Inaugurohet objekti muze “Isha Selia Ipeshkvore e Kosovës” në Ferizaj

Apr 6 • Kisha në Kosovë

Të mërkurën në Ferizaj, është bërë inaugurimi i objektit muze “Ish selia Ipeshkvnore e Kosovës” në Ferizaj. Renovimi i këtij objekti është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinës, ndërsa e implementuar nga UNDP.

Ne ceremoninë e inaugurimit të objektit muze merrnin pjesë zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, përfaqësues të UNDP-së, kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, Imzot Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Kosovës, e përfaqësues të bashkësive fetare të Kosovës.
Kryetari i Ferizajit, Muharrem Svarqa, në fjalimin e tij ka thënë: “Është kjo një vepër shumë e çmuar, është një investim për të ardhmen më të mirë, për kultivimin e ndjenjës së këndshme që vjen nga diversiteti etnik, fetar e kulturor. Konsideroj se kultivimi i pranimit të diversitetit, si vlerë të qytetërimit modern, është porosia më e mirë e këtij investimi. Në vendin tonë janë shkaktuar vuajtje të panumërta, pikërisht nga mosdurimi ndaj diversitetit. Sepse një pjesë e njerëzve vendimmarrës në të kaluarën, e kishin rrënjosur urrejtjen, ose synimin për të dominuar të tjerët që kishin prejardhje etnike të ndryshme, bindje të tjera fetare ose politike dhe përkatësi tjetër kulturore. Në këtë vend, për fat të keq, janë vrarë e përndjekur njerëz për shkak se kanë qenë, ose kanë pasur besim e bindje të ndryshme nga ata që e kishin pushtetin ose forcën me vete. Sot jemi në shekullin 21 dhe urojmë që mendësive të tilla t’u ketë kaluar koha përgjithmonë.”
Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe Libor Chlad zëvendës shef i sektorit për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Andrew Russell koordinator i OKB-së për zhvillim dhe përfaqësues i përhershëm i UNDP-së në Kosovës.
Po ashtu fjalë rasti në këtë ceremoni kanë mbajtur edhe Vedat Sahiti nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës si dhe prifti Andrej nga Kisha ortodokse serbe, por edhe Rashit Qalaj, udhëheqës i operimeve në Policinë e Kosovës.
Ndërkaq ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergji, në fund të kësaj ceremonie ka falënderuar Bashkimin Europian dhe UNDP për realizmin e këtij projekti shumë të rëndësishëm fetar dhe kulturor për të gjithë.
Në fund të inaugurimit u bë vizitë Kishës Katolike, ish selisë së Ipeshkvisë tashmë e shndërruar në muze, vizitë tek xhamia e Mulla Vesel Gutës, si dhe kishën ortodokse “Shën Uroshi” në Ferizaj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »