Përse nuk bien këmbanat në Katedralen Nënë Tereza të premten dhe të shtunën para Pashkëve?!

Apr 15 • Opinion

Lajmi i hedhur dje nëpër mediat tona, se në Katedralen Nënë Tereza nuk kanë ra këmbanat, duke e ndërlidhur atë me gjendjen “alarmuese” nga organet e sigurisë së Kosovës, disa e kanë marrë si masë organizative e disa me buzë në gaz për painformimin nga ana e medieve për traditën e Kishës Katolike.

Heshtja e këmbanave, nuk ka të bëjë aspak me gjendjen e tanishme apo diçka që do të ndjellte shqetësim, por me kremtimin e treditëshit pashkvor – që fillon nga mesha e të Enjtes së madhe deri tek mesha e Vigjiljes së Pashkëve, që është traditë e kremtimeve për të shprehur misterin e asaj që të krishterët kremtojnë.

Të krishterët në mbarë botën kanë epiqendrën e kremtimeve liturgjike dhe të jetës shpirtërore Treditëshin e Pashkës dhe veçanërisht kremtimin e Vigjiljes Pashkvore. Gjatë këtyre ditëve besimtari kremton, sodit dhe jetëson misterin e shëlbimit. Duke iu kushtuar lutjes, agjërimit, meditimit, lëmoshës, si një shtegtar, ai udhëton drejt takimit me Krishtin e Ringjallur. Kjo është koha qendrore liturgjike, më e rëndësishmja e vitit. Në këto ditë kremtohet  mundimi, vdekja dhe ringjallja e Krishtit. Ajo fillon me Meshën e të Enjtessë Madhe dhe përfundon me po me Meshën e Shenjtë të dielën e Pashkës.

Të Enjten e Madhe përkujtohet themelimi nga Jezusi i Eukaristisë së Shenjtë dhe i meshtarisë ministeriale. Domethënës, gjatë këtij kremtimi, është gjest i larjes së këmbëve, ashtu si ka bërë vetë Jezusi me nxënësit e vet. Në botën e lashtë ishin skllevërit që ua lanin këmbët zotërinjve të tyre. Duke e bërë Jezusi këtë gjest apostujve të vet, paraqitet si shërbëtor për dashuri. Kjo na kujton se fryti i takimit me Krishtin dhe i kremtimit të Eukaristisë është shërbimi. Në fund të Meshës, së kësaj dite të madhe, besimtarët shpërndahet në heshtje.

E Premtja e Madhe është ditë agjërimi dhe lutjeje. Kisha sodit mundimin dhe vdekjen e Jezusit, me sy të drejtuar nga Ringjallja. Ndërsa kujtohen mundimet e Krishtit, zemra jetësohet plot shpresë nga gëzimi i fitores mbi vdekjen që vjen nga domethënia e kryqit, që është simbol dhe burim jete.

E Shtuna e Madhe është dita e heshtjes dhe e pritjes. Kisha është në pritje, Zoti i saj do të Ringjallet. E gjithë kjo pritje fokusohet në shpalljen e Ringjalljes gjatë Vigjiljes solemne të Pashkës.

Shenjë e kësaj pritjeje është edhe heshtja e kambanave. Në Javën e Madhe, tingulli i kambanave ndjek një procedurë të saktë: për herë të fundit bien gjatë Meshës së Enjtes së Madhe, deri në momenti e Sanctus; nga ky moment ato heshtin për të kënduar përsëri gjatë Meshës së Vigjiljes së Pashkës në momentin kur këndohet Gloria.

Koha për besimtarin nuk është një kronos, por një kairos. Një tendosje e shpirtit që ka fillimin dhe plotësinë e saj në Hyjin. Nuk është një rutinë monotone, por një hapësirë e mbushur me praninë e Zotit të kohës. Këtë ia kujton besimtarit edhe zëri i kambanave. Gjatë tërë vitit e drejton drejt misterit të madh: Pashkës. Aty ku qielli dhe toka takohen. Kambana me zërin e saj zgjon ndërgjegjen e besimtarit, e mban atë vigjilente dhe të kujdesshme. Njëkohësisht është për të edhe melodi gëzimi dhe hareje sepse i kujton se nuk është vetëm, dhe se koha e tij është e shënuar nga prania e vazhdueshme e Hyjit.

Për këtë, në ditët që vetë Zoti hesht, kur vullnetarisht pranon mundimet, kryqëzimin dhe vdekjen duke dhënë jetën në këmbim të jetës sonë, edhe ato heshtin. Kambanat, në të gjitha Kishat e botës, e ruajnë zërin e tyre për të shpallur lajmine gëzueshëm të Ringjalljes së Krishtit gjatë Meshës së Shenjtë në Vigjiljen e Pashkës. Zëri i tyre lajmëron se terri, që kishte mbuluar botën me vdekjen e Jezusit, u mund nga Drita, Zoti fitoi mbi vdekjen dhe botës iu dhurua jeta. /Rev.Drita/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »