Pashkët në Kosovë u kremtuan me mesazhin e paqes, që e sjell Krishti i Ringjallur!

Apr 19 • Kisha në Kosovë

Pashkët – Ringjallja e Jezu Krishtit, festa qendrore dhe kulmore e të krishterëve, është kremtuar në të gjitha Kishat e Kosovës, duke e shpallur mesazhin ungjillor të paqes dhe të dashurisë së Krishtit të Ringjallur të gjithë njerëzve vullnetmirë.

Kumti i Pashkëve dhe mesha qendrore në Vigjiljen e Pashkëve u kremtua në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, i kryesuar nga bariu i Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me vëllezër meshtar, i bashkuar me popullin e Zotit, mysafirë vullnetmirë e dashamirë të Kishës. Në këtë meshë tradicionalisht pagëzohen kandidatët e rritur që janë përgatitur gjatë një viti në ecjen e tyre katekumenale.

Imzot Doda, në homelinë e tij në Vigjiljen e Pashkëve, që është vigjilja e të gjitha vigjiljeve, duke i përshëndetur të gjithë të pranishmit në Katedrale dhe shikuesit e shumtë që e ndjekin meshën përmes ekraneve televizive, ju tha se i përqafon me dashurinë e Krishtit të Ringjallur, princit të paqes dhe burimit të dashurisë, duke shtuar se sivjet po i festojmë Pashkët me gëzim në këtë Katedrale, pasi sivjet po përgatitemi për të festuar Shugurimin e Katedrales, në një vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, që do të jetë me 5 shtator 2017.

“Në fillim të kësaj meshe, kemi bekuar zjarrin që simbolizon dashurinë e zjarrtë të Krishtit për ne. Dhe, sikur e kemi ndezë qiriun e Pashkëve me flakën e zjarrit, po me të njëjtën flakë çdo mund të ndezë kandilin e shpirtit vet në prushin e kësaj dashurie dhe nën shkëlqimin e kësaj drite, të ndriçoj errësirën e shpirtit vet,  të sheh udhën e jetës dhe gjurmët e të Ringjallurit, gjatë këtij udhëtimi. Të pagëzuarit,  deri sa shtegtojnë në rrugën e shpëtimit,  nuk pushojnë kurrë duke bërë vepra të mëshirshme dhe  shërbesë dashurie ndaj gjithë njerëzve, bashkudhëtarë dhe pjesëmarrës në fenë – ecjen pashkvore, që përshkon të jetuarit tonë, kalon nëpër vdekje dhe shpien në jetë, të cilën na e dhuron i Ringjalluri” – tha bariu i Kishës në Kosovë.

Pas shpalljes së kumtit pashkvor, theksimit të rëndësisë që ajo ka për Kishën dhe secilin veç e veç, Imzot Doda e risjelli në vëmendje porosinë e tij të lëshuar dy ditë para Pashkëve, që zakonisht ju drejtohet besimtarëve e gjithë njerëzve vullnetmirë me rastin e festave. Ai tha se sivjet ka zgjedh për temë të porosisë së tij përshëndetjen e të Ringjallurit “Paqja me ju!” (Gjn 20,19b), sepse ka dashur të theksoj se paqja e vërtetë është dhuratë prej Krishti të kryqëzuar dhe të Ringjallur. Është paqja e Zotit,  e cila ndryshon zemrat e gjithë njerëzve – theksoi Imzoti – dhe shtoi se atë e kemi pranuar ne të krishterët në pagëzim, e do ta marrin sonte edhe katekumenët e përgatitur për pagëzim. Porse, këtë dhuratë të Zotit duami me gëzim ta bashkëndajmë me njerëzit vullnetmirë, me të cilët bashkëndajmë edhe barrën e jetës, sakrificën e përditshme dhe të ardhmen e përbashkët. Kështu do të mund të edukohemi e të jetojmë në paqen e vërtetë, do t’iu ikim veseve që e prishin paqen, e që shpeshherë gjatë këtyre viteve ajo është dukur dhe jeton në shoqërinë tonë. Paqja është e mundur, nëse do të lejojmë që Zoti të na e dhuron, e përmes saj të bëhemi të aftë në paqen e vërtetë, të braktisim prirjet e urrejtjes, terrorizmit apo çdo ekstremizmi tjetër. Paqja arrihet me duresë, me pajtim e falje, duke e pasur gjithnjë model figurën e Jezusit.

Ipeshkvi preku edhe disa pika aktuale të gjendjes së sotme në vendin tonë dhe apeloj që të angazhohemi të gjithë për të arrirë paqen e vërtetë, të gjithë pa dallim: pushtetarë, grupe, bashkësi fetare e individë. “Sot, pothuaj se e gjithë bota jeton në ankthin e luftërave, disa për shkak se i përjetojnë e janë pjesë e tyre e disa tjerë, nga frika që ajo do të fillojë nesër – tha Imzot Gjergji. Po edhe tek ne, akoma pa u shuar krejtësisht ankthi dhe trishtimi i luftës së fundit, përditë e më shumë po rritet rreziku nga terrorizmi. Prandaj, askush nuk mund të jetë i përjashtuar, sepse të gjithë jemi të thirrur, që të punojmë për paqe mes njerëzve dhe të mos pushojmë kurrë duke mësuar nga dëshmia e Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ringjallur. Nuk duhet të pushojë asnjëri prej nesh duke promovuar tolerancën ndërfetare dhe dashurinë ndërvëllazërore, sepse vetëm kjo do të na shpëtoj të gjithëve. Po edhe bashkësia fetare shumicë, nuk duhet të heshtë e as “të struket në pafajësinë e vetë”, por duhet të tregojë më shumë kreativitet dhe guxim për të shëruar këtë plagë të trupit saj.  Kisha, nga ana e vet, e vetëdijshme për gjithë këtë, dëshiron të jetë pranë çdo personi që vuan në zemrën e vet mungesën e dashurisë dhe të paqes. Atij i ofron mësimin e Krishtit, përvojën e Kishës, shembullin e shenjtërve, dëshminë e martirëve; e çdonjërit ia shtrin dorën e saj për ta shoqëruar në ushtrimin e dashurisë ndaj tjetrit, sidomos atyre njerëzve në nevojë apo atyre që janë të braktisur nga të gjithë. Askush nuk duhet të ketë frik nga paqja, e sidomos nuk duhet të ketë frikë nga Krishti dhe Kryqi tij, pasi është burim i paqes së vërtetë. Prandaj, vëllazërisht dua të grish secilin prej jush, me fjalët e Shën Françeskut: «Paqen që kumtoni me gojë, e paçi edhe më të bollshme në zemrat tuaja». Në fund në këtë natë tejet të shenjtë të Pashkëve, me gjithë zemër Ju dëshiroj që në ju të veproj dashuria dhe paqja e vërtetë! Ajo mbretëroftë në zemrat e të gjithëve, në familjen e secilit, në Vendin tonë dhe në botën mbarë.” – përfundojë homelinë dhe mesazhin e vet Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Në ditën e Pashkëve, ipeshkvi kremtoi meshën në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren, në Selinë e vjetër të Kishës sonë, kurse në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, në praninë e shumë besimtarëve dhe miqve, meshën e kremtojë Don Fatmir Koliqi, famullitari i Prishtinës në bashkëmeshim me Don Daniell Markprekaj, zv/famullitarin. Në fund të meshës Katedralja e Prishtinës ndau vezë të Pashkëve fëmijëve të pranishëm, si dhuratë modeste për festë.

Në mbrëmje të së dielës, si zakonisht Ipeshkvi organizon Pritjen për urimin e Pashkëve në Rezidencën e tij, ku i pretë besimtarët, personalitetet e vendit, pjesëtarë ndërkombëtarë e të gjithë ata që duan të bashkëndajnë gëzimin e festës. /Drita/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »