Jezusi dëshiron të ma mbajë shpresën gjallë

Apr 25 • Meditimi i ditës

25 prill 2017 – E marte, Shën Marku, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: 1Pt 5,5b-14; Ps 89,2-3.6-7.16-17; Mk 16,15-20)

 

Prania e Hyjit

Gjatë qëndrimit tim këtu pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,
ai i jep jetë jetës sime dhe çdo gjëje që më rrethon.
Do të qëndroj në heshtje një moment,
dhe do të bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë e Hyjit.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me shpresë, me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe me të marrit vesh; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mk 16, 15-20

 

15 Dhe u tha:

“Dilni në mbarë botën e predikojani Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet.

17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë gjë që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen.” 

19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin. 

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Do ta lus Zotin që këtyre Pashkëve të mund t`i lë të gjitha ato gjëra që nuk më çojnë në jetë. Do të mendoj edhe sesi më shpëton pagëzimi dhe ma tregon drejtimin e ri në jetë.
  • Jezusi dëshiron të më shpëtojë nga të gjitha ato gjëra që mund ta shkatërrojnë shpresën dhe fenë time. Do të lus për ndihmë që t`i shmangem çdo lloj “demoni”, “gjarpërinjsh” apo “helmesh” që më bëjnë person më pak të vlefshëm se që më dëshiron Zoti.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »