Do të jeni dëshmitarët e mi!

Apr 10 • Këndvështrime

Nga Mons. Lush Gjergji

Duhet më tepër të dëgjohet Hyji se sa njerëzit. Hyji i etërve tanë e ngjalli Jezusin të cilin ju e vratë duke e gozhduar në kryq. Ky është ai, që Hyji me të djathtën e vet e lartësoi dhe e bëri Prijës e Shëlbues për t’i dhuruar Izraelit hirin e kthimit  e faljen e mëkateve. Për këtë ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha atyre që i nënshtrohen.” (Vap 5, 29-35)

Themelore nuk është në jetën tonë si flasim, çka themi, por si besojmë, jetojmë, duam dhe dëshmojmë Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë”. (Nëna Tereze)

Të jesh dëshmitar, të bësh dëshmi, domethënë t’i bësh pjesëmarrës edhe të tjerët, ata që nuk ishin të pranishëm në atë çka ne kemi parë, dëgjuar, zbuluar, përjetuar. Për fenë tonë të krishterë dëshmia është shumë e rëndësishme, vendimtare, themelore, para së gjithash sa i përket dëshmisë së të krishterëve të parë, e cila na ndërlidhë edhe ne me Krishtin, që dëshmon vdekjen dhe ngjalljen e Tij për shëlbimin tonë. (khs. DV 19)

Apostujt dhe nxënësit që kanë përjetuar për së afërmi këto ngjarje të rëndësishme të jetës së Jezusit (krhs. LG 19), vuajtjen, vdekjen dhe ngjalljen e Tij. Feja jonë në ngjalljen e Krishtit mbështetet mbi dëshminë e apostujve, të Biblës, të Shpirtit Shenjt dhe të Kishës gjatë shekujve.

Dëshmia domethënë jo vetëm predikimi, shpallja e vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, por aq më tepër, ta bëjmë Atë sot të gjallë dhe veprues. Si? Siç kanë bërë të krishterët e parë, apostujt, me dëshminë e fjalës dhe të jetës.

Feja jonë mbështetet mbi predikimin dhe dëshminë e apostujve, mbi atë çka ata kanë parë, dëgjuar, përcjellë për së afërmi, mbi përvojën e tyre të drejtpërdrejt: ata e komunikojnë dhe dëshmojnë të tjerëve, neve, jo vetëm me fjalë, por edhe me jetë, dhe edhe më shumë me vdekjen e tyre martire, duke flijuar jetën e tyre për të vërtetën e ngjallje, për Ungjillin e Krishtit.

Prandaj feja jonë është apostolike, e mbështetur, përkrahur, pjekur në rrahin e Kishës apostolike.

Përpos dëshmisë apostolike, rëndësi të madhe për Kishë që nga fillimi ka edhe dëshmia e Shkrimit shenjt, që paralajmëronte vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit, si burim të vetëm të shëlbimit. Këtë vlerë biblike të dëshmisë e vërteton edhe vetë Jezu Krishti, ku u tha nxënësve që shkonin për Emaus: “O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” E që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të”. (Lk 24, 25-27)

Vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit lidhet dhe ndërlidhet me planin shëlbimit, që ishte shpallur dhe përgatitur në Besëlidhjen e Vjetër.

Përpos dëshmisë së apostujve dhe Biblës, është edhe dëshmia e Shpirtit Shenjt, e cila, ndihmon, përkrah, frymëzon dhe përforcon këtë të vërtetë, duke e përcjellë me shumë mrekulli.

“Për këto ngjarje jemi dëshmitarë ne dhe Shpirti Shenjt, të cilin ua dha Hyji atyre që i nënshtrohen” (Vap 5, 32), që vërtetonte predikimin e apostujve, me dhurata  dhe praninë e Tij vepruese në Kishë. Efektet e pranisë së Shpirtit Shenjt në Kishë dhe të predikimit të apostujve, zgjon te dëgjuesit fenë. Ishin fakte dhe përjetime, ndodhi konkrete, vepër e Krishtit të ngjallur, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, që i trimëronte dhe përkrahte apostujt në jetën, predikimin dhe dëshminë e tyre. “Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh.” (Vap 4, 33)

Predikimi apostolik përcillej me shumë mrekulli dhe kthime: “Shumë shenja e mrekulli bëheshin prej apostujve në popull.. Dhe kështu, gjithnjë shtohej numri i burrave dhe grave që besonin në Zotërisë…. (Vap 5, 12. 14)

Dëshmia apostolike e Kishës së parë se Jezusi e ka mundur vdekjen, mëkatin, Djallin, domethënë se Krishti është i gjallë, ndër ne dhe për ne, duke ndërruar kështu në tërësi jetën tonë dhe fatin e njeriut dhe mbarë njerëzimit. Ajo është gurthemeli i fesë dhe bashkësisë së krishterë, e cila këtë të Vërtetë, Jetë, Risë shëlbuese e jetëson dhe dëshmon me fuqinë e Shpirtit Shenjt, me lindjen e Kishës, rritjen dhe përhapjen e saj në mbarë botën.

Shën Pali shkruan: “Dhe, sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do të rifitojnë jetën. Veçse, secili sipas radhës së vet: një herë fryti i parë – Krishti, pastaj, Ditën e Gjyqit, ata që i përkasin Krishtit, pastaj – mbarimi kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Hyjit Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo parësi, çdo pushtet e çdo fuqi.” (1 Kor 15, 22-23)

Jezusi nuk është në mesin tonë vetëm nëpërmes mësimit, porosisë, por edhe më tepër me praninë reale, jetën dhe dashurinë e tij në Kishë, në sakramente, duke na dhënë mundësinë për ndërrim të njeriut, familjes dhe shoqërisë. Të besosh pas ngjalljes së Krishtit domethënë: të pranosh se Jezu Krishti është Zot i vërtetë dhe Njeri i vërtetë, që ka vdekur dhe është ngjallur për ne dhe për shëlbimin tonë, që është i pranishëm, i gjallë dhe veprues, sidomos në bashkësinë e krishterë, në Kishë. Kjo domethënë se edhe ne kemi mundësi ta takojmë. Të jetojmë me Të, ta duam, ta dëshmojmë, dhe kështu ta arrijmë shëlbimin e amshuar.

Jezusi thotë: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta.: kush beson në mua, edhe nëse vdes, do të jetojë. Edhe kush jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë.” (Gjn 11, 25-26)

Kisha çmon dëshminë burimore të bashkësisë së parë të krishterë, si dhe jetën e tyre- shpesh edhe vdekjen martire për këtë të vërtetë, sepse kështu, thesari i veprës së shëlbimit nuk mbetet vetëm fakt historik, por është historia e shëlbimit për çdo njeri të çdo kohe dhe hapësire. Ky edhe është roli i Kishës në historinë e njerëzimit: ta bëjë Krishtin të gjallë dhe të pranishëm kudo dhe gjithnjë.

Roli burimor dhe i pazëvendësueshëm i fesë është dëshmia, e cila pastaj u dhurohet të tjerëve, të gjithëve. Në këtë këndvështrim biblik dhe kishtar edhe vetë Jezusi ka ardhur në botë për të dëshmuar TË VËRTETËN – ATIN (khs. LG 35), dhe ka kërkuar prej apostujve që ta bëjnë të njëjtën gjë: Prej Atit – për Birin (khs. Zb 1, 5) – në Shpirtin Shenjt, apostujve (krhs Gjn 20, 21), te bashkësia (khs. Gjn 17, 20), për Kishë deri me sot.

Koncili i Dytë i Vatikanit na mëson: “Nxënësit e Krishtit, duke qëndruar në kontakt të ngushtë me njerëzit në jetë dhe në veprimtari,kanë qëllimin kështu t’u japin atyre një dëshmi të përnjëmendtë të krishterë dhe të punojnë për shpëtimin e tyre, edhe aty ku nuk mund ta kumtojnë plotësisht Krishtin… Në këtë mënyrë njerëzit ndihmohen për të arritur shpëtimin nëpërmjet dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit.”(AG 12)

Veprat e bamirësisë dhe të dashurisë janë dëshmi e shkëlqyeshme për jetën e krishterë, kështu që besimtarët në zbatimin e ligjit të dashurisë, ndihmojnë vëllezërit dhe motrat, pa dallime dhe përjashtime, dhe i përgatisin dhe ua lehtësojnë veprën e shëlbimit.

“Veprimtaria njerëzore është e lidhur ngushtë edhe me natyrën njerëzore e me aspiratat e sa. Faktikisht Kisha, për vetë faktin se u kumton atyre Krishtin, ua zbulon njerëzve në mënyrë të natyrshme të vërtetën mbi gjendjen e tyre dhe mbi thirrjen e tyre të tërësishme… Krishti është e vërteta dhe rruga, që predikimi ungjillor u zbulon të gjithëve, duke i bërë ata të kuptojnë fjalët e thëna prej atij vetë: “Kthehuni e besojini Ungjillit.” (AG 8)

Çdo laik duhet të jetë para botës  një dëshmitar i ngjalljes dhe jetës së Zotit Jezus dhe një shenjë e Hyjit të gjallë.”(LG 38)

“Të gjitha fjalët tona do të jenë të padobishme , nëse nuk rrjedhin nga thellësia e zemrës, nëse nuk do të jenë të vërtetuara nga dëshmia e jetës… Prandaj qenësore nuk është ajo çka themi ne, apo si e themi, por si besojmë, jetojmë, duam dhe dëshmojmë Jezusin të tjerëve… Silleni Jezusin kudo që shkoni, u them gjithmonë motrave të mia, të them edhe ty, u them të gjithëve, kështu që të tjerët të mund ta shohin Jezusin në ne. Atëherë jeta jonë do të jetë tërësisht në shërbim të Zotit, Kishës, njeriut.” (Nëna Tereze)

(Nga Don Lush GJERGJI, Jeta Dashuria Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, fq. 183-186)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »