Shtatë veprimet që e neveritin Hyjin

Apr 11 • Këndvështrime

Nga Don Anton UKA

 

Besimtar i dashur, jemi në prag të festave të Pashkëve, kur çdonjëri prej nesh përgatitet në forma dhe në mënyra të ndryshme për kremtimin e kësaj feste të madhërishme. Më këtë meditim dëshiroj të të dhuroj një ndihmë shpirtërore dhe psikologjike për përgatitjen sa më mirë të sakramentit të Rrëfimit apo Pajtimit me Zotin, me të tjerët dhe me vetveten.

Pasi që vetëdijesimi për t’i përmirësuar dhe shëruar marrëdhëniet tona shumë herë të brishta dhe të sëmura nga egoja jonë dhe nga mëkati konsiderohet mënyra më e mirë e përgatitjes tonë të Pashkëve, si në aspektin shpirtëror ashtu edhe në atë psikologjik, po paraqes një skemë – propozim, që sipas mendimit tim, do të të ndihmojë shumë që t’i nxirësh në dritë ato gjëra të errëta që e karakterizojnë të menduarit dhe të vepruarit tënd.

Sipas librit biblik të Fjalëve të Urta, janë shtatë veprime që më së shumti e neveritin Hyjin: «sytë madhështorë, gjuha rrenacake, duart që derdhin gjakun e pafajshëm, zemra që sendërgjon synime të mbrapshta, këmbët e shpejta për të vrapuar në të keqen, dëshmitari i rremë që shpërndan rrena dhe njeriu që mbjell dasi ndër vëllezër» (Fu 6, 17-19).

 

1. Sytë madhështor – nënkuptojnë krenarinë e zemrës, apo më mirë të themi sjelljet dhe veprimet e atij person që e konsideron veten superior dhe më të rëndësishëm se të tjerët.

Dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes, përqendrimi i mendimeve dhe i preokupimeve mbi vetveten, injorimi i të tjerëve, mospasja kohë për tjetrin, mosgatishmëria për të ndihmuar të tjerët, nënçmimi i të tjerëve, mendimi se mëkatet e të tjerëve janë gjithmonë më të mëdha sesa të miat, të folurit keq për të tjerët…, të gjitha këto janë veprime që shprehin sytë madhështor apo krenarinë e zemrës. Ky është një veprim që e neverit Hyjin për dy arsye: nga njëra anë, krenaria nuk i lejon personit të jetojë si bir i Hyjit; dhe nga ana tjetër, krenaria nuk e lejon bashkimin dhe solidarizimin me të tjerët, pra, krijon ndarje.

 

2. Gjuha rrenacake – Meqë e vërteta është pjesë përbërëse e natyrës hyjnore, me plotë të drejtë, Bibla dëshmon se Hyji e urren gënjeshtrën. Mjerisht, në botën dhe në mentalitetin në të cilin jetojmë, gënjeshtra konsiderohet normale. Shumë prindër e përdorin gënjeshtrën për t’i bindur fëmijët e tyre në dëgjesë. Shumë të martuar e gënjejnë njëri-tjetrin për t’i ikur konfliktit dhe moskuptimit. Shumë të rinj e gënjejnë njëri-tjetrin për të arritur qëllimin e tyre. Shumë të punësuar gënjejnë punëdhënësit e tyre për t’i ikur obligimeve dhe mos favoreve të ndryshme që mund të pësojnë. Shumë tregtarë përdorin gënjeshtrën për të shitur malli i tyre. Shumë mjek gënjejnë pacientët për të përfituar nga sëmundja e tyre. Shumë politikanë gënjejnë elektoratin për të arritur në pushtet, etj..

Të veprosh kështu domethënë të kontribuosh në krijimin dhe ndërtimin e një mentaliteti fals, të pasigurt, që njeriun nuk e liron, por, përkundrazi, e robëron edhe më shumë. Të jetuarit në falsitet apo në gjysmë të vërteta është në kundërshtim me të vërtetën hyjnore dhe njerëzore, për vetë faktin se veprimi nuk përputhet me qëllimin. Të vepruarit kështu, përgjithësisht, rrjedh nga fakti se njeriu është i tunduar dhe i prekur nga mëkati dhe nga autori i gënjeshtrës – Djalli; si dhe nga mentaliteti psiko-shoqëror i një kulture post-moderne që është i ndikuar dhe i ndërtuar mbi parimet e interesit.

