At Pjeter Meshkalla S.J: Nanë, ktheju!

Apr 26 • Kulturë, Letërsi

NANË, KTHEJU ! 

Si shkambi n’për rrymë të shekujve,
muret qendrojnë jetike
ngulun për rranzë temeleve,
të Rozafës sonë Kreshnike.

 

Dhe sot, qe feja nipave
shpresët e të Parëve ndritoi,
le të shkruhet mbi balle të mureve:
«Nanës, që na vorfënoi!».

 

Njasajë, që’i ditë prej sulmeve
të Kulçedres me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nêmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.

 

Njasajë… por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak
e Nanës i u randue zemëra,
iku edhe e la këte prak!

 

O ju, që parzme hekuri
luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,

 

zgjonju nen rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e pamposhtuna
ç’u ba?… Si drita u shkim!!…

 

Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
– me gjamë kah thrret Shqipënia, –
s’do të ndrisë, si ndriti moteve
përbrinjë Rozafës… M a r i a?!

 

Tepër lenguem këso shtigjeve
si fëmija mbetë pa nanë,
për ne ma dritë nuk lëshuene
as hyj, as diell, as hanë!

 

Po a kurrë, ma kurrë s’do të ngrohemi?
pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë vallëja
do të ngeli, në terr kah dënesim?!

 

Jo, jo! pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
ka shkrue: «E Zojës asht Shkodëra,
e Zoja e Shkodrës së vet!»

 

Qe, ke ato mure të ndrituna,
– zemra m’a ndien, – që’i zani
Një populli në hov të galdimave,
tue brohoritë: “O ngâni!

 

Ktheu, N a n a!” O, ditë ma e bukra
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
në fe shenjte na vëllazno!

 

Shkodër, 1927. 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »