Festohet Zoja e Këshillit të Mirë në Famullinë e Klinës

Apr 26 • Kisha në Kosovë

Një ndër të festat më të dashura në popullin tonë shqiptarë është Festa e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtorja e Popullit Shqiptar.

Në Ipeshkvinë tonë, Zoja e Këshillit të Mirë kremtohet në mënyrë të veçantë dhe solemnisht në Famullinë e Klinës, në Lugun e Drinit, ku vitet e fundit është ngritur një kishë madhështore kushtuar asaj.  Për çdo vit, në ditën e festës më 26 prill, besimtarët e kësaj ane, e jo vetëm, ngarendin për ta nderuar dhe për t’u lutur me devotshmëri.

Edhe sivjet kjo festë u kremtua me hijeshi e përshpirtëri. Meshës solemne i priu At Aurel Gjerkaj, kustodi i Kustodies së Françeskajve të Shqipërisë, në bashkëmeshim me famullitarin e Klinës Don Lenc Sopi dhe meshtarë tjerë nga ipeshkvia jonë.

Në predikimin e rastit At Aureli kujtoj rëndësinë dhe rolin e Zojës në historinë e shpëtimit dhe praninë e saj të kamotshme në devotshmërinë e popullit tonë. Ajo nuk ka munguar – theksoj At Gjerkaj – te jetë Nënë që këshillon bijtë e bijat e saja në situata të ndryshme të jetës, e posaçërisht në çaste vuajtjesh e epoka historike që kanë ngjarë me kalvare të vërteta për Kishën dhe popullin tonë shqiptarë. Prandaj, këshillat e saja – tha At Aureli – janë të shenjta, të sigurta e të dashura, që e rrisin dhe e bëjnë të sigurtë jetën tonë. Ajo është Nënë e palodhur me këshillat e dashura për ne, kujdeset për ne ashtu si e tregojë kujdesin e saj në Kanë të Galilesë dhe ishte shkaktarja e mrekullisë së parë që e bëri Jezusi – ishin fjalët e predikuesit të festës.

Çdo vit vjen dita e festës së Zojës së Kishilit të Mirë, duhet të kujtojmë me përvujtëri e mallëngjim, se populli ynë ka ditur të mbështetet gjithnjë tek kjo Nënë e gjithnjë ka pranuar dhurata shpirtërore të paçmueshme. Ja pse ajo është zgjedhur të jetë Pajtorja e Jonë, e mbarë Popullit tonë, figura që na prinë e na shoqëron në jetë. Qëndrofshim përherë besnik e bijë e bija të denja të Saj, që të ndërtojmë një të ardhme të ndritshme krishterore.

Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, duhet të jetë një oazë freskie e vend këshillëmbarë në Vendin tonë, që frymëzohet prej Virgjërës Mari, modeli i dëgjimit, shërbimit dhe përkushtisë së Fjalës së Hyjit.

Zoja e Këshillit të Mirë, pajtorja e jonë, lutu për Popullin Shqiptar! /Drita/

[wonderplugin_gallery id=”54″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »