Ti je ai – miku, që Zoti e do!

Apr 1 • LEXIMET E SË DIELËS

E Diela V e Kreshmës (A)

 

Leximi i parë   Ez 37, 12-14

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: Ja, unë do t’i hap varret tuaja dhe do t’ju nxjerr nga varret tuaja, o populli im, dhe do t’ju shtie në tokën e Izraelit. Do ta dini se unë jam Zoti kur t’i kem hapur varret tuaja e t’ju kem nxjerrë nga varret tuaja, o populli im! Do t’jua jap shpirtin tim dhe ju do ta rifitoni jetën dhe do t’ju vendos në tokën tuaj. Ju do ta dini se unë jam Zoti. Ç’ka them unë, atë edhe e bëj – thotë Zoti Hyj.

Fjala e Zotit.

 

Psalmi  130

Ref: Zoti është mirësia dhe mëshira

———————————————

Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,

o Zot, dëgjoje britmën time!

Le ta dëgjojnë veshët e tu

zërin e lutjes sime.

———————————————

Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,

o Zot, e kush do të qëndrojë para teje? 

Por tek ti gjendet falja që të dimë të të druajmë.

———————————————

Shpresoj në ty, o Zot,

shpirti im shpre-son në premtimin e tij. 

E pret shpirti im Zotin më tepër se rojtarët agimin.

———————————————

Le të shpresojë Izraeli në Zotin,

sepse te Zoti është mëshira

dhe i madh është tek Ai shpërblimi. 

Ai do ta nxjerrë Izraelin

prej të gjitha paudhësive të tija.

 

Leximi i dytë Rom 8, 6-11

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij.  E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjalli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju.

Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam ngjallja dhe jeta, thotë Zoti:

kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli  Gjn 11, 1-45

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Aso here ishte i sëmurë njëfarë Lazri nga Betania, prej fshatit të Marisë e të motrës së saj, Martës. Maria ishte ajo, që e pati përeruar Zotërinë me erëra të mira dhe ia pati fshirë këmbët me flokët e saj. Pra, vëllai i saj, Lazri, ishte sëmurë. Prandaj motrat i çuan fjalë: “Zotëri, ai që ti e do është i sëmurë.” Jezusi, kur dëgjoi, tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, por për lavdi të Hyjit, që të nderohet në saje të saj Biri i Hyjit.” Jezusi e kishte fort për zemër Martën, motrën e saj dhe Lazrin. Megjithatë, kur mori vesh për sëmundjen e tij, u ndal edhe dy ditë në atë vend ku ndodhi. Veç atëherë u tha nxënësve: “Ejani të shkojmë prapë në Jude.” Nxënësit i thanë: “Mësues, tani judenjtë deshën të vrasin me gurë e ti përsëri do të kthehesh atje?” Jezusi u përgjigji: “Vallë, a nuk i ka dita dymbëdhjetë orë? Kush ecën ditën, nuk merr në thua, sepse e sheh dritën e kësaj bote. Kush ecën natën, merr në thua, sepse nuk ka dritë në të.”  U tha kështu, pastaj shtoi: “Lazri, dashamiri ynë, fle, por po shkoj ta zgjoj.” Atëherë, nxënësit e tij i thanë: “Zotëri, nëse fle, do të shërohet!” Jezusi u foli për vdekjen e tij, kurse ata menduan se e kishte për gjumë të rëndomtë. Atëherë Jezusi u tha haptas: “Lazri ka vdekur! Jam i kënaqur pse s’ndodha atje, shi për ju, që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!” Atëherë Toma, i quajtur Binjak, u tha bashkënxënësve: “Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!” Kur, pra, Jezusi arriti, mori vesh se ai ishte varrosur para katër ditësh. Betania ishte afër Jerusalemit diku rreth pesëmbëdhjetë stadje. Shumë judenjtë kishin ardhur te Marta e Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.  Kur Marta mori vesh se po vinte Jezusi, i doli para, kurse Maria ndenji në shtëpi. Atëherë Marta i tha Jezusit: “Zotëri, të kishe qenë ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur. Por edhe tani e di se çkado që të lypësh prej Hyjit, Hyji do ta japë.” “Do të ngjallet vëllai yt!” – i tha Jezusi. “E di se do të ngjallet – i përgjigji Marta – në ringjallje, ditën e fundit.” Jezusi u përgjigji: “Unë jam ringjallja dhe jeta: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë. A e beson ti këtë?” Marta i përgjigji: “Po, Zotëri! Unë besoj se ti je Mesia, Biri i Hyjit, ai që duhej të vijë në botë!”  Jezusi, kur e pa duke qarë atë dhe se po qanin edhe judenjtë, që po e përcillnin, u trand në shpirt, u turbullua dhe pyeti: “Ku e keni vënë?” “Zotëri, eja e shih!” – i përgjigjën. E Jezusit i ngufi vaji. Atëherë judenjtë thanë: “Shih, sa e ka dashur!” Disa prej tyre thanë: “A thua ky, që i dha dritën e syve të verbëritë, nuk mundi të bëjë që ky të mos vdiste?” Mandej Jezusi, përsëri i tronditur, arriti te varri. Ishte shpellë, e grykën ia kishin zënë me një gurë. Jezusi tha: “Hiqnie gurin!” Marta, motra e të ndjerit, i tha: “Zotëri, tashmë ka marrë erë! Vdiq, qe, katër ditë!” “A nuk të thashë – i përgjigji Jezusi – nëse do të besosh, do ta shohësh lavdinë e Hyjit?”  E hoqën, pra, gurin. Jezusi i çoi sytë kah qielli dhe tha: “O Atë, të falënderoj që ma dëgjove uratën. Unë e dija se gjithmonë më dëgjon, por thashë kështu për shkak të popullit që më rrethon: që të besojnë se Ti më dërgove.” Si foli kështu, thirri me zë të madh: “Lazër, dil jashtë!” Dhe, ai që pati vdekur, doli jashtë i lidhur duarsh e këmbësh me rripa pëlhure. Fytyrën e kishte të mbështjellë me rizë. Jezusi u tha: “Zgjidhne dhe lëne të ecë!” Atëherë shumë judenj që kishin ardhur te Maria, kur panë çka bëri Jezusi, besuan në të.

Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Tregimi i Shën Gjonit mbi ringjalljen e Lazrit është shenja më e rëndësishme para se Jezusi të pësojë mundimet e të ringjallet.

Për Lazrin kemi pak të dhëna, por atë që dimë ndoshta është e vetmja e rëndësishme, sepse shtëpia e tij është vend mikpritjeje, një vëlla i dashur i Martës dhe Marisë, një mik i Jezusit. Emri i tij është: mikpritës, mik dhe vëlla, e bashkë me emrat e motrave e ka këtë kutpim: ai – që – Ti – e do, pra emri i çdonjërit.

Rasti i Lazrit ka sjell dy fjalë ndër më të rëndësishmet në Ungjill: unë jam ringjallja dhe jeta. Së pari vjen ringjalla e pastaj jeta. Sipas logjikës do të ishte e kundërta, por jo, Jezusi thotë, unë jam ringjalla e jetës së shuar, unë jam rizgjuesi i njeriut, ai që ngrit jetën e dorëzuar.

Të jetuarit është një durim i pakufij i rizgjimit, të dalim nga shpellat tona të errëta, të lejojmë të çelen dyert e të këputen drynat që na bllokojnë, të heqim fashat nga sytë dhe nga lëndimet e vjetra e të rinisim rrugën tonë në diell.

I kam zili Lazrit, jo pse u rikthye në jetë, por pse është i rrethuar nga njerëz që e duan deri në derdhje lotësh. Pse ringjallja e tij? Për lotët e Jezusit, për dashurinë e tij deri edhe në derdhje lotësh.

Edhe unë do të ringjallem, sepse edhe emri im është i njëjti; i dashur për jetë të jetës, sepse Jezusi nuk pranon të jetë i grabitur nga të dashurit e vet. Dashuria e mund vdekjen. Nëse Hyji është dashuri, të thuash Hyj është e njëjta gjë si të thuash ringjallje.

Lazër, dil jashtë! Del, i mbështjell me fasha si të ishte një i porsalindur, sikur të vinte përsëri në dritë. Ai do të vdes për të dytën herë, s’ka dyshim, por atij i hapet shpresa e madh, sepse tani e di se vdekja do të dorëzohet para jetës.

Zgjidhne dhe lëne të shkojë! Lirojeni të vdekurin nga vdekja e tij. Lironi njerëzit nga ideja e vdekjes si një fund i një personi. Çlirojeni, ashtu si zgjidhen fashat, le të zgjidhen nyjat e atij që është lidhur me vetveten. Lëne të shkoj, e pastaj dhuroni shokë, miq, pak lot e yllin polar.

Tre imperativ e tregojnë ringjalljen: dil, lirohu dhe shko! Sa herë isha i vdekur, isha i dorëzuar, më ishte mbaruar vaji i dritëzës, më ishte mbaruar dëshira për të dashur e për të jetuar. Në njëfarë shpelle të shpirtit një zë më thoshte: nuk më intereson më asgjë, as Hyji, as dashuria, as jeta.

Pastaj, fara filloi të lulëzojë, nuk e di pse: një shkëmb u zhvendos dhe hyri një rreze e diellit, një mik e çau heshtjen, lotët i lagën fashat e mia. Kjo ndodhi fshehtazi, në mënyrë të mistershme, për arsye mahnitëse të dashurisë: Një Hyji i dashuruar me miqtë e vet, që nuk i le kurrë në duar të vdekjes. (p. Ermes Ronchi)

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër, leximet e sotme janë një katekezë e vogël mbi vdekjen si bashkim me Krishtin e ngjallur. Ta thërrasim mbi ne fuqinë e Zotit për t’u ngjallur me të në jetën e re.  Të lutemi së bashku duke thënë:

Na jep jetën tënde, o Zot.

  1. Për Kishën, që të shpallë në botën tonë të tronditur mesazhin e Krishtit, duke hapur zemrën e shumë vëllezërve drejt shpresës, të lutemi
  2. Për burrat dhe gratë e kohës sonë, që të zbulojnë kuptimin e vërtetë të jetës dhe të lëshohen me besim në duart e Hyjit, të lutemi
  3. Për të krishterët, që të bashkohen me Krishtin në misterin e vdekjes dhe të ngjalljes dhe të ndihen të bashkuar me të sëmurët dhe të vuajturit, të lutemi
  4. Për ne këtu të pranishëm, që të jetojmë plotësisht mundimet e Zotit dhe të fitojmë një rritje besimi, shprese dhe mirësie, të lutemi

O Hyj, Ti që ke dërguar Birin tënd për të marrë mbi vete dhimbjen e botës, dëgjoji lutjet tona dhe, nëpërmjet fuqisë së Kryqit, jepi njerëzimit të vuajtur mundësinë për të kaluar pragun e shpresës që të bashkohet me Ty që je Dashuria. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Comments are closed.

« »