 

3. Duart që derdhin gjakun e pafajshëm – janë duar që i urren Hyji. Në fakt Jezusi thoshte: nëse dora jote të qon në mëkat, preje (krh. Mk 9, 43-48). Ta derdhësh gjakun e pafajshëm, domethënë të vrasësh dikë që nuk meriton vdekjen.

Që nga historia e Kainit dhe Abelit ka filluar derdhja e gjakut të pafajshëm. Shkelja e të drejtave njerëzore (liria, pija, ushqimi, veshë-mbathja, shtëpia, ngrohja, kujdesi shëndetësor, shkollimi dhe edukimi), aborti, terrorizmi, lufta etj., të gjitha këto janë realitete që dëshmojnë se gjaku i pafajshëm, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të derdhet. Nga kjo kuptojmë se, derdhja e gjakut të pafajshëm nuk është vetëm vrasja fizike që njeriu mund t’ia shkakton njeriut, por, edhe shkelja e dinjitetit të tij është vrasje që derdh gjakun e pafajshëm. Në fakt Jezusi na paralajmëron: «Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit. Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!» (Mt 5, 21-24). Kështu që edhe të jetuarit në ndarje dhe urrejtje është derdhje e gjakut të pafajshëm.

 

4. Zemra që sendërgjon (bluan, mediton) synime të mbrapshta – Të bluash në zemër dhe në mendje synime të mbrapshta, domethënë të projektosh ndaj dikujt apo edhe ndaj vetvetes dëshira dhe plane që janë në kundërshtim me të vërtetën që buron nga Fjala e Zotit. Në fakt Jezusi thoshte: «prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet,kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër» (Mk 7, 21-23). Edukimi i zemrës dhe pastrimi i mendjes nga mendimet dhe imazhet e këqija (negative), nga shumë etër shpirtëror dhe psikolog konsiderohet njëra ndër sfidat më të mëdha të shoqërisë sonë moderne dhe të digjitalizuar.

Ndërtimi i jetës dhe projektimi i së ardhmes pa asnjë referim ndaj të përtejshmes, ndaj të shenjtës, ndaj të përjetshmes dhe ndaj të pavdekshmes, edhe kjo mënyrë e të ndërtuarit është synim i mbrapshtë që e urren Hyji, për vetë faktin se e zhvesh njeriun nga qëllimi për të cilin është krijuar: të jetoj për amshim – në pavdekësi.

 

5. Këmbët e shpejta për të vrapuar në të keqen – Si pasojë e mendimeve, meditimeve, planeve dhe dëshirave të mbrapshta të zemrës, vihen në lëvizje këmbët për ta realizuar atë të keqe të menduar dhe të projektuar më parë në heshtjen e zemrës. Edhe këtë veprim e urren Zoti!

Sa shumë këmbë njerëzish e marrin udhëtimin për të bërë të keqen? Ka këmbë njerëzish që udhëtojnë për të vepruar kundër Hyjit dhe të vërtetës së Tij. Ka këmbë njerëzish që shkojnë larg nga përzemërsia, ngrohtësia dhe dashuria e prindërve; shembulli më i mirë i kësaj është ai i djalit të humbur dhe i atit të mëshirshëm (krh. Lk 15, 11-32). Ka këmbë njerëzish që udhëtojnë për të vrarë. Ka këmbë njerëzish që marrin udhëtime të gjata, të fshehta dhe të turpshme për të kurvëruar apo tradhtuar dashurinë bashkëshortore. Ka këmbë njerëzish që ecin në pikë të natës për të vjedhur. Ka këmbë njerëzish që vihen në udhëtim për të dëshmuar rrejshëm.

Të gjitha këto udhëtime të njerëzve e neveritin Hyjin, për vetë faktin se asnjëri prej tyre nuk e realizon, nuk e plotëson dhe nuk e lumturon njeriun. Këto udhëtime i urren Hyji, sepse janë udhëtime të bëra në errësirë, ndërsa ne jemi të ftuar të ecim në dritën e Jezusit, i cili na garanton dhe siguron: «Unë jam drita e botës. Kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës» (Gjn 8, 12).

 

6. Dëshmitari i rremë që shpërndan rrena – Ndryshe nga ajo që thamë më parë për gjuhën rrenacake, këtu flitet për dëshmitarët e rremë që shpërndajnë rrena apo fjalë dhe dëshmi jo të vërteta.

Mjerisht ka shumë njerëz që përflasin për njerëzit e tjerë. Nganjëherë edhe ne vetë jemi protagonistë të këtij fenomeni djallëzor. Pse ndodh kjo gjë? Cilat janë arsyet kryesore apo motivet e thella, që nganjëherë futen në veprim edhe pa vetëdijen e plotë të njeriut, e nxisin dëshminë e rrejshme dhe shpërndarjen e rrenave? Disa mund të veprojnë kështu të nxitur nga madhështia, sepse duke vepruar kështu mendojnë se janë dikushi. Disa të tjerë e bëjnë për xhelozi, sepse nuk mund të jenë si ata, për të cilët përflasin. Disa të tjerë e bëjnë për inat, sepse duan ta prishin imazhin dhe famën e tjetrit. Disa të tjerë e bëjnë për urrejtje, sepse nuk duan ta shohin dhe ta pranojnë të mirën dhe mirësinë e tjetrit. Disa të tjerë e bëjnë sepse janë të pushtuar nga e keqja, për faktin se veset e përsëritura u janë bërë karakter, stil jete.

 

7. Njeriu që mbjell ndasi ndër vëllezër – Veprimi i fundit që e neverit Hyjin, gjithmonë duke u bazuar mbi atë që na thotë libri biblik i Fjalëve të Urta, është veprimi i njerëzve që krijojnë ndarje mes vëllezërve.

Mënyrat për të krijuar ndarje dhe përçarje mund të jenë të shumta dhe të ndryshme, Ato mund t’i ndajmë ato në veprime false dhe në veprime negative apo të gabuara. Veprimet false janë: shpifja, gënjeshtra, mashtrimi, tradhtia etj., ndërsa veprimet negative apo të gabuara mund të jenë: e vërteta e treguar në vend dhe në mes të njerëzve të gabuar, çiltëria infantile, mosrespektimi i dinjitetit të tjetrit, arsyetimi i ngutshëm dhe jo dobiprurës (shembull: shoqja i tregon shoqes se nuk shkon mirë me burrin, e shoqja e arsyeton të shoqen dhe i jep arsye asaj, pa e kuptuar mirë dhe thellë rrjedhojën se pse nuk shkojnë mirë ata mes vete; apo ndoshta për hatër dhe respekt të shoqërisë nuk ka guxim të jetë e sinqertë me të. Veprimet e tilla nuk e ndihmojnë personin, përkundrazi e fuqizojnë ndarjen mes burrit dhe gruas, pra mbjellin ndasi e jo bashkim. Mënyrat e të vepruarit kështu mund ti quajmë: solidarizim shkatërrues).

Nga kjo paraqitje kemi kuptuar se sytë madhështor, gjuha rrenacake, duart që derdhin gjak të pafajshëm, zemra që bluan synime të mbrapshta, këmbët që vrapojnë në të keqen, dëshmitarët e rremë dhe njerëzit që mbjellin ndasi, sipas fjalëve të psalmistit (krh. Ps 35, 12), krijojnë vetmi të shpirtit, pra, mbyllje, trishtim, thatësirë shpirtërore dhe psikologjike, dëshpërim, zhgënjim, e në disa raste mund të qojnë deri edhe në kriza depresive, patologji që mund të jenë fatale për njeriun. Duhet theksuar, po ashtu, se kemi të bëjmë me vetmi të shpirtit dhe të mendjes, atëherë, kur kjo gjendje shpirtërore dhe psikologjike e njeriut nuk prodhon fryte pozitive, pra, nuk jep fryte të mira, siç mund të jenë: gëzimi, stimulimi, vullneti, dëshira, entuziazmi, besimi, vetëbesimi, shpresa etj..

Shpërndaje

Comments are closed.

« »