“Varfëria” – pasuria më e madhe e Shën Nënës Tereze

Mar 17 • Këndvështrime, Opinion

 

Nga Mons. Lush Gjergji

 

Pyetja e saj jetësore ishte gjithnjë kjo: si mund t’i njohim të varfërit nëse vërtet nuk jemi të varfër? Dhe vazhdonte: “Të varfrit janë të tillë, sepse janë të detyruar edhe pse varfërinë nuk e ka krijuar Zoti, por ne. Të gjithë ne jemi të varfër para Zotit. Ne jemi të varfëra për dy arsye: për dashuri që kemi ndaj Zotit, si dhe për dëshirë, nevojë, përcaktim që të jetojmë si të varfërit ndër më të varfër, së bashku me ta, për ta dhe për t’ua dëshmuar atyre dashurinë e Zotit”.

Dhe jo vetëm kaq, edhe pse kjo gjë ishte vërtet heroike. Nëna Tereze gjatë tërë jetës kishte jetuar dhe vepruar në varfërinë më të skajshme, pa asgjë, duke u mbështetur në Provaninë e Zotit dhe në bamirësinë e njerëzve.

Ja një shembull tipik dhe karakteristik që dëshmon guximin, qëndrimin dhe vendosmërinë e Nënës Tereze ndaj varfërisë dhe të varfërve. Papa Pali VI kishte një nderim dhe admirim për Nënën Tereze. Ai qysh në vitin 1971 ia kishte dhënë “DHURATËN PËR PAQE – GJONI XXIII”  me këtë motivim: “e cila që 20 vjet është duke zhvilluar nëpër rrugët e Indisë një mision të mrekullueshëm të dashurisë, të dëshmisë, ndaj të gërbulurve, të moshuarve, fëmijëve… Po e paraqesim si mrekulli (për bindje) për të gjithë këtë lajmëtare guximtaredashurisë së Krishtit…” [i].

Më vonë e kishte ftuar në Romë për të hapur një shtëpi-strehimore për të varfrit e Romës. Pas vizitës së tij në Indi, Papa Pali VI ia dhuroi Nënës Tereze edhe automjetin personal me të cilin kishte udhëtuar në viset e ndryshme të Indisë. Nëna Tereze e kishte vërë në lotari këtë automjet duke e shitur për një çmim tejet të lart, kuptohet, për t’i ndihmuar të varfrit ndër më të varfër.

Gjestet e nderimit dhe të përkrahjes së Papës Pali VI ndaj Nënës Tereze ishim të shumta. Një herë Papa personalisht i kishte dërguar një çek bankar me këtë emërtim: Për motrat e Nënës Tereze. Nëna Tereze e mori, mendoi gjatë, dhe pas uratës dhe këshillimeve me bashkëpunëtoret e saja vendosi: Do t’ia kthejmë këtë ndihmë Papës në Romë!

Befasia e Romës, por edhe e Papës, ishte tejet e madhe. Askush nuk mund ta kuptonte  dhe shpjegonte këtë gjest  të dëbimit të ndihmës së Papës!

Nëna Tereze në shpjegim dhe arsyetim kishte shkruar qartë këto fjalë: Misionaret e Dashurisë nuk kanë fonde për motra, por vetëm për të varfër, sepse ato jetojnë njëjtë me të gjithë të varfrit, varet prej Provanisë së Zotit!

Papa Pali VI e kuptoi fare mirë porosinë, dhe çekun bankar e dërgoi për së dyti, kësaj here me emërtim: Për të varfrit e Nënës Tereze!

Nëna Tereze e pranoi me shumë nderim, falënderim dhe dashuri.

 Ja, e tillë ishte Nëna Tereze me të gjithë, edhe me Papën e Romës!

Identifikimi dhe martirizimi i saj me të varfrit ndër më të varfër ishte pa dyshim edhe “errësira e brendshme”, vuajta, pësimi, kryqi, për  t’i përngjarë vetë Jezu Krishtit, si dhe atyre që vuajnë në trup dhe në shpirt.

Lumturinë e Jezu Krishtit : “Lum të pastërtit në shpirt, sepse do ta shohin Hyjin” (Mt 5, 8) Nëna Tereze e shpjegonte kështu: “Vetëm zemra e pastër mund ta sheh Zotin”.

Një thënie e etërve të Kishës thotë kështu: “Sado të mëdha të jenë vuajtjet tona, fitorja mbi ato është heshtja”. Nëna Tereze këtë e ka zbatuar në mënyrë heroike. Ajo dëshmonte: “Zoti ynë Jezu Krishti na jep shembullin e gjallë: Dhelprat kanë strofullat e tyre dhe zogjtë e qiellit çerdhet, por Biri i Njeriut nuk ka ky ta mbështesë kryet. Prej ditës së parë të jetës së tij tokësore, Ai ka lindur, është rritur në një varfëri që askush prej nesh nuk e ka provuar. Pse? Duke qenë i pasur Ai u bë i varfër. Pasi që unë jam bashkëpunëtorja e tij, duhet të rritem dhe të ushqehem nga varfëria të cilën e kërkon Zoti im. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ne jemi të varfëra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’u përngjarë të varfërve. Varfëria është dashuri, para se të jetë flijim. Madhëria e thirrjes sonë është në faktin që jemi të ftuara ta shërbejmë Jezu Krishtin në trajtën e të varfërve dhe të vuajturve. Jemi të ftuara çdo ditë si prifti në meshë ta prekim me dorë Korpin e Krishtit nën trajtën e vuajtjes njerëzore, dhe për t’ia dhuruar Jezusit të gjithë ata me të cilët jemi në lidhje, duke e përhapur rrjetin e dashurisë së tij kudo që shkojmë. Dashtë Zoti që secili prej nesh ta sheh Jezu Krishtin në të varfrin. Sa më shumë puna apo njerëzit të jenë të gërditshëm, aq më e madhe duhet të jetë feja jonë, dashuria jonë e hareshme dhe shërbimi ynë i devotshëm ndaj Zotërisë nën trajtën e të varfrit…”.

Ja një pjesë e rëndësishme e një meditimi të Nënës Tereze mbi kushtin e varfërisë: “Si mund t’i kuptojmë të varfrit, nëse ne nuk jemi të varfër?… Rregulli im i “Misionareve të Dashurisë” duhet doemos të jetë besnik Jezusit të varfër. Ne duhet të besojmë në Provaninë e Zotit. Rreziku ynë më i madh është pasuria. Nëse Rregulli im do të pasurohet (mendohet në pasurinë materiale dhe financiare, vr. ime), do të shkatërrohet dhe do të vdes…

 Do të ishte turp për ne të jemi më të pasura se Jezusi! Ai për dashurinë tonë iu nënshtrua varfërisë së plotë qysh nga lindja në shpellën e Betlehemit e deri në vdekje në kryq. Mu për këtë e vetmja pasuri për ne është Jezusi, dashuria dhe prania e tij në mesin tonë…

 Kushti i varfërisë na ndihmon shumë për dëgjesë dhe pastërti. Me kushtin e varfërisë ne e zgjedhim vetëm Jezusin për pasurinë tonë, me kushtin e dëgjesës, i nënshtrohemi vetëm Atij, me atë të pastërtisë, e duam vetëm Jezusin, dhe me dashurinë e tij edhe çdo njeri…

 Për të dashur duhet flijuar, për të flijuar duhet të jemi të lirë nga pasuria, egoizmi, jeta jonë, dhe liria e plotë është jeta e kushtuar, që domethënë jeta për Zotin dhe për të afërmin tonë…”

Nëna Tereze ju ka dhuruar të varfërve jo vetëm bukë, veshmbathje, barna, shtëpia, shkolla, spitale,  strehimore, deri edhe qytete për të gërbulur, çdo gjë për çka kishin nevojë, por mbi të gjitha dinjitetin, ngrohtësinë, afërsinë dhe dashurinë.

Një njeri ishte tashmë para vdekjes, plot me krimba, tërësisht i shëmtuar. Nëna Tereze e kishte marrë nga rruga, e kishte larë dhe pastruar, strehuar. Njeriu i befasuar nga këto gjeste kujdesi dhe dashuria i tha Nënës Tereze kështu: “Nënë, kam jetuar në rrugë si kafshë, por tani do të vdes si engjëll!”.

 Dhe me buzëqeshje kishte vazhduar: “Nënë, tani po shkoj në shtëpi, te Zoti!”.

Ajo thoshte se ka shumë lloje të varfërisë. Dhe shpjegonte kështu: “Varfëria e Perëndimit është shumë më e keqe se varfëria materiale e Indisë. Po e përsëris: janë dy lloje të varfërisë: Në Indi ka njerëz të cilët jetojnë dhe vdesin në rrugë prej urisë. Atje edhe një grusht orizi është i çmueshëm. Në vendet perëndimore nuk ka varfëri materiale në këtë kuptim. Askush në këto vende nuk vdes më nga uria. Mirëpo në Perëndim është e pranishme një varfëri tjetër shumë më e keqe. Njerëzit nuk besojnë në Zotin, nuk luten. Ja kthejnë shpinën njëri-tejtrit. Në Perëndim është varfëria e njerëzve që nuk janë të kënaqur me atë çka kanë, nuk dinë më të vuajnë, janë nën ndikimin e dëshprimit. Kjo varfëri e zemrës shpesh është më e rëndë për t’u ndihmuar dhe shëruar. Në Perëndim ka shumë familje të copëtuara, fëmijë të braktisur, ndërsa shkurorëzimet tashmë janë në rritje tejet të lartë…”.

Gjatë vizitës së Nënës Tereze në Shkup (28 mars 1978) në fjalën e rastit pas meshës ajo ndër të tjera pati thënë: “Nuk ka nevojë të vdesin vetëm nga uria, por mund të vdesin në vetmi, të padashur, duke mos pasur kush të flasë me ta, për ta pasur së paku dikën ndonjë herë, për t’u ndie se dikush i do. Këso rastesh mund të hasni edhe në familjet tuaja…

 Ju a i njihni të varfrit tuaj, a i dini, fort të dashur, se edhe në shtëpitë tona kemi të varfër. Kemi njerëz që jetojnë në vetmi, në shtëpi, kemi njerëz që jetojnë në podrume, a e dini ju këtë?…

 Varfëria e njerëzve të tillë është e madhe edhe tek ju. A e dini ju këtë? A e dini dhe a i doni? Nëse nuk i njihni, nuk mund t’i doni. Nëse nuk i doni, nuk mund t’iu shërbeni”[ii].

Gjatë marrjes së Shpërblimit Nobel për Paqe (10 dhjetor 1979) Nëna Tereze e ka përpunuar një teori dhe botëkuptim të ri ndaj të varfërve dhe varfërisë duke nënvizuar: “Ka aq shumë vuajtje, aq shumë urrejtje, aq shumë mjerime, dhe ne, me lutjet tona, me sakrificat tona në shtëpi mund të fillojmë të dashurojmë… Sa e dashurojmë Zotin në njeriun që e shërbejmë?…

A i njihni ju fqinjët tuaj?… Mendoj që në gjithë botën, jo vetëm në vende të varfëra,  por edhe në perëndim, është vështirë të zgjidhet problemi i varfërisë…

 Pra, ta takojmë njëri-tjetrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë, dhe kur fillojmë një herë të duam, natyrisht do të kemi dëshirë të bëjmë diçka për të… Veprat e dashurisë janë vepra paqes!…” [iii].

Dhe nuk u ndal me kaq, por e përpunoi dhe zbatoi një vizion, botëkuptim dhe përcaktim vërtet burimor lidhur me të varfrit, duke pohuar kështu: Të varfrit japin shumë më tepër se të pasurit, sepse ata japin vetveten, falënderimin e tyre. Kështu mes të varfërve dhe të pasurve s’duhet të ketë më humnerë, armiqësi, por bashkëpunim, mirëkuptim, mbi të gjitha dashuri.

Të varfërit e botës do t’ia sjellin njerëzimit paqen! Përse dhe si? Me vuajtjet e tyre, me duresë, me gatishmëri për flijim dhe dhurim, me “pjesën më të mirë të vetvetes” – dashurinë!

Duke e analizuar këtë gjendje një herë më tha: “Ndoshta më shumë flasim për Zotin, por pak flasim me Zotin nëpërmjet uratës, jetës shpirtërore… Puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehja e dashurisë sonë ndaj Zotit. Këtë dashuri ndaj Zotit duhet ta ruajmë gjithnjë, ndërsa të tjerët janë mjet për ta shprehur dhe dëshmuar këtë dashuri…

 Feja jonë nuk është asgjë tjetër përpos Ungjilli i Dashurisë… Nëse dëshironi që të varfrit ta shohin në ne Krishtin, ne duhet më parë ta shohim dhe ta njohim, ta duam në ata vetë Jezu Krishtin…

Të kthesh dikë në fe domethënë t’ia dhurosh atij Zotin – Dashurinë. Ta shenjtërosh dike domethënë ta mbushesh jetën e dikujt me Zotin. Kthimi dhe shenjtërimi janë vepra të Zotit… Mos të kërkojmë kurrë ta detyrojmë dikë që ta pranojë fenë tonë! Ta kërkojmë vetëm këtë: që drita e Krishtit të ndriçojë jetën e tyre dhe tonën, dhe nëpërmjet nesh të vijë ajo dritë në botën e të mjerëve…”.

Duke analizuar mungesën e fesë dhe të dashurisë në botën e sotme, Nëna Tereze nuk sulmonte apo fajësonte të tjerët, por shqyrtonte me dashuri këtë gjendje dhe varfëri të madhe për njerëzimin, dhe me jetë, pastaj edhe me fjalë jepte porosi vërtet të qëlluare dhe shumë bindëse.

 Ja porosia e Nënës Tereze për të gjithë ne: “Sot njerëzit kanë pak fe, sepse ka shumë egoizëm në kërkim të fitimit dhe pasurimit. Feja për të qenë e vërtetë duhet të jetë bujare. Feja dhe dashuria shkojnë së bashku, përplotësohen, nuk mund të ndahen. Ajo na aftëson për dashurinë dhuruese… Unë do të hiqesha dorë nga çdo gjë, edhe nga jeta ime, por jo edhe nga feja ime… Pa fe s’do të mund të jetoja asnjë moment, as 24 orë në ditë…”.

Dhe ja mëkatet e botës së sotme, të cilat ndoshta i bëjmë edhe ne çdo ditë, por pa ndonjë vetëdije dhe përgjegjësi, sepse ritmi i jetës dhe punës tashmë na ka kapluar dhe robëruar. Nëna Tereze flet për një mëkat apo lëshim tejet të rëndë, për mungesën e dashurisë, e cila na bënë të gjithëve në një mënyrë “vrastarë” të parafytyrimit të Zotit, Njeriut, të afërmit tonë, nëpërmjet indiferentizmit.

“Kurthatë” moderne të botës së sotme janë: aktivizmi, puna, fitimi, pasurimi, suksesi, indiferentizmi, ateizmi praktik, epshi, shfrenimi, dëfrimi, argëtimi, jeta e pamoralshme… Analiza e Nënës Tereze, mendoj unë, prekë plagët e shpirtit tonë, dhe njëkohësisht jep shpresë për një njeri, familje, botë, Kishë të re, ku do të rikthehet feja, shpresa dhe dashuria.

Çka është feja sipas  Shën Nënës Tereze?

Kërkim i vazhdueshëm i Zotit, planit dhe vullnetit të tij, dhe i Njeriut, kryeveprës së tij, pra, Vëlla apo Motër, bile edhe në ata të cilët nuk kishin më as pamje njerëzore, sepse ishin të shëmtuar nga varfëria, sëmundja, dëbimi, gërbula…

Ajo gjithnjë kërkonte në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrë dhe rrethanë të jetës, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu-njerëzimi mos të pësonte, por të jetonte, mos të urrente, por të dashuronte, mos të vdiste, por të jetonte me dinjitet, në paqe dhe në dashuri, tani dhe në amshim.

Syri, mendja, zemra, duar e saja, ishin gjithnjë të hapura dhe në kërkim, tetëmbëdhjetë vite në Shkup, pastaj tetëmbëdhjetë vite te Motrat e Loretos, dhe nëpër meridianët e botës deri në kalim në amshim si Misionare  e Dashurisë.

Çka është për Shën Nënën Tereze shpresa?

Nga feja – kërkim lind shpresa – veprim sipas stilit dhe porosisë së vetë Jezu Krishtit i cili na thotë: Nuk kam ardhur që të më shërbejnë, por të shërbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës.

Nëna Tereze e ka konkretizuar kërkimin – fenë në shërbim-shpresë, duke u mbështetur në Zotin dhe në njeriun nevojtar.

Dhe nga kërkimi – feja, veprimi dhe shërbimi – shpresa, lindi faza e tretë, dashuria flijuese dhe dhuruese, ajo që tashmë e  njohim dhe e duam të gjithë, NËNA E DASHURISE, si e quajta unë, e që sot mund ta begatojmë me edhe një emërtim të ri dhe më të qëlluar: SHENJTËRESHA E DASHURISË.

Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, mosinteresimi për të afërmin… Nëpërmjet të afërmit afrohemi dhe jetojmë me Zotin!… Duhet dashur deri në shkallën e gatishmërisë për vuajtje. Nuk mjafton të themi: Të dua! Duhet dashurinë ta shndërrojmë në veprim jetësor. Si mund ta bëjmë këtë? Të dhurohemi deri në flijim, në vuajtje!…”.

Unë ia dhurova librin tim të meditimeve “Zëri i heshtjes”. Ajo e shfletoi pak dhe më tha: “Heshtja është qenësore për jetën e kushtuar. Heshtja e përvujtërisë, e dashurisë, e syve, veshëve, gjuhës… Nuk ka jetë urate pa jetën e heshtjes. Sa më shumë të lutemi, aq më shumë do të dashurojmë dhe shërbejmë…”.

Kardinal Angelo Comastri dëshmon: “Një  herë Nëna Tereze më pyeti: “Sa orë në ditë lutesh?”. Isha i befasuar nga një pyetje e tille e saj dhe u mundova të mbrohem duke thënë: “Nënë, prej Jush prita ndonjë qortim lidhur me dashuri, apo ndonjë ftesë për t’ i dashur më tepër të varfrit. Përse me pyetni sa orë lutëm në ditë?”. Nëna Tereze mi mori duart e mia në duart e saja për t’më dhuruar atë që kishte në zemër, pastaj më tha: “Biri im, pa Zotin jemi tejet të varfër për t’i ndihmuar të varfrit! Mos harro: unë jam vetëm një grua e varfër që lutet. Duke lutur Zoti e begaton zemrën time me Dashurinë e Tij dhe kështu unë mund t’i dua të varfrit. Vetëm duke u lutur!”.

Mu për këtë ne mund të themi edhe kështu: “Kush nuk dashuron nuk jeton!”. Nëna Tereze së pari ishte e dashuruar në Jezusin, e pastaj me ndihmën dhe hirin e tij, edhe në çdo njeri skamnor.

Gjatë sëmundjes së rëndë, kur ishte e palëvizshme, s’mund të fliste më, kishte kërkuar një copë letër dhe një laps. “Kishte provuar dy apo tri ditë. Së fundi në mëngjes e kishte shkruar: “E dëshiroj Jezusin” [iv].

Motrave të cilat tashmë e kuptonin se po afrohej “kalimi i saj në amshim”, apo si thoshte Nëna Tereze “kthimi në shtëpinë e Atit”, u thoshte: “Mos u brengosni. Nëna për ju do të bëjë shumë më tepër kur do të jetë në qiell” [v].

Ishte 5 shtatori 1997. Diku rreth orës 20,00 Nëna Tereze pati një dhembje të madhe në shpinë. Motrat së shpejti e thirren mjekun dhe meshtarin. Papritmas u ndërpre rryma. Motrat i kishin dy gjeneratorë, por edhe ata dështuan, gjë që kurrë më parë nuk kishte ndodhur.  Rreth orës 21, 30, deri sa Kalkuta gjendej në terr, përfundoi “errësira” e kësaj jete dhe bote për Nënën Tereze. Ajo kaloi në amshim për ta shijuar dritën e pasosur, për të qenë dhe mbetur në Kishë dhe në botë “Drita e dashurisë së Zotit”.

Ftesa e dikurshme : “Eja, ji Drita ime”, tashmë ishte plotësuar tërësisht.

Ajo jetën e saj e “trajtonte” si diçka krejt të rëndomtë,  duke “minimizuar”   veprimtarinë aq sa veten e quante “lapsi i Zotit”, dhe për të theksuar përvujtërinë e madhe që kishte, thoshte: “Vepra të vogla me dashuri të madhe”.

Gjatë tërë kësaj vuajtje Nëna Tereze mbeti e qëndrueshme dhe besnike thirrjes së saj… Ajo e kërkonte Jezusin në çdo njeri që takonte, sidomos në të varfrit ndër më të varfër. Errësira e saj e dhembshme në mënyrë misterioze edhe më shumë e ka bashkuar me të Fejuarin e  kryqëzuar… Duke e pranuar errësirën e brendshme Nëna Tereze është bërë “Shenjtëresha e errësirës”… Duke lënë anash vuajtjet e saja, u ka ndihmuar të tjerëve, sepse dhembja e tyre i dukej më e madhe se ajo personale, duke sjell kështu dritën e dashurisë së Zotit të pashpresëve dhe të paaftëve, të varfërve ndër më të varfër”[vi].

Atë Braian Kolodiejchkuk,  postulatori zyrtar, pas studimeve të shumta dhe të hollësishme mbi Nënën Tereze thotë: “Nëna Tereze është ngritur në nderin e altarit për dëshminë e saj personale për Jezusin, të cilin e ka përjetuar qa fuqishëm, sa që veten e trajtonte si e fejuara e tij”.

Papa Gjon Pali II tha për Nënën Tereze: “Në buzëqeshjen  dhe në gjestet e Nënës Tereze Jezusi edhe një herë ka ecur nëpër rrugët  e kësaj bote si Samaritani i Mirë”.

Kardinali Jose Saraiva Martins: “Zoti e do ende botën dhe të dërgon ty dhe mua për të qenë shenja e dashurisë së tij dhe të kujdesit të tij për të varfër… Nëse njerëzit e botës i ka prekur aq shumë çka Nëna Tereze ka zbatuar, mu ajo e ka mishëruar dashurinë dhe kujdesin e Zotit, mbi të gjitha për të braktisurit”.

Kardinali Tarcisio Bertone thotë për Nënën Tereze: “Çdo punë mund të shndërrohet në uratë. Këtë më së miri e ka dëshmuar Nëna Tereze”.

Papa Benedikti XVI: “Nata e dhembshme e shpirtit të saj kishte nisur qysh në fillimin e dërgimit të saj ndaj të varfërve dhe kishte zgjatur gati gjatë tërë jetës së saj. Ajo e ka drejtuar atë për t’u bashkuar më thellësisht me Zotin. Nëpërmjet errësirës ajo e ka shuar në mënyrë të jashtëzakonshme etjen e Jezusit.. Mendoj në Nënën Tereze, themeluesen e Misionareve të Dashurisë, e cila në të varfrit ndër më të varfër e donte Jezusin, të cilin e merrte dhe e kundronte çdo ditë në Hostjen e Shuguruar….”.

Nëna Tereze e gjeti rrugën më të mirën për t’u përballuar pozitivisht me dy bota: hinduizmin dhe islamizmin, pa dështime, prosilitizëm, por nëpërmjet shërbimit – dashurisë. Ajo kështu e përfitoi mbarë botën.

Nga zemra e saj e madhe dhe virgjërore lindi edhe kjo uratë:

O Zot,

Të falënderoj për myslimanët dhe induistët,

Dhe për të gjithë miqtë e mi të shtrenjtë mes tyre.

Sa herë që të takojmë

Nëpër lutje,

Ti na bënë të krishterë edhe më të mirë,

Myslimanë edhe më të mirë,

Induistë edhe më të mirë.

Jepna të gjithëve

Dhuratën e besimit

Që të dimë të lutemi,

Të duamë dhe të shërbejmë Ty

Në çdo njeri. Amen.

Shën Nëna jonë Tereze me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë – Zotin, ka dëshmuar se asgjë nuk është e pamundshme. Kjo përvojë, jetë, kërkim, veprim dhe flijim ishin dhe mbesin shenjtëria e saj e jashtëzakonshme, apo si e kam definuar unë “Dashuria në veprim”.

                                                                                                                  

——————————————————————

[i] Dr. Lush Gjergji,  Nëna jonë Tereze, Drita,  1990,  fq. 159.

[ii] Po aty, fq. 241-242.

[iii] Po aty, fq. 197-204.

[iv] Madre Teresa,  Sii la mia luce, gli scritti più intimi della Santa di calcutta, a cura di Brian Kolodiejchuh, Rizzoli, 22007,  fq. 333.

[v] Po aty, fq. 336.

[vi] Po aty, fq. 340-341.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »