Ki guxim për të bërë vepra të vogla me dashuri të madhe!

Apr 28 • Meditimi i ditës

28 prill 2017 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 5,34-42; Ps 27,1.4.13-14; Gjn 6,1-15)

 

Prania e Hyjit

Vetëdijesohem se gjatë kohës së qëndrimit tim ulur, këtu dhe tani, Hyji më vështron me dashamirësi dhe dashuri
duke lejuar që të ekzistoj.
Do të ndalem një moment dhe do të mendoj për këtë.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 6, 1-15

 

1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.

5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit:
“Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?”

6 Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte.

7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.”

8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit:

9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?”

10 Jezusi u tha:

“Thuajuni njerëzve të ulen.”

Në atë vend kishte shumë bar.

U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën. 12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukësh elbi.

14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Është e natyrshme që të kalkulojmë dhe është e kuptueshme të ndiejmë që burimet që ndodhen në dispozicion nuk i përshtaten kërkesave. Do ta lus Zotin që të më ndihmojë kur jam më shumë i/e prirë nga dëshpërimi, që të më japë zemër dhe shpresë.
  • Një shujtë (ushqim) modeste që kishin pasur ka qenë e mjaftueshme. Do të lus që të kem guxim për të cilin kam nevojë që të rrezikoj kur jap edhe atë pakicë që kam.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se që unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »