Jezusi, burimi që shuan etjen  

Mar 18 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Kreshmës (A)

Leximi i parë   Dal 17, 3-7

 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.” Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin, dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.” Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Mas a dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?”

Fjala e Zotit.

 

Psalmi 95

Ref: Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot.

————————————————–

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

————————————————–

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi! 

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

————————————————–

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Leximi i dytë Rom 5, 1-2. 5-8

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës: 

na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli Gjn 4, 5-42

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!”  Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?”   Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”  Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Liturgjia e kësaj të diele na fton të jetojmë ecjen kreshmore me besnikëri ndaj Zotit që është shpresa, e cila nuk na turpëron por na shëlbon, na shpie drejt të vërtetës që është Krishti. Këtë na tregon më së miri edhe leximi i parë nga libri i Daljes, ku përshkruan popullin e Izraelit i cili ankohej kundër Moisiut: “përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Por Zoti ia kishte dhuruar ujin popullit të vet në shkretëtirë. Etja që e kishte populli i Izraelit është metaforë e kërkimit tonë, sikurse Ungjilli që na prezanton gruan samaritanese, e cila shkon për të nxjerr ujë nga pusi, dhe, në takim me Jezusin, gjen ujin e jetës. Pra, edhe ne nganjëherë i përngjajmë këtij populli që ankohet shpesh dhe nuk jemi të kënaqur dhe mirënjohës ndaj Zotit për atë që kemi, e ndoshta nganjëherë  as nuk dimë se çfarë duam. Për këtë ne duhet ta falënderojmë Zotin çdo ditë për çdo gjë që na dhuron, e mbi të gjitha për dhuratën e jetës, të lirisë, për shpresën që Shpirti Shenjt e vendos në zemrat tona. Prandaj ftesa që na bëhet është të angazhohemi për të dëgjuar Fjalën e Zotit me zemër të lirë dhe të sinqertë.

Në leximin e dytë, Pali apostull na fton që të mos mëkatojmë më, na kujton që nëpërmjet pagëzimit kemi qenë pastruar nga Zoti ynë Jezu Krishti, tani që kemi fenë dhe nëpërmjet fesë kemi dashurinë e Zotit që është falas, dashuri që e pajton mëkatarin me Zotin. Pra, Krishti ka vdekur për ne, për shëlbimin tonë, kur ne ende ishim mëkatar. Feja, dashuria ndaj Zotit dhe shpresa duhet të mbretërojnë gjithmonë në zemrat tona, edhe kur jemi në momente të vështira, është e nevojshme ti besohemi krejtësisht atij, për ta arritur paqen e vërtetë.

Ungjilli na fton të meditojmë mbi takimin, dialogun në mes te Jezusit dhe gruas nga Samaria, në të cilën iu është zbuluar dhurata e ujit të jetës, Jezu Krishti. Në atë kohe Hebrenjtë i shihnin me dyshim Samaritanët, sa që ishte e papranueshme nga ana kulturore që një burrë të ishte vetëm me një grua, vetëm nëse ishin të martuar ose të afërm. Pikërisht Jezusi kalon nëpër këtë tokë për ta përmbushur misionin e tij. Jezusi i lodhur nga rruga, ka vërtet etje, pra është Zoti ynë Jezu Krishti i cili identifikohet me të gjithë njerëzit që janë të lodhur, dhe është shenja që tregon se është njeri i vërtetë. Po, vërtetë Jezusi ka etje për fenë dhe dashurinë tonë. Ndërsa gruaja nga Samaria përfaqëson pakënaqësinë e brendshme të atij ose të asaj që ende nuk e ka gjetur atë që kërkon, por gjithçka për të ndryshon në këtë ditë. Jezusi i kërkon kësaj gruaje ujë, duke i thënë “më jep të pijë”.

Uji është elementi thelbësor i jetës dhe simbol i jetës së plotë. Shën Augustini thotë se: “Ai që kërkoi të pinte ujë kishte etje për fenë e samaritanes”. Të lindur prej ujit e prej Shpirtit, jemi bërë krijesa të reja, por gjithmonë kemi nevojë për ujin e Fjalës së Zotit, për t’u përtërirë e për t’u bërë sa më të ngjashëm me Krishtin, në të cilin jemi pagëzuar. Çdo moment i jetës sonë është një takim me Atë që na do. Prandaj Jezusi na mëson ta jetojmë dhe ta pranojmë, duke u mbështetur në të, ujin e vërtetë, burimin e vetëm të pashtershëm, përmes Fjalës së Zotit, Sakramenteve, dashurisë ndaj të afërmit, veprave të mira e bamirëse etj.

Jezusi ka etje për fenë tonë, për besimin tonë. Besimi na ofron drejt njohjes së Zotit dhe na transformon në njerëz të ri, na tregon një mënyrë të re për të kuptuar realitetin, siç ndodhi edhe me gruan samaritane. Feja ndryshon mentalitetin tonë, na shtyn që ta vendosim Zotin mbi gjithçka. Prandaj të besosh do të thotë të identifikosh dhe sintetizosh mendimin tënd me atë të Zotit.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Krishti është burimi i shëlbimit. Shëlbimi arrihet nëpërmjet pagëzimit. Ta lusim Zotin, vëllezër e motra, që të mund të kemi pjesë në gëzimet e amshuara. Të lutemi së bashku duke thënë:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

  1. Ti o Jezu, në pusin e Jakobit ke shpallur se kush pinë ujë të gjallë do të jetojë në amshim dhe nuk do të ketë më etje. Kështu të pranoi për Mesi gruaja Samaritane; na ndihmo që edhe ne Ty të kërkojmë, Ty të duam e pas Teje të shkojmë, të lutemi.
  2. O Hyj, në Krishtin kemi marrë burimin e ujit të gjallë, i cili rrjedhë për jetën e pasosur, bëj që të gjithë ata që i thirre në pagëzim të jenë të mbrojtur prej hireve të tua, të lutemi.
  1. Biri yt i tregoi Samaritanes qëllimin se kishte ardhur për të kërkuar të humburit, ndihmojë Kishës sate që t’i kthejë kah Ti të gjithë ata që kanë lenë rrugën tënde, si dhe ata që ndoshta akoma nuk të kanë njohur, të lutemi.
  1. Krishti ka pranuar që të jetë i ndihmuar e ta shuaj etjen, jepu të gjithë njerëzve zellin për t’u ndihmuar atyre që kanë nevojë, të lutemi.

 

Prano, o Zot, lutjet e Kishës sate që me përvujtëri po të lutet, jepi ujin e gjallë, që të mos ketë etje kurrë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Daniell Markprekaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »