Shën Gjergji festohet në Famullinë e Budisalcit

Apr 24 • Kisha në Kosovë

Festa e Shën Gjergjit (23 prill) u kremtua solemnisht në Famullinë e Budisalcit, në kishën famullitare që i kushtohet shenjtit. Meshën e festës e udhëhoqi Don Franë Sopi, famullitar i Pejës, në bashkëmeshim me famullitarin e Budisalcit, Don Ndue Ballabani, famullitar i Klinës Don Lenc Sopi, famullitar i Zllakuqanit Don Izak Dodes dhe Atë Shjefën Dodes, jezuit, edukator në Gjimnazin Loyola në Prizren.

Në praninë e shumë besimtarëve të Lugut të Drinit, Don Franë Sopi, predikatari i kësaj feste, i cili shërben thuajse një gjysmëshekulli në këtë pjesë të ipeshkvisë sonë, kujtoi ngjarje të rëndësishme të qëndresës dhe të vazhdimësisë së krishterë të kësaj treve, e cila me mund e djersë ka sfiduar ndeshtrashat e kohërave të vështira. Në fakt, ashtu si në të gjitha Kishat shqiptare edhe të krishterët e Lugut të Drinit, pasardhës të krishterimit apostolik, kanë ditur që ta mbajnë të gjallë fenë, të rezistojnë kohërave të këqija e sikur Shën Gjergji, martir, ta dëshmojnë përkatësinë e tyre, kur ka qenë nevoja edhe me gjak. Sepse, kjo Kishë gjithnjë ka qenë në anën e njerëzve, grigjës e nuk e ka braktisur kurrë. Ai përmendi Shën Gjergjin të jetë ndërmjetësi i madh i të gjithë besimtarëve që e lusin, pasi edhe ai ka flijuar vetveten për të vërtetën e fesë.

Festa e Shën Gjergjit është pajtori i kësaj Famullie dhe për çdo vit nuk mungon pjesëmarrja e shumtë e besimtarëve të devotshëm të shenjtit, që vijnë nga vendet e ndryshme të Lugut të Drinit. /D/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »