Ç` do të doje të “(ri)ngjallet” në jetën tënde?

Apr 15 • Meditimi i ditës

15 prill 2017 – E SHTUNJA E MADHE, Momenti i shenjtë – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: BV: Zan 1,1–2,2 (ose 1,1.26-31a); Zan 22,1-18 (ose 22, 1-2. 9a.10-13.15-18); Dal 14,15 – 15,1a; Is 54,5-14; Iz 55,1-11; Bar 3,9-15.32 – 4,4; Ez 36,16-17a.18-28; BR: Rom 6,3-11; Ps 118,1-2.16ab-17.22-23; Mt 28,1-10)

 

Prania e Hyjit

Do të ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time. 

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet me qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje. 

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Rim 6, 3-11

 

3 Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. 6Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit , 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. 10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin! 

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kjo ditë mund të jetë një “ditë e pa mëkat.” Në mes të vdekjes, të premten, dhe ngjalljes, të dielën, është dita kur në jetë të re ngrihet “un-i i vdekur.” Çfarë do të doja që në jetën time të “(ri)ngjallet”? Ndoshta jotoleranca, padurimi ndaj të tjerëve, mërzitja, monotonia dhe ngurrimi për të thënë uratë, për t’u lutur, mospërfillja ndaj të varfërve …?
  • lutje me sinqeritet të vërtetë kërko atë që dëshiron që në ty “të ringjallet”.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë nuk di ç` do të thosha në takimin tim me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »