Ditëlindja e veprës “E mbsuame e krështërë” e Lekë Matrangës (20 mars 1592)  

Mar 20 • Histori, Kulturë, Letërsi

 

Sot, më 20 mars e kujtojmë daljen në dritë të veprës së Lekë Matrangës ‘E mbsuame e krështerë’ ( E Mbsvame e Chræsteræ), të cilën e përfundoi më 20 mars 1592, në Hora e Arbëreshëve (fshat Arbëresh) mbi Palermo të Sicilisë, vepra e dytë e shqipes së shkruar, pas ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut (1555). 

Vepra e Matrangës u zbulua pothuajse njëkohësisht me “Mesharin” e Buzukut, dy vepra tejet të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, të cilat janë me interes të madh për albanologjinë dhe kulturën shkrimore të popullit tonë, për shkak se dëshmojnë fillesën e shkrimit shqip në një kohë të hershme. “Meshari” i Buzukut i shkruar në dialektin gegnisht dhe “E mbsuame e krështërë” e shkruar në dialektin toskërisht, paraqesin historinë e hershme të gjuhës sonë shqipe, e cila ka marrë frymë me ‘dy mushkri’. Janë dy veprat që zënë vend në çdo vepër shkollore e kulturore si burime të drejtpërdrejta gjuhësore për rindërtimin e identitetit gjuhësor dhe kulturor shqiptar e, njëkohësisht, të vijimësisë (continuum) gjuhësore e kulturore të shqiptarëve në trojet Ballkanike dhe të përtejdetit (M. Mandalà).   

Vepra ‘E mbsuame e krështerë’,  e Lekë Matrangës është Katekizëm mbi doktrinën e krishterë, përkthim në gjuhën shqipe i veprës së jezuitit spanjoll, Atë Doktor Ledesma (1516-1575), shkruar latinisht. Ka gjithsej 28 faqe, me një vjershë në gjuhën shqipe dhe italiane.

Titulli i plotë i botimit është: “Embsuame e chraesterae. Baeaera per tae Vrtaenae Atae Ladesmae sciochiaeriet Iesusit. E prierrae laetireiet mbae gluchae tae arbaeresciae paer Lecae Matraengnae. Imbsuam i Cullegit Graec tae Romaesae. Italisht: Dottrina Christiana. Composta dal Reuerendo P. Dottor Ledesma della Compagnia di Giesù. Tradotta di lingua Italiana nell’Albanese per Luca Matranga alumno del Collegio Greco in Roma”. (Doktrina e krishterë. Bërë nga i Urti Atë Doktor Ledesma i Shoqërisë së Jezusit. Përkthyer nga italishtja në gjuhën arbëreshe nga Lekë Matranga, student i Kolegjit Grek të Romës.)

Kopja e përkthimit shqip në dorëshkrim, që ka ardhur deri në ditët tona në tri variante të ndryshme, i pari nga të cilët me sa duket me shkrimin e vetë Lekë Matrangës, është kataloguar nën Codex Barberini Latini 3454 në Bibliotekën e Vatikanit. Një variant tjetër i botuar, nga i cili ka shpëtuar vetëm një kopje, është ai i shtypur në Romë nga Guglielmo Facciotto  ‘me lejen e të parëve’ më 1592, që u zbulua nga Mario Rok (Mario Roques). Nga një tjetër dorëshkrim është botuar një edicion i t’ Mbsuemes me shënime të Prof. M. La Piana në revistën “Roma e l’Oriente” më 1912.

Edhe pse janë bërë studime të shumta për “E mbsueme e krështerë”, megjithatë mendojmë se botimi kritik dhe studimi me kompetencë dhe i kompletuar është bërë nga arbëreshi Matteo Mandalà, e titulluar Lekë Matranga. Njeriu, koha, nepra. Mbi botimin kritik të varianteve dorëshkrim e të shtypur të veprës E mbsueme e krishterë  – 1592, OMBRA GVG, 2012. /Drita & Radio Vatikani/

Po e japim vjershën ‘Këngë e përshpirtshme”, në origjinal, që konsiderohet si një nga vargëzimet e para në gjuhën shqipe:

Gjithëve u thërres, kush do ndëljesë
Të mirë të krështē, bura e grā
Mbë fjalët të Tinëzot të shihi meshë,
Se s’ishtë njerī nesh çë mkatë s’kā
E lum kush e kujton se kā të vdesë
E mentë bashkë mbë tënëzonë i kā
Se Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E bën për bīr të tij e për vëllā

Vargjet në gjuhën e sotme shqipe do të tingëllonin kështu:

Të gjithëve ju thërres, kush do ndjesë,
Të krishterë të mirë, burra e gra,
me fjalë të Tënzot të shihni Meshë,
se s’është njeri prej nesh që mëkate s’ka.
E lum kush kujton se do të vdesë.
E mendtë bashkë në Tënzonë i ka,
se Krishti në parajsë atij i bën pjesë,
e bën për bir të tij e për vëlla”.

(vjersha është përshtatur nga radiovaticana.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »