MUZIKË KLASIKE/ Tingujt e muzikës klasike në Kishën e Llapushnikut

Apr 28 • Kisha në Kosovë, Kulturë

Dje, në kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik të Drenasit, u mbajt koncert i muzikës klasike me interpretime të autorëve të mëdhenj ndërkombëtar dhe kombëtar. Është i pari koncert, që Kisha e Llapushnikut bëhet nikoqire e artistëve dhe tingujve klasik, që nga shugurimi i saj, në tetorin e vitit të kaluar.

 

Koncerti është organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Drenasit, në kishën e re të Llapushnikut, e cila tash e disa muaj është bërë një tempull i vizituar nga të gjithë njerëzit vullnetmirë.

Me një program të pasur, për një orë, artistët interpretuan veprat e Gabriel Faure, Alfredo Catalani, Frederic Chopin, Giulio Caccini, Rexho Mulliqi, Çesk Zadeja, Tonin Harapi e Avni Mula. Programi i kësaj mbrëmje kulturore u interpretua mjeshtërisht nga Lule Elezi, piano, Antonio Gashi, violonçelo, dhe Adelina Paloja, soliste.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në fjalën e tij përshëndetëse, i falënderojë artisët për përgjigjen në ftesën për të mbajtur këtë koncert klasik, të parin në këtë Kishë, e për këtë dhuratë të ngrohtë kulturore. Këto takime kulture janë shtysa të Kishës sonë për të kontribuar në aktivitetet kulturore në dobi të qytetarëve të kësaj