Pse bëjmë mirë?

Mar 18 • Këndvështrime

 

Pse të krishterët do të duhej të luftonin për drejtësi si Jezusi? Tek e fundit, kjo është një gjë e vështirë, problematike dhe kërkon sakrificë dhe vetë-mohim.

A është kjo për shkak të frikës për të qenë të dënuar në qoftë se dështojmë për të treguar dashurinë tonë? Jo! Dashuria e pakushtëzuar e Hyjit gjithmonë na fal dështimet tona. Pra, unë mund të shkoj në një ishull dhe të shtrihem në plazh, duke pirë pije dhe duke mos bërë asgjë deri në fund të jetës dhe mos të shqetësohem për askënd – dhe Hyji prapë do të më donte pa kushte dhe pafundësisht? Pse atëherë të angazhohem në këtë betejë për drejtësi?  

A është kjo për hir të shpërblimit? Jo, sepse nuk ka asnjë shpërblim për përpjekjet tona të vështira dhe vetë-flijuese. Pse jo? Sepse ne jemi tashmë të shpërblyer (shpëtuar)! Në momentin kur kemi qenë krijuar, ne kemi marrë dhuratën e dashurisë së pafund dhe të pashkushtëzuar të Hyjit, dhe kjo dhuratë është përgjithmonë e jona. Hyji më shumë se kaq nuk mund të na japë. Mbretëria e Hyjit është tashmë e jona. Nëse punoj për Hyjin vetëm për hir të një page ose shpërblimi, atëherë unë s`jam asgjë tjetër veçse një mercenar; jam duke i përdor njerëzit e tjerë për të marrë atë që unë dua.

Le të shqyrtojmë këtë çështje nga aspekti i përvojës. Gjatë jetës, ne e përjetojmë dashurinë e Hyjit me anë të dhuratave që Hyji na jep – dhuratat na zbulojnë këtë dashuri. E pra, në  çastin e vdekjes ose në vdekje ne nuk e përjetojmë dashurinë e Hyjit nëpërmjet këtyre dhuratave të tij – tani e kemi përvojën e drejtpërdrejtë, ballë për ballë. Kjo nuk është një dhuratë e re, një shpërblim i ri: kjo është një eksperiencë e re dhe më e thellë e dhuratave që i kemi pas marrë tashmë shumë kohë më parë, në momentin kur kemi qenë krijuar.

Për një të krishterë motivimi i vetëm për të bërë mirë është mirënjohja, falënderimi për dhuratat e Hyjit dhe për dhuratën që vjen me dhurata, dashurinë e pakushtëzuar dhe të pafund të Zotit. Lutja eukaristike thotë: “… është punë e denjë dhe drejtë të falënderojmë ty, o Zot, për të gjitha dhuratat e tua…” Sa më shumë të jem i vetëdijshëm për këto dhurata, aq më i madh është falënderimi im, dhe kjo më bën atëherë më të përkushtuar për të ardhur deri te bijtë e Hyjit që ndodhen në margjinat e shoqërisë. Dhe sa më shumë u afrohem atyre, aq më shumë më çon te kundrimi, soditja e Dhuruesit të dhuratave. Për të punuar për drejtësi sociale duhet të jem soditës.

(Burimi: Sacred Space – përkth. Sh.D.)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »