Mons.Vincenzo Paglia, kremtoi meshën së bashku me studentët në Katedralen e Prishtinës

Mar 23 • Kisha në Kosovë

Nga Ardian Nikolla

 

Kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, Kancelar i Institutit Papnor “Gjon Pali II”, njëherit edhe ipeshkëv i Dioqezës së Terni-Narni-Amelias në Itali, Mons. Vincenzo Paglia, ka qëndruar për një vizitë tre ditore në Kosovë. Në mesin e takimeve të shumta me krerë të institucioneve shtetërore dhe fetare, Mons. Paglia, gjatë ditës së martë, ka celebruar edhe meshën e përjavshme me studentët katolik në Kosovë.

 

Në prani të udhëheqësve të institucioneve të vendit, korit diplomatik, autoriteteve civile e ndërkombëtare, Argjipeshkvit të Tivarit, Mons. Rrok Gjonlleshaj, si dhe familjarëve të presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në katedralen “Nënë Tereza”, në Prishtinë është kremtuar mesha e shenjtë e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për nderë të vizitës së Kryetarit të Akademisë Papnore për Jetën, Mons. Vinzenzo Paglia.

Mesha për të martesh kushtuar pastoralit studentor të Kishës në Kosovë, që mbahet në Katedrale, ishte kësaj here e mbushur edhe me mysafirë të ndryshëm. Homelinë në meshë e mbajti Mons. Paglia, i cili u shpreh se është shumë i lumtur që gjendet në Kosovë, posaçërisht në këtë kishë madhështore kushtuar Nënë Terezës, bijës suaj dhe shenjtëreshës së madhe të kohëve tona. Kjo katedrale më kujton edhe mikun tim dhe presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, si njërin ndër nismëtarët e parë ta ndërtimit të kësaj katedrale – ishin fjalët e para të homelisë së tij, të cilën e mbajti me plotë emocione. Pas shumë viteve përsëri vi në Kosovë dhe shoh sa shumë ka ndryshuar për të mirë. Jemi bashkuar të gjithë si vëllezër dhe motra për të bashkëndarë një vizion vëllazërie universale, faljen dhe pajtim si vlera që na drejtojnë drejt paqes. Ky vizion është e vetmja rrugë që ëndrrat e kosovarëve për vendin e tyre të bëhen reale, një Kosovë që e keni ëndërruar dhe ëndërroni për të ardhmen – ishin fjalët e Mons. Paglia. Ai nuk la pa kujtuar Shën Nënë Terezën dhe Shenjtëroren e Letnicës, vendin ku Nënë Tereza pranoi thirrjen për t’u bërë misionare, duke e cilësuar këtë bijë Yllin ndriçues për popullin tonë. Në fund të homelisë së tij ju drejtuar studentëve me fjalë inspiruese dhe grishëse: Ju jeni ata që Kosovën duhet ta bëni më të bukur, me shpirtin e juaj rinor e fisnik, jeni të ftuar ta realizoni ëndrrën e të parëve tuaj për Kosovën. Keni Nënë Terezën, shembullin gjigant, Yllin ndriçues që do të ndriçojë hapat tuaj për të krijuar të ardhmen e Kosovës – e përfundojë homelinë e tij Mons. Paglia.

Në fund të kremtimit të meshës, Ipeshkvi i Kosovës, Mons. Dodë Gjergji, ka shprehur falënderimet me te përzemërta për Mons. Vincenzo Paglia, për vizitën e tij që i’a ka bërë vendit dhe Kishës tonë në Kosovë. Ipeshkvi Gjergji, ia ka ripërsëritur ipeshkvit Paglia dëshirën e kishës dhe popullit të Kosovës që Ati i Shenjtë Papa Françesku, ta vizitojë vendin tonë gjatë muajit shtator të këtij viti. Po ashtu, ipeshkvi Gjergji, e ka përshëndetur edhe argjipeshkvin e Tivarit,Imzot Rrok Gjolleshaj, si dhe e ka falënderuar për pjesëmarrjen në meshën e shenjtë.

Pas meshe, Imzot Dodë Gjergji, ka shtruar një darkë për nder të vizitës së Vincenzo Paglia, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Kosovës, Z. Hashim Thaqi.

Monsinjor Vinzenzo Paglia, është Kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, Kancelar i Madh i Institutit Papnor “Gjon Pali II” për studimet mbi martesën e familjen, ipeshkv i dioqezës së Terni-Narni-Amelias në Itali dhe bashkëthemelues i Komunitetit të mirënjohur të Sant’Egidio-s, një përkrahës i madh i Kosovës, që nga vitet e ’90.

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”47″]

Comments are closed.

« »