Misteri i hareshëm i lirisë

Mar 25 • Këndvështrime


Përsiatje për Festën e Lajmërimit të Zotit – Zojës Nunciatë (25 mars)

 UNGJILLI

“Në të gjashtin muaj, Hyji e dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar me një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari.

Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha:“Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!”

Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje.

Por engjëlli i tha:

“Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit!

Ja, do të mbetesh shtatzënë e do të nxjerrësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.”

Atëherë Maria i tha engjëllit:

“Si do të mund të ndodhë kjo, ndërsa unë jam virgjër?”

Engjëlli iu përgjigj:

“Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky Fëmijë do të jetë i shenjtë ‑ Biri i Hyjit. Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!

Atëherë Maria tha:“Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj.” (Nga Ungjilli sipas Lukës 1, 26-38)

***

PËRSIATJA

Në festën e Lajmërimit të Zotit, lindja e Birit të Hyjit në trup, është bërë në varësinë e pëlqimit të një gruaje, ashtu si rënia (në mëkat) në kopshtin e parajsës tokësore u krye me pëlqimin e një burri. Hyji, në fuqinë e Tij, do të kishte marrë natyrën njerëzore me forcë, ashtu si një njeri e këput një trëndafil. Por Ai nuk deshi ta imponoi dhuratën e Tij të lirisë pa një përgjigje të lirë të kreatyrës së vet. Përmes Engjëllit, i cili e përshëndeti Marinë, me fjalët që u bënë pjesa e parë e lutjes Të falem Mari “Të falem, o Hirplote! Zoti është me ty!” Marisë i është kërkuar nëse ajo do ta dhurojë Hyjin njeriut! Pasi Maria e kuptoj se ajo do të ngjizë pa dashurinë njerëzore, por me zbritjen e dashurisë të Tejetlarit, duke dhënë pëlqimin e saj, do të fillonte një histori e re njerëzore me të si Eva e re dhe me Krishtin, Adamin e ri.

Lajmërimi i Lindjes së Krishtit, është misteri i hareshëm i lirisë. Vullneti ynë i lirë është e vetmja gjë në botë që na përket. Hyji mund të na merr çdo gjë, shëndetin tonë, pasurinë, pushtetin, por Ai kurrë nuk do të na shtyjë me forcë të duam Atë apo ta dëgjojmë Atë. E bukura e “Po”-së është në mundësinë që dikush mund të thotë Jo. Maria na ka mësuar që ne t’i themi Po Hyjit. ‘Më ndodhtë siç the ti!’ Porse Hyji vet na ka mësuar se, nëse Ai nuk e ka pushtuar lirinë e një gruaje, as burri nuk do të duhej ta bënte kurrë.

(Nga Fulton Sheen, The Fifteen Mysteries. Përktheu: Rev. Drita)

Fotografia në ballën: Sandro Botticelli, Lajmërimi i Lindjes së Zotit, v. 1485, Metropolitan Museum, New York.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »