Festa e Shën Gjergjit në Famullinë e Stubllës

Apr 24 • Kisha në Kosovë

Festa liturgjike e Shën Gjergjit, që kremtohet me 23 prill, u kremtua në Famullinë e Stubllës. Ky shenjtë shumë i respektuar dhe i dashur për popullin tonë shqiptar, tradicionalisht festohet edhe në Stubëll, tek “kisha e vjetër” siç quhet nga besimtarët vendit, e cila ka për pajtor shenjtin, por gjithashtu e njohur si kisha e Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë, me mësuesin dhe meshtarin e njohur Dom Mikel Tarabulluzin.

Mesha e shenjtë u kremtua në ora 11:00, në praninë e besimtarëve të famullisë së Stubllës, që janë besimtarë shumë të devotshëm ndaj këtij shenjti dhe nga famullitë përreth. Meshës i priu Rektori i Shenjtërores së Zojës së Letnicës, Don Marjan Lorenci, në bashkëmeshim me famullitarin e Stubllës Don Jeton Thaqi.

Në predikimin e tij të rastit Don Marjan Lorenci foli për figurën e Shën Gjergjit, virtytet e tija të larta të krishtera, rëndësinë e jetës së tij si model për të krishterët sot, që të jenë gjithnjë kërkues të të mirës e të shmangin të keqen me guximin e fesë. Predikuesi i nxiti besimtarët që të marrin shembull nga jeta dhe vepra e tij për të dëshmuar përkatësinë shpirtërore që na e ka dhurua Jezusi. Shën Gjergji gjithnjë ka frymëzuar popullin e kësaj famullie për një stil jetë autentike të krishterë.

Në këtë meshë u kujtua me lutje edhe meshtari i devotshëm i Stubllës, Don Gjergj Gjergji, i cili vjet ka kaluar në amshim papritmas e që për një kohë të gjatë ka shërbyer në këtë kishë. /Anton Gjergji/

[wonderplugin_gallery id=”51″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »