Të varfër si Jezusi

Mar 24 • Këndvështrime, Uncategorized

 

Nga Mons. Lush Gjergji

 

“Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit”.  (Lk 6, 20)

“Ne kemi pranuar shumë më tepër prej të varfërve, se që kemi dhënë… Nga të varfrit mund të mësojmë t’i pranojmë çështje e rënda dhe kundërshtimet, që të jemi të kënaqur me pak të mira materiale, që të çmojmë shumë pakicën”.  (Nëna Tereze)

Varfëria, është një ndër karakteristikat edhe të kohës tonë, gati një lloj fije që lidhë historinë e mbarë njerëzimit. Nëse analizojmë mirë fenomenin e varfërisë dhe resurset natyrore të tokës, atëherë vijmë te përfundimi i qartë dhe dramatik: varfëria shkaktohet nga egoizmi dhe prepotenca e të pasurve, shfrytëzimi i të varfërve, nga sundimi i interesave  dhe padrejtësive…

“Prej këtyre lindin pretendimet e forta të shumë vetave, duke u vetëdijesuar krejtësisht, mendojnë se janë privuar prej atyre të mirave për shkak të padrejtësisë apo të një shpërndarjeje jo të drejtë…Popujt e mbërthyer prej urisë implikojnë popujt më të pasur…” (GS 9)

Para këtij realiteti, edhe sot të pranishëm në botë, ku pakica “gëzon” shumë të mira, ndërsa shumica vuan dhe lufton për të mbijetuar, çështja e varfërisë është një urgjencë, domosdoshmëri, që kërkon zgjidhje të drejta dhe afatgjata, për t’iu ikur luftërave, ndoshta edhe shkatërrimit të njerëzimit. Kjo çështje, është mjaft e ndërlikuar për shumë arsye: sistemet e ndryshme ekonomike, politike, kulturore, shoqërore, fetare, nga të cilët varet edhe botëkuptimi i jetës, punës, familjes, shoqërisë; për shkaqe klimatike dhe ambientale të tokës, për teknologjinë e shfrytëzimit të resurseve natyrore, për shkatërrimin e natyrës, për superfuqinë e multinacionaleve…

Varfëria nuk është vetëm materiale, por edhe shpirtërore, morale, kulturore, në shumë raste edhe më e rëndë dhe rrezikshme.

Çka na mëson Jezusi me jetën dhe veprën e tij mbi varfërinë? Ka ndonjë risi, zgjidhje, apo duhet të pajtohemi me pak dhe me atë që për të varfër nuk ka zgjidhje?

Ecim gjurmëve të Jezusit. Ai e ka zgjedhur varfërinë e plotë, duke u mishëruar në kraharorin e Virgjërës Mari, për virtyt të Shpirtit Shenjt. “Kini në ju po atë ndjenja që ishin në Krishtin Jezus: i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm  me njerëz dhe, për kah pamja dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.”  (Fil 2, 6-8)

Varfëria vullnetarisht e përqafuar për t’u vënë në ndjekje të Krishtit, shenjë shumë e çmuar e të cilës ajo është veçanërisht sot, duhet të kultivohet me kujdes prej rregulltarëve dhe, nëse do të jetë e nevojshme, duhet të gjenden forma të reja për ta shprehur atë.” (PC 13)

Jezusi, lindi në varfëri më të madhe, në një shpellë në Betlehem, dhe jetoi në mënyrë të njëjtë, aq sa tha kështu: “Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kryet.”  (Mt 8, 20)

Në kryq ishte i ndeshur, rrahur, kurorëzuar me ferra, pa askënd dhe asgjë. Qe varrosur, po ashtu, në një vend dhe varr të huaj- “në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur”. (Lk 23, 53)

Jeta e Jezusit është shembullore për varfërinë autentike dhe burimore, por Ai nuk ishte ndalur me kaq, mirëpo kishte caktuar  varfërinë si kusht për shëlbimin e amshuar.

“Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! Mblidhni për vete visare  në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. Sepse, ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.” (Mt 6, 19-20)

Nëna Tereze, duke medituar për këtë pjesë të Ungjillit, ndër të tjera thotë: “Do të ishte turp për ne, që të jemi më të pasur se Jezusi. Ai, për dashuri për ne, u bë i varfër. Shi për këtë, e vetmja pasuri për ne është Jezusi, dashuria e tij dhe prania e tij në mesin tonë”.

Me liri dhe varfëri kemi mundësi ta duam Zotin në të afërmin tonë.

Si mund t’i kuptojmë të varfrit, nëse ne nuk jetojmë në varfëri? Ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezusit, ndërsa ata janë të detyruar të jenë të varfër prej të tjerëve. Varfëria na bënë të lira nga gjësendet, nga gjithçka dhe të gjithë, për të qenë tërësisht të Jezusit”. (Nëna Tereze)

Duke e komentuar pjesën ungjillore mbi të riun e pasur, që Jezusi e deshi dhe e thirri, por ai nuk u përgjigj, Nëna Tereze komenton kështu: “Kongregata ime duhet të mbesë besnike Jezusit të varfër. Ne duhet të jetojmë nga besimi në Provania e Zotit. Rreziku më i madh për ne është pasurimi… Kur Kongregata ime do të bëhet e pasur, do të vdesë, sepse ne nuk jemi punëtore shoqërore. Kushti i varfërisë na ndihmon shumë edhe për pastërti dhe dëgjesë. Me varfëri ne zgjedhim vetëm Jezusin, me dëgjesë e dëgjojmë, me pastërti e dashurojmë.”

Kjo liri dhe mundësi për ta ndjekur Jezusin, me besnikëri dhe dashuri, na dhurohet edhe në Ungjill me këto fjalë: “Kështu pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im”.  

Nëna Tereze, e frymëzuar prej Jezusit, do të them  e ka përpunuar “teologjinë e varfërisë” në mënyrën më të mirë dhe bindëse.

“Unë shoh në çdo njeri, sidomos në të varfër, Jezusin e vuajtur. Të varfëritë nuk kanë nevojë për mëshirën tonë. Ata kanë nevojë për ndihmën tonë dhe për kujdesin tonë…Ata kanë pak, asgjë, por dhurojnë shumë, gjithçka… Nëpërmjet të varfërve do të vijë paqja në botë, sepse ata vuajnë shumë… Të varfrit janë urata jonë. Ata brtin Zotin në veten e tyre. Jezusi nga kryqi ka thënë: “Kam etje”. Etja e tij nuk ishte për ujë, por për dashuri. Qëllimi ynë është ta shajmë këtë etje…. Njerëzit që kanë gjithçka,  kanë etje për dashuri, dëshirojnë që t’i kuptojmë dhe t’i njohim si vëllezër dhe motra tona. Nuk duhet të turpërohemi të lypim prej derës në derë, nëse është e nevojshme… Jezusin, në kryq, nuk kishte asgjë. Edhe kryqin ia kishte dhuruar Pilati. Gozhdët dhe kurorën me ferra ushtarët. Ishte i ndeshur… Ishte i mbështjell në një çarçaf dhuruar nga një person bujar dhe i varrosur në një varr të huaj.. Ai e zgjodhi varfërinë sepse e dinte se ishte mjeti për të qenë të pasur në Zotin dhe për ta sjell dashurin e Tij në tokë…Mendoj se një person e varur nga pasuria, që brengoset për pasuri, është vërtet shumë i varfër. Nëse ky person e vë pasurinë në shërbim të tjerëve, është i pasur, shumë i pasur…T’i ndihmojmë dhe t’i duam gjithë të varfrit, materialisht dhe shpirtërisht, sepse vetëm kështu mund të jemi besnikë ndaj Jezusit, duke ndihmuar dhe dashur të afërmin… Të varfrit janë të mrekullueshëm. Kanë dinjitetin e tyre që mund ta hetojmë shpejt…Varfëria për ne së pari është dashuri, pastaj flijim. Për të dashur duhet të dhurojmë, të jemi të lirë prej egoizmit…”.

(Nga Don Lush Gjergji, Jeta Dashuria Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, Drita, 2016, f. 71-16)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »