shpreson në Zotin,
ai është ndihma dhe mburoja jonë.
Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,
sikurse ne shpresojmë në ty.

—————————————————-

 

Leximi i dytë  2 Tim 1, 8-10

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të shenjtë – jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu Krishtin dhe u dëftua tani me ardhjen e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit. Ky e asgjësoi vdekjen dhe bëri të shndrisë jeta dhe pavdekësia me anë të Ungjillit.         

Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im: Atë dëgjoni!”

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli  Mt 17, 1-9

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Dëshiroj të filloj këtë meditim duke i rikujtuar fjalët e psalmistit i cili thotë: “Qe sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij?

Zoti e hedh shikimin e vet mbi njeriun i cili e druante, i cili ishte i drejt dhe që kishte një fe shumë të madhe, prandaj edhe e thirri. Zoti e thirri Abrahamin duke i thënë: “Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babait tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj? Kërkesa hyjnore është e përbërë prej një braktisje totale në duart e Tij. Shohim se si Abrahami nuk e thotë asnjë fjalë, nuk bënë asnjë pyetje, por vetëm i bindet asaj çka Hyji i kishte kërkuar. Zoti i thotë: “Prej teje do të bëjë një popull të madh dhe do të të bekoj. Besoj se do të kishte qenë normale nëse do t’ia bënte ndonjë pyetje p.sh., duke qenë se gruaja e tij ishte sterile, do të mund ta kishte pyetur: Si do të mund të ndodh kështu kur gruaja ime është sterile? Por, sigurisht, feja e tij ishte aq e madhe sa që ai veproj si i kishte kërkuar Hyji. Kjo heshtje e Abrahamit është e mbushur plot me fe, shpresë dhe jetë. Toka kishte nevojë për një bekim të tillë. Bindja ndaj kësaj kërkese të Zotit tregon rëndësinë dhe pjesëmarrjen në një projekt hyjnor që e tejkalon atë, që ndoshta nuk kupton thellësisht, por që i jep një kuptim zgjedhjes jetësore. Ky projekt konsiston në lindjen e një populli të ri, ku do të mbretërojë mbi të gjitha dashuria. Kjo bindje e pakushtëzuar në këtë projekt do të duhej të ishte karakteristika themelore e një populli që po lind.

Thirrja e Abrahamit ishte një thirrje për ndarje. Me siguri duhet të ketë qenë shumë e vështirë dhe e dhimbshme për të. “Dil prej vendit tënd”, një thirrje për ta braktisur dheun e vet e për të shkuar në një dhe të huaj, “dhe prej vëllazërisë sate”, d.m.th largohu nga të afërmit e tu. Formo marrëdhënie të reja dhe dorëzoju atyre lidhjeve që nuk janë të mishit e të gjakut, por lidhje të hirit hyjnor. Prej këtij hiri hyjnor vjen shpëtimi, pra vjen premtimi i Zotit se ka për të qenë bekim për popullin e vet. Po e theksoj edhe një herë, për të dal  “në drejtim të një vendi që do të ta tregoj”, duhet të ketë qenë njeri me shumë fe të madhe për të qenë aq i bindur. E kur e mendojmë se çfarë vlere dhe rëndësia kishte toka e babës në atë periudhë apo toka ku je lindur, je rritur ke jetuar shumë vite, me një fjalë ishte rrënjosur në vendin ku kishte lindur. Abrahami hoqi dorë nga të gjitha mendimet për t’u kthyer sërish mbrapa. Sigurisht qe në lirinë e tij nëse do të kishte dashur që të kthehej, ai mund të ishte kthyer, por ai tashmë kishte hequr dorë nga lidhjet e vjetra. Duket ndoshta një Zot i padrejtë por nëse e lexojmë gjithë historinë e Abrahamit e shohim se Zoti vërtet e mban premtimin e vet. Zoti e bekon Abrahamin dhe i jep shumë, pra bëhet një popull i madh me shumë hire dhe bekime prej Zotit.  Ja pra sytë e Zotit ishin mbi Abrahamin i cili shpresonte shumë në mirësinë e Zotit.

Ndërsa në Ungjill shohim një përvojë të jashtëzakonshme, unike për Krishtin dhe për dishepujt;  Shndërrimin e Jezusit. “Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita”, këtë shndërrim të Krishtit Shën Augustini e shpjegon kështu: nëse petku nuk do të kishte qenë i veshur mirë, ai do të kishte ra. Nuk do të kishte asgjë të çuditshme nëse veshja e bardhë do të ishte simbologjia e Kishës, edhe Isaia Profet thotë: “Atëherë, ejani të pleqësohemi – thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora? (Is 1, 18), kështu pra, edhe nëse mëkatet e bëra prej njerëzve të Kishës qofshin të lyera me të kuq, Nusja e tij do të kishte një veshje të bardh dhe të shndritshme fal Diellit, Krishtit. Edhe në këtë vizion të madh shohim se si Pjetri shpreh vetëm ndjenja njerëzore, duke mos i menduar ato të mbinatyrshme, dhe thotë: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë”. Në këtë pikë mund të themi se nuk e dinte as çka ishte duke thënë. Pjetri, shkëmbi mbi të cilin Krishti do të themelojë Kishën e vet, edhe pse e sheh gjithë këtë bukuri të shndërrimit ai prapë vazhdon me mentalitetit tokësor. Shën Augustini vazhdon me shpjegim: Përballë Krishtit të lavdishëm Pjetri e kishte gjetur lumturinë dhe nuk do të kishte dëshiruar që të lëvizte më nga ai vend.  Pjetri me propozimin e tij për të bërë tre tenda e zbulon tundimin e një mesianizmi fitimtar, do të dëshironte ta parandalojë zbritjen prej malit të lavdishëm. Shndërrimi i Jezusit është tashmë një paralajmërim i ngjalljes së lavdishme. Kjo  mënyrë e shndërrimit të Krishtit na e shtonë fenë, na e bënë fenë e fort si të Abrahamit, dhe mund të njohim Krishtin në Shkrimin e Shenjtë, në Kishë, në Eukaristi, pra Jezusin e shndërruar, të ngjallur. Kjo fe na ndihmon ta dëgjojmë edhe ne të njëjtin zë që e dëgjuan dishepujt, pra: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!? Edhe në pagëzimin e Krishtit i kemi dëgjuar të njëjtat fjalë, vetëm se këtu e shtonë duke thënë Atë dëgjoni. Kjo do të thotë pranojeni fjalën e tij, bëni atë që ju thotë, pranojeni për Mes, i cili do të vuaj, që arrin në lavdi nëpërmjet shërbimit. Shkoni pas tij në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën rrugë. Mos ta harrojmë prezencën e Moisiut dhe të Elis, që prezantojnë Ligjin dhe Profetët, dhe se e gjithë historia e Besëlidhjes së Vjetër e gjen plotësinë në Krishtin. Është ai i vetmi mësues i njerëzve.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, koha e Kreshmëve na thërret që të themi të vërtetën mbi jetën tonë nën dritën e Ungjillit. Ta lusim Atin që të dërgojë Shpirtin Shenjt dhe ta forcoj fenë tonë. Të lutemi së bashku duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë!

  1. Që të mos kënaqemi asnjëherë nga një njohje sipërfaqësore për ne dhe për ty o Zot, të lutemi
  2. Që të kemi kurajo t’i themi Po, dhe kjo po të jetë e pa kushtëzuar, ashtu sikurse ka bërë Abrahami, të lutemi
  3. Ti e dinë, o Zot, që Dashuria jote për ne është mbi të gjitha dhe mbi çdo veprim që ne e bëjmë, na jep forcë të angazhohemi edhe më shumë në përmirësimin e kësaj bote, të lutemi.
  4. Na ndihmo që edhe në vështirësi të na shoqërojë gjithmonë vetëdija dhe qetësia se jemi bijtë e Hyjit, dhe ta dëgjojmë zërin i cili na thotë: “Atë dëgjoniˮ, të lutemi.
  5. Për ne këtu të pranishëm përpara altarit, që të njohim hyjnin tënde në bukën eukaristike, bukë e një rrugëtimi dhe mjet i pavdekshmërisë, të lutemi.

O Atë, vetëm në Ty mund të jetojmë në plotësi dinjitetin tonë si njerëz dhe ta realizojmë plotësisht duke u shndërruar. Na ndihmo që të realizojmë këtë thirrje vërtet të lartë. Këtë po ta kërkojmë nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Meriton Dedaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »