Sola gratia – vetëm me hirin e Zotit

Mar 27 • Këndvështrime

Nga P. Axel Bödefeld SJ

Të dashur vëllezër e motra,

ju e dini se unë vij nga vendi i Reformacionit, nga vendi i Martin Luterit. Atje, në Gjermani, veçanërisht këtë vit ka shumë programe, konferenca, ligjërata dhe ngjarje, për të përkujtuar 31 tetorin e vitit 1517: Në këtë ditë, 500 vjet më parë, Martin Luther-i e kishte varur një dokument me 95 tezat në derën e kishës së kështjellës në Wittenberg. Se a ka ndodhur kjo historikisht, nuk është e sigurt. Por kjo ditë merret përgjithësisht si fillimi i Reformacionit. Edhe sot, ajo është një festë publike në Gjermani dhe vende të tjera europiane. Dhe ky dokument ekziston, që në origjinal quhet “Disputatio per declaratione virtutis Indulgentiarum” dhe ka të bëjë sidomos me problemin e përdorimit të indulgjencave.

Ndoshta jeni duke e ndjekur sadopak një debat teologjik mbi çështjet e përparimit ekumenik. Këtu para së gjithash fjala është për çështjen e Eukaristisë dhe të shërbesës zyrtare të Kishës, duke përfshirë shërbesën e papatit. Dialogu mbetet i vështirë, por ka edhe zëra nga ana protestante dhe ajo katolike, që përpiqen madje për të rehabilituar zyrtarisht Luterin.

Këtyre pyetjeve unë sot nuk do t`iu hyj, por jam frymëzuar për këto ide për Kreshme dhe Pashkë nga Jubileu, përvjetori i Reformacionit. Mos u shqetësoni, nuk do t`ju përcjell teologji protestante. Por unë jam i bindur se një shkas nga tradita e Reformacionit mund të na japë një nxitje për të zbuluar ngushticat apo njëanshmëritë nga ana jonë.

Ju e dini moton e reformatorëve: sola fidesola gratiasola scriptura! Vetëm feja, vetëm hiri, vetëm Shkrimi Shenjt. Sot dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj te “sola gratia”, vetëm hiri. “Vetëm me anë të hirit” – kjo është një nga përgjigjet që i jepen pyetjes qendrore dhe shqetësuese të Reformacionit: Si mund njeriu të qëndrojë para Hyjit? Si mundem unë krijesa e dobët dhe mëkatare të shpresoj në mirësinë, mëshirën e Hyjit?

Koha e Kreshmës fsheh, përveç shumë bekimeve dhe udhëzimeve të duhura, edhe një keqkuptim, përkatësisht që ne mund të bëhemi të denjë për mirësinë e Hyjit nëpërmjet shumëzimit të agjërimit dhe punëve të mira. Disa tekste liturgjike të Mesharit lehtë mund të keqkuptohen në këtë drejtim: Ne i japim zor më shumë dhe kështu e fitojmë mëshirën e Hyjit.

Në këtë mënyrë jemi në rrezik ta kthejmë tempullin e Hyjit në një treg të mbuluar: Ne japim dhe duam që të marrim në kthim: hirin për veprat e mira. Në këtë mënyrë, përpiqemi t`i shpëtojmë ankthit tonë për të dalë para Zotit me duar bosh ose të zbrazëta, për të mos qenë në gjendje për t’i ofruar atij asgjë, gjë që do të mund të na bënte të vlefshëm apo të dashur në sytë e tij. Frika dhe siguria na shtyjnë për të na çuar në sigurinë e veprave të mira: këto janë pastaj faktet, që Hyji nuk mund t`i neglizhojë – ai nuk mund të mos i marrë para sysh ato.

Këtu veç na ofrohet një pikë e parë reflektimi: Si qëndron çështja lidhur me frikën nga Hyji? Cilat janë ashtu të themi “faktet” që unë ia qes Zotit përpara dhe jam i sigurt se ai për këtë arsye s`mund të më refuzojë: kushtet e mia rregulltare apo shugurimi im? Sakrificat e mia të përditshme? Kohëzgjatja e lutjes sime? A e njoh ndjenjën kur përpara Zotit me duar bosh qëndroj i turpëruar? Dhe me çka pastaj i mbushi duart e mia, në mënyrë që të mos më duhet të më vijë turp para Zotit? A mendoj se së pari më duhet t`i meritoj Pashkët Ngjalljen?

Dhe në të kundërtën e kësaj: Sola gratia – vetëm me hirin e Zotit.

Po vij te pika ime e dytë: “Të agjëruarit” e kohës së Kreshmës – në kontrast me atë që thashë në fillim – mund të ndodhë që të jetë më shumë përpjekja ime që të jem vigjilent për biznesin që dëshiroj të bëj me Zotin. Unë heq dorë të bëj diçka të veçantë, sepse mendoj se mëshira dhe mirësia e Zotit përndryshe nuk janë mjaft të mëdha. Unë heq dorë nga përpjekja për të bërë një punë të mirë për ta korruptuar, për t`i dhënë ryshfet Hyjit. Unë heq dorë nga një sakrificë, që në fakt, bëj vetëm pse kam frikë se dashuria e Hyjit nuk është mjaft e madhe. Kjo duket si përtaci apo komoditet perëndimor në askezë. Në të vërtetë, kjo është gjëra më e vështira që ekziston: vetëm të kesh besim, pa pasur ndonjë të drejtë apo pretendim. Kjo do të thotë të duash, të zësh besë, të besosh: Zot i mirë, Dashuria jote është një dhuratë, mirësinë dhe mëshirën tënde s` më duhet dhe s` mund ta meritoj. Nuk kam nevojë së pari ta bëj veten të përsosur dhe ta shëlboj veten, por ti më do dhe më forcon ashtu siç jam tani – në këtë moment. Te kjo mëshirë unë s`mund të meritoj asgjë dhe s`kam nevojë asgjë të meritoj. Më duhet të bëj gjënë më të vështirë: të lejoj të duhem dhe të dhurohem nga Zoti. Më duhet ta pranoj varfërinë time dhe të qenurit tim nevojtar. Unë nuk mund t`i mbuloj këto me veprat e mia të mira.

Kjo mund të jetë një pikë e dytë reflektimi: Sa mendime të ngushta kam për dashurinë e Hyjit dhe mirësinë e tij kur mendoj se më duhet dhe mund ta përfitoj atë – dashurinë dhe mirësinë e Zotit? Le të lutemi që të kemi guxim për të qëndruar të varfër dhe të zbrazët para Zotit– për shkak se vetëm kjo është e vërteta dhe kushti që ai të mund të na japë hirin e tij.

“Sola gratia” – vetëm me anë të hirit.

Pika ime e tretë dhe e fundit: Nëse për Kreshmë e vendosim përpjekjen tonë dhe agjërimin tonë vetjak tepër në qendër të vëmendjes – për veten tonë dhe në raportin, shpalljen tonë, atëherë mund të ndodhë që të biem pre e një keqkuptimi gnostik, pra që ne do të mund ta shpëtonim vetveten. Ne atëherë jo vetëm se do ta huqnim misterin e Pësimeve dhe festën e Pashkëve, por do ta ndryshonim atë plotësisht. Kjo është ajo që Pali në letrën drejtuar Efesianëve shkruan:

Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave që ndokush të mos lavdërohet.  Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira, që Hyji i përgatiti që më parë që të jetojmë në to (Ef 2,8 ff).

Këtë na duhet ta kapim, ta përvetësojmë dhe ta shpallim:

Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. E pasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi(Rom 5, 8 ff).

Ne e vështrojmë fajin dhe mëkatin tonë jo për të shfajësuar dhe çliruar vetveten prej kësaj, por për të zbuluar madhësinë e mirësisë së Zotit lidhur me varfërinë tonë. Koha e Kreshmës do të kishte pastaj kuptimin e “Kohës së të vërtetës”, jo sepse vendosim më shumë fasadë dhe bëjmë më shumë llogaritje, por sepse kemi më shumë guxim për të pranuar limitet tona – kufijtë tanë. Krishti dhe Ati tashmë na kanë pranuar në Shpirt edhe para se të kemi filluar të përgatitemi. Ne jemi larë tashmë, ne tashmë jemi shëlbuar – në qoftë se vetëm jemi në gjendje ta pranojmë këtë. Nëse ne vetëm pushojmë së llogarituri ankthshëm. Nëse mund vetëm të pranojmë një dhuratë pa dashur të paguajmë gjë për të.

Kjo do të ishte pika e tretë për reflektim: Gjatë kohës që unë ende llogaris, në fakt, Zoti tashmë më merr në krahët e tij – gratis/falas – vetëm nga dashuria dhe hiri. “Homo incurvatus in se ipsum“, njeriu i kërrusur në vetveten e tij – ky është mëkatari. Ai është i shqetësuar vetëm për fajin e tij dhe pyetjen se si mund ta bëjë Zotin për vete. Njeriu i shëlbuar është njeriu i drejtuar, i cili nuk ka frikë për shkak se çdo gjë i është dhuruar. Atij nuk i merret asgjë, ai vetëm mund të humbasë veten përsëri në mendjelehtësi. Është shumë e rëndësishme, kryesore, që ne vet në Kreshmë mos të bëhemi “homo incurvatus in se ipsum”, dhe që në shpalljen tonë mos të preokupohemi duke i kushtuar vëmendje vetëm fajit dhe mëkatit. “Sola gratia” si fjalë për Kreshme na fton, për disa javë për ta vështruar/medituar madhësinë e mëshirës së Hyjit ndaj ngushtisë së frikës, ankthit tonë, në mënyrë që për ditë festash me të vërtetë ta kuptojmë se gjithë kjo ka ndodhur dhe ndodh për shkak se Zoti dashuron, jo se ne do ta meritonim atë. Dhe që ne do të ngrihemi nga vdekja, sepse Hyji këtë e dëshiron në dashurinë e tij, jo se ne do ta meritonim atë.

 (Exortë e mbajtur në ripërtëritjen shpirtërore për meshtarët dhe regulltarët e dioqezës së Kosovës, Rezidenca e Ipeshkvisë së Kosovës, Prishtinë, 25 mars 2017. Përkthim: P: Shtjefen Dodes SJ. Titulli është i redaksisë.)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »