Papa Françesku të rinjve: Jini rini gjithnjë në rrugëtim për ta përmirësuar botën!

Apr 6 • Bota e të rinjve, Kisha në botë

Papa Françesku përmes një videomesazhi iu drejtohet të rinjve në gjuhën spanjolle në përgatitjen për Ditën XXXII Botërore të Rinisë 2017.

Mesazhi i Atit të Shenjtë Françesku drejtuar të rinjve u shpall më 21 mars 2017, me thirrjen për t’u përgatitur shpirtërisht në nivelin dioqezan, pra vendor, për Ditën XXXII Botërore të Rinisë që do të kremtohet më 9 prill 2017, të Dielën e Larit, një javë para Pashkëve, mbi temën: “Punë të mëdha bëri për mua i Gjithëpushtetshmi” (Lk 1,49).

Sivjet, për ta përhapur sa më të shumë Mesazhin, Papa Françesku ka dashur t’ua paraqes mesazhin të rinjve të mbarë botës edhe përmes një video, ku përmend edhe disa tematika të dokumentit. Ati i Shenjtë Bergoglio i fton të rinjtë ta ndërmarrin udhën e përgatitjes shpirtërore, që do t’i çojë në kremtimin e ardhshëm ndërkombëtar të DBR-së, që është në program të mbahet në Panama nga data 22 deri më 27 janar 2019.

Më poshtë mund teksti i mesazhit në gjuhën shqipe i Papa Françeskut:

Të dashur të rinj,

me kujtimin plotë gjallëri të takimit tonë në Ditën Botërore të Rinisë 2016 në Krakov, kemi nisur udhëtimin drejt cakut të ardhshëm që, në dhashtë Zoti, do të jetë Panama në vitin 2019. Për mua  janë shumë të rëndësishme këto momente të takimit e të dialogut me ju, e kam dashur që ky itinerar të bëhej në përkim me përgatitjen e Sinodit të ardhshëm të Ipeshkvijve, që u kushtohet ju të rinjve.

 Në këtë udhëtim na shoqëron Nëna jonë, Virgjëra Mari, e na frymëzon me fenë e saj, me të njëjtën fe të cilën ajo e shpreh në këngën e saj të lavdërimit. Maria thotë: “Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm” (Lk 1, 49). Ajo di të falënderoi Zotin, që ka shikuar përvujtërinë e saj, vogëlsinë e saj, i vlerëson punët e mëdha që Ai i bënë në jetën e saj; e vihet në udhëtim për t’u takuar me kushërirën e vet Elizabetën, e cila është e moshuar dhe ka nevojë për afërsinë e saj. Virgjëra Mari nuk rri e mbyllur në shtëpi, sepse nuk është një grua-kolltuk që kërkon të rrijë rehat dhe e sigurt pa u shqetësuar nga askush e për askënd. Ajo nxitët nga feja, sepse feja është zemra e tërë historisë së Nënës sonë.

Të dashur të rinj, edhe juve Zoti ju vështron e ju thërret, e kur e bënë e sheh tërë dashurinë tuaj që jeni në gjendje ta ofroni. Si vajza e re e Nazaretit (Maria), mund ta përmirësoni botën, për të lënë gjurmë që e shënojnë rrjedhën e historisë, të historisë tuaj e të shumë  të tjerëve. Kisha dhe shoqëria kanë nevojë për ju. Me qasjen tuaj, me guximin që keni, me ëndrrat e idealet tuaja, shembën muret e imobilizmit  dhe hapen udhët që na sjellin në një botë më të mirë, më të drejtë, më pak mizore e më shumë njerëzore.

Gjatë këtij udhëtimi, ju inkurajoj ta kultivoni marrëdhënien familjare e miqësore me Virgjërën e shenjtë. Është Nëna jonë. Bisedoni me Te siç flitet me një Nënë. Me te, falënderojeni Zotin për dhuratën e çmueshëm të fesë që keni marrë nga të parët tuaj, e asaj besojani tërë jetën tuaj. Si një Nënë e mirë ajo ju dëgjon, ju përqafon, ua do të mirën, ecën me ju. Ju siguroj se nëse e bëni nuk do të pendoheni.

Shtegtim të mirë drejt Ditës Botërore të Rinisë 2019.

Zoti ju bekoftë.

Videomesazhi në origjinal spanjollisht: https://www.youtube.com/watch?v=XAKBdyfec8k

(Radio Vatikani & Drita)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »