Lutja, kohë e etjes dhe dashurisë

Mar 19 • Meditimi i ditës

19 mars 2017 – E diela 3-të e Kreshmëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 17,3-7; Ps 95,1-2.6-9; Rom 5,1-2.5-8; Gjn 4,5-42)

 

Prania e Hyjit

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani, në këtë moment.

 

Liria

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.
Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi

Ku jam duke e gjetur momentalisht shpresën, guximin dhe zhvillimin në jetën time?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendos që edhe në të ardhmen t`u siguroj edhe hapësirë edhe kohë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 4, 5-42

 

5 Arriti, pra, në qytetin e Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, birit të vet. 6 Aty ishte pusi i Jakobit.
Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul të rrijë në grykën e pusit. Ishte diku rreth orës gjashtë. 7 Një grua nga Samaria erdhi të mbushë ujë. Jezusi i tha:
“Më jep të pi!”
8 Nxënësit e tij kishin shkuar në qytet të blejnë ushqime.
9 Samaritania i tha:
“Si? Ti që je judeas, kërkon ujë prej meje që jam samaritane?”
[Sepse judenjtë nuk marrin e japin me samaritanë].
10 Jezusi iu përgjigj:
“Po ta dije ti çka të dhuron Hyji
dhe kush është ai që të thotë:
‘Më jep të pi!’,
ti vetë do të lypje nga ai
dhe ai do të të jepte ujë të gjallë!”
11 “Zotëri ‑ iu përgjigj gruaja ‑ ti s’ke as me çka të mbushësh ujë e pusi është i thellë! Nga, pra, mund të kesh ujë të gjallë? 12 A mos je më i madh se ati ynë Jakobi, që na dha këtë pus, piu vetë prej tij, si edhe bijtë e tij e bagëtitë e tij.”
13 Jezusi iu përgjigj:
“Kushdo që pi këtë ujë
përsëri do të ketë etje.
14 Kurse, kush do të pijë
ujin që unë do t’ia jap,
kurrë më nuk do të ketë etje,
madje uji që unë do t’ia jap
do të bëhet në të burim
që rrjedh në jetën e pasosur.”
15 Po i thotë gruaja:
“Zotëri, më jep ashtu uji që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të mbush!”
16 Ai i tha:
“Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!”
17 “Unë nuk kam burrë!” ‑ iu përgjigj ajo.
“Mirë the! ‑ ia ktheu Jezusi ‑ ‘S’kam burrë!’
18 Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!”
19 “Zotëri ‑ vijoi gruaja ‑ po shoh se je profet.
20 Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi.”
21 Jezusi i tha:
“Më beso mua, o grua, po vjen koha,
kur nuk do ta adhuroni Atin
as në këtë mal as në Jerusalem.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni,
ne adhurojmë atë që e njohim,
sepse shëlbimi vjen prej judenjve.
23 Por po vjen koha ‑ e tani është!‑ kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin
në shpirt e në të vërtetë,
sepse Ati kërkon tamam adhurues të tillë.
24 Hyji është shpirt,
dhe ata që e adhurojnë
duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.”
25 Gruaja i tha:
“E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka”
26 Jezusi i tha:
“Unë jam Mesia, unë që po flas me ty!”
27 Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?”
28 Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: 29 “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?”
30 Ata dolën prej qytetit dhe u nisën për tek ai.
31 Ndërkaq nxënësit po e lutnin:
“Rabbi, ha!”
32 Ai u tha:
“Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.”
33 Nxënësit pyetën njëri‑tjetrin:
“A mos i solli ndokush ushqim?”
34 Jezusi iu përgjigj:
“Ushqimi im është
të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi,
të kryej veprën e tij.
35 A nuk thoni ju:
‘Edhe katër muaj e, ja, korrja?’
Ja, unë po ju them:
Çoni sytë tuaj dhe shikoni:
arat u zbardhuan për korrje!
Tanimë 36 korrtari po e merr pagën
dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur,
që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku!
37 Në këtë gjë vërtetohet fjala:
‘Njëri mbjell e një tjetër korr’!
38 Unë ju dërgova të korrni atje
ku ju s’derdhët djersë:
të tjerët u munduan
e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.”
39 Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” 40 Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë tek ata. Jezusi ndenji mes tyre dy ditë. 41 Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. 42 Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·               Lutja është kohë kur njeriu pi nga burimi i pafund i dashurisë së Hyjit, kohë e etjes dhe dashurisë ndaj Hyjit. Kjo është një kohë kur i lejojmë të vërtetës të hyjë në zemrat tona dhe kur uji i gjallë na jepet për të arritur jetën e amshuar.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »