Porosia e Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit për Pashkë 2017

Apr 14 • Editorial, Kisha në Kosovë

Meshtarëve, rregulltarëve e rregulltareve,

vëllezërve në fe dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë

 

 “Paqja me ju!” (Gjn 20, 19b)

 

 

Fort të dashur,

po ju drejtoj fjalën time, si gjithmonë për festa, për të bashkëndarë me ju porosinë e saj dhe për t’ju përcjellë ngushëllim ungjillor të gjithëve. Ne, jemi të bijtë e zgjedhur të Zotit tonë Jezu Krishtit, burimit të dashurisë dhe të paqes ndërmjet njerëzve, këndej, dëshirojmë që me njerëzit vullnetmirë, me të cilët bashkëndajmë barrën e jetës, sakrificën e përditshme dhe të ardhmen e përbashkët, ta ndajmë edhe gëzimin tonë shpirtëror, frytet e paqes dhe shërbimin me dashuri, ndaj vëllezërve në nevojë.

Festa e Pashkëve është momenti më i mirë për të hapur zemrat tona drejtë njeri-tjetrit, sepse është festa e paqes dhe e pajtimit, ku mëshira dhe dashuria ngadhënjejnë mbi çdo të keqe dhe ku vdekja mori përgjigjen e fundit nga i Ringjalluri.  

Shkrimi i Shenjtë na bie shumë episode të ndryshme të përvojës së apostujve me Krishtin e Ringjallur. Një nga to, është dëshmia e Shën Gjonit apostull: “Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”(Gjn 20, 19).  Sa herë që Kisha kremton Pashkët dëshiron të konfirmojë se e mbanë në gjirin e saj paqen e Krishtit, dhe i fton të gjithë njerëzit që të bëhen bijtë dhe bijat e paqes. Me fuqinë e fesë, ne që besojmë, vazhdojmë të dëgjojmë jehonën e kësaj përshëndetjeje edhe sot. Me të njëjtën përshëndetje: ”Paqja me ju”, Krishti i Ringjallur, vazhdon ta përshëndes popullin tonë dhe gjithë njerëzimin.

Pas gjithë asaj që kishte ndodhë në Kalvar, ku dukej se kishte ngadhënjyer e keqja mbi të mirën, inati i të padrejtit mbi të pafajshmin, dhuna mbi paqen, jeta mbi vdekjen dhe gjykimi i pushtetit tokësor mbi drejtësinë e Zotit, nxënësit me të drejtë pyetnin njeri-tjetrin: Ç’është kjo përshëndetje? Përgjigja ishte vet i Ringjalluri, që në mendjen dhe zemrën e nxënësve të vet hoqi trishtimin e  Kalvarit dhe e mbolli fitoren e të Kryqëzuarit. Po, edhe neve, natyrshëm na imponohet pyetja: E çfarë paqe iu dëshironte Jezusi nxënësve të vet? Ose çfarë kumti paqeje po jep sot për ne Kisha? Në radhë të parë, ajo e mbjell paqen në zemrën e secilit prej nesh, dhe të çdo njeriu në botë, sepse tek zemra e njeriut fillon lufta dhe pikërisht aty përjetohet dhimbja e trishtimi i pasojave të saja. Prej brendisë së zemrës së njeriut buron çdo e keqe. (khs. Mk 7,21). Po aty, gjejmë dhuntitë e shpirtit dhe hiret e të Ringjallurit dhe nga aty vihet në vepër dashuria. Aty ndodhë pajtimi dhe falja, aty pastaj mbretëron paqja e vërtetë dhe e përhershme.  

Ditët para se të kryqëzohej Jezusi, shtresat elitare të fesë, pushtetit dhe ligjit në Jerusalem i kishte kapluar frika dhe tmerri, pasi që Ai thoshte se është Mesia dhe pasi mësimet e tija kishin depërtuar në zemrat e varësve të tyre. Të njihej dikush si Mesi, për popullin e zgjedhur, do të thoshte që atij i takon nderi dhe pushteti, se para tij do të përkulet çdo gjuhë e çdo komb… pushteti i tij duhej të shtrihej mbi popullin e zgjedhur, mbi kryepriftërinjtë e Izraelit, mbi skrëbet e farisenjtë, mbi pleqtë e këshilli i lartë, por edhe mbi vet Herodin… Kjo dukej për ta një kërcënim ekzistencial, prandaj natyrshëm kaploheshin nga frika, pasi që do të mbeteshin pa pushtet, pa lavdi, pa pasuri, pa nderime dhe pa ndikim. Të frikësuar kërkonin argumente për ta vrarë. Dhe si për ironi, gjetën argumentin se ai po e prishte paqen, që u bë shkaku i vrasjes së tij, me varje në kryq. Në të vërtetë, ata nuk e bënin këtë nga dashuria për “paqen e tyre tokësore”, por nga frika se do të humbnin pozitat e nderimit, lavdisë e pushtetit që gëzonin.

Ringjallja e të kryqëzuarit dhe përshëndetja e Tij “Paqja me ju”, është përgjigja më e fuqishme që i është dhanë frikës, mëkatit, dhunës, padrejtësisë, gjykimit të Judenjve dhe gjyqit të Pilatit, po edhe vet vdekjes. Ringjallja e Zotit tonë Jezu Krishtit, u bë dëshmi e përhershme, që rezistenca e të drejtëve garanton fitoren kundër çdo superfuqie dhe se dashuria e të Kryqëzuarit është më e fuqishme se çdo urrejtje.

Ai mësoi që fusha e vërtetë e betejës, ku përballet e mira dhe e keqja, dhuna dhe paqja, trishtimi dhe gëzimi, është zemra e njeriut: «Prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija» (Mk 7,21). Në predikimet e veta, këmbëngul që dashuria e Hyjit është e pakushtëzuar dhe njeriu mund t’i përgjigjet asaj me besnikëri. Ai kërkonte nga nxënësit e vet që t’i duan armiqtë, (khs. Mt 5,44), kur dikush t’i sulmoj t’ia kthejnë faqen tjetër (khs. Mt 5,39), po edhe natën para mundimit i urdhëronte Pjetrit që të fuste shpatën në mill (khs. Mt 26,52). Kulmi i dëshmisë së Tij ishte britma e fundit nga Kryqi “fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë” (Lk 23,34). Këndej, Shën Pali deri sa iu shkruante Efezianëve dëshmonte se “Përnjëmend Ai është Paqja jonë (Ef 2,14a). Nisur nga e gjithë kjo, kemi të drejtë të shpallim me ngulm, që paqja e vërtetë është ajo që burimin e vet e ka në drejtësinë e Zotit. Ajo është e mundur vetëm nëse i nënshtrohet kërkesës së Krishtit, për duresë deri në fund, dhe për falje pa kushte.

Motra dhe vëllezër, kanë kaluar shumë vite, prej kur paqja është e garantuar nga ata që e ndalën luftën, por kjo nuk do të thotë që ne jemi duke jetuar në paqe, pasi që ajo s’ka depërtuar akoma në mendjen dhe në zemrën e secilit. Këndej, edhe kemi shumë pasoja të dhimbshme, siç janë: individë, të cilët nuk mund të përballojnë mungesën e paqes në zemër dhe vendosin të vetëvriten; familje, që nuk arrijnë të kultivojnë paqen brenda gjirit të vet dhe vendosin të divorcohen, e rrjedhimisht, t’i dënojnë fëmijët e tyre që të jetojnë e të rriten të vetmuar; grupe, të atyre që u angazhuan të ndalin luftën e s’arrijnë të kuptojnë, që me të njëjtat metoda nuk mund të kultivojnë paqen; përfaqësues të shoqërisë dhe të pushtetit, duke qenë që s’arrijnë të sigurojnë paqe për të gjithë, akuzojnë njëri-tjetrin për mungesën e saj brenda nesh. Nuk mungojnë edhe ata që kanë frikë nga vetë paqja, e kjo i bënë të jenë në konflikt me të kaluarën… Thënë me pak fjalë, duket se, qëkur ndër ne mungon lufta, e kemi përdorë kohën për t’i shpallë luftë vetës tonë. Përdorimi i lirisë për të kultivuar urrejtjen ndaj tjetrit, s’është gjë tjetër veçse mungesë e dashurisë. Këndej, sikurse s’ka pajtim pa falje, ashtu as paqe dhe liri të vërtetë pa dashuri.

Njerëzit jetojnë në ankthin e luftërave, disa për shkak se i përjetojnë e janë pjesë e tyre, e disa nga frika që ajo do të fillojë e do të bëhen pjesë e saj. Po edhe tek ne, akoma pa u shuar krejtësisht ankthi dhe trishtimi i luftës së fundit, përditë e më shumë po rritet rreziku nga terrorizmi. Prandaj, të gjithë jemi të thirrur që të punojmë për paqe mes njerëzve dhe të mos pushojmë kurrë duke mësuar nga dëshmia e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur. Nuk duhet të pushojë asnjëri prej nesh për të promovuar tolerancën ndërfetare dhe ndërvëllazërore, sepse vetëm kjo do të jetë shpëtimi ynë. Po edhe bashkësia fetare shumicë, nuk duhet të heshtë e as “të struket në pafajësinë e vetë”, por duhet të tregojë më shumë kreativitet dhe guxim për të shëruar këtë plagë të trupit saj.  

Kisha, nga ana e vet, e vetëdijshme për gjithë këtë, dëshiron të jetë pranë çdo personi që vuan në zemër mungesën e paqes. Atij i ofron mësimin e Krishtit, përvojën e Kishës, shembullin e shenjtërve, dëshminë e martirëve; e çdonjërit ia shtrin dorën e saj për ta shoqëruar në ushtrimin e dashurisë ndaj tjetrit, si vëlla e si motër, e sidomos atyre njerëzve në nevojë apo atyre që janë të braktisur nga të gjithë.

Vëllezër dhe motra, çdonjëri prej nesh ka të drejtë të ketë frik nga lufta, por askush nuk duhet të ketë frik nga paqja, e sidomos nuk duet të ketë frikë nga Krishti dhe Kryqi tij, pasi është burim i paqes së vërtetë. Prandaj, vëllazërisht dua të grish secilin prej jush, me fjalët e Shën Françesku: «Paqen që kumtoni me gojë, e paçi edhe më të bollshme në zemrat tuaja».

Në fund të porosisë sime për festën e sivjetme të Pashkëve, me gjithë zemër ju shtrij dorën e urimit të gjithëve duke e përcjellë atë me përshëndetjen e të Ringjallurit: Paqja qoftë me ju! Ajo mbretëroftë në zemrat e të gjithëve, në familjen e secilit në Vendin tonë dhe në botën mbarë.

Për shumë mot Pashkët!

 

Imzot Dodë GJERGJI

Ipeshkëv i Kosovës     

Shpërndaje

Comments are closed.

« »