Imzot Dodë Gjergji të rinjve: Ju jeni fytyra e re e Kishës!

Apr 12 • Kisha në Kosovë

Të shtunën, më 8 prill 2017, në vigjiljen e të Dielës së Larit, u mbajt takimi tradicional dioqezan i rinisë së Ipeshkvisë së Kosovës. Katedralja Nënë Tereza në Prishtinë ishte zbukuruar nga fytyrat e gëzuara e të entuziazmuara  të të rinjve të Ipeshkvisë sonë, që me devotshmëri e gëzim, ishin tubuar nga të gjitha famullitë e Kosovës, për të festuar takimin dioqezan të rinisë, të bashkuar rreth bariut të tyre shpirtëror, për të dëshmuar se janë pjesë e një familje gjithnjë të re, e përkushtuar shpirtërisht në rrugën e përngjasimi te Jezusit.

Këtij takimi i parapriu dëshmia e thirrjes së seminaristit të dioqezës sonë, Marjan Topallit, i cili na shpalosi një përvoje të  mrekullueshme të bukurisë së thirrjes së Zotit. Në fund të dëshmisë, duke qenë  falënderues e mirënjohës ndaj Zotit për bujarinë e dhuratës së thirrjes, Marjani tha se fjalët njerëzore nuk janë në gjendje ta përshkruajnë këtë gëzim që e jetoj, sepse kjo dhuratë e tejkalon pafundësisht njeriun. Prandaj, uroj që çdo i ri të bashkëpunojë dhe t’i hapë zemrën Jezusit, për t’iu përgjigjur menjëherë dhe bujarisht thirrjes së Tij. Pas dëshmisë, pasoi mesha e shenjtë, të cilës i priu Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me një numër të madhe të meshtarëve, që i kishin shoqëruar rininë e famullive të veta.

Të dashur të rinj, ju jeni fytyra e re e Kishës sonë, gjallëria dhe ardhme e saj,  tha Mons. Dodë Gjergji. Mos kini frikë t’i përgjigjeni thirrjes së Zotit, sepse edhe juve Zoti ju vështron e ju thërret, e kur e bënë këtë, e sheh tërë dashurinë tuaj që jeni në gjendje ta ofroni – ky ishte thelbi i mesazhit të homelisë së ipeshkvit, e cila po ashtu u bë thirrja nxitja që Ipeshkvi që ju drejtua të rinjve të Kishës sonë.

Moment shumë i bukur gjatë meshës ishte edhe pranimi i shërbesës së Akolitatit të seminaristit Marjan Topallit, dhe Kisha me këtë hap të rëndësishëm ia beson përgatitjen e tryezës eukaristike me një zell dhe dashuri të madhe, në mënyrë që çdo ditë ta thelloi besimin në praninë e Jezusit Eukaristik dhe në dhurimin e vetvetes për të tjerët.

Në mbarim të meshës ipeshkvi i bekoi rrembat e ullirit dhe ju dhuroi përfaqësuesve të rinisë së famullive, simbolin e të dielës së larit, që përfaqëson pikërisht turmën e gëzuar që e përshëndetnin Jezusin, duke hyr në Jerusalem si mbret. Edhe rinia e Kosovës, është ajo që merr pjesë në turmën e gëzuar që e pret dhe e përshëndet Zotin tonë Jezu Krishtin.

Pas Meshës pasoi edhe pjesa e dyte i këtij takimi rinor që u realizua në ambientet e Qendrës Don Bosko, ku të rinjtë patën mundësin t’i paraqesin Ipeshkvit dhe përgjegjësit të Baritores Rinore të Ipeshkvisë: propozimet, gjërat e mira, jo të mira, mangësitë, që kanë të bëjnë me realitetin tonë Kishtar. Dhe për ta dëgjuar më për së afërmi këtë rini, u ndamë në gjashtë grupe të ndryshme diskutimi të udhëhequr nga Ipeshkvi dhe një meshtar, murgeshë dhe katekistë/e  dhe iu ofruam të rinjve mundësin për të diskutuar në grupe rreth këtyre temave: Si ta bëjmë Kishën më entuziaste? Imazhi juaj për Kishën. Roli i të rinjve në Kishë (Famulli). Çfarë prisni më shumë nga Kisha?  Pengesat të cilat nuk ju lejojnë të jepni më shumë prej vetës. Meshtari në mesin e të rinjve. Dhe pas një angazhimi dhe pune të frytshme në grupe, u paraqiten para Ipeshkvit dhe përgjegjësve baritor shume ide, kërkesa, propozime, për të mirën e të rinjve tanë.

Mund t’i theksoj disa propozime, kërkesa që kanë të bëjnë me: organizime të shpeshta të këtij niveli, iniciativa bashkëpunuese ndërmjet famullive, takime të ndryshme të nivelit shpirtëror, edukativ, argëtues etj, bashkëpunimi i meshtarëve me të rinjtë, kujdesi i veçantë ndaj të varfërve… e shumë të tjera.

Dhe për ta përfunduar këtë ditë kaq të bukur, u përkujdes në mënyrë të jashtëzakonshme me një zë të mrekullueshme një anëtare e të rinjve të famullisë së Bishtazhinit duke kënduar live  dhe bëri që rinia gjithnjë të brohoriste e të duartrokiste gjatë këtij interpretimi.

Teksti: Don Daniell Markprekaj

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”49″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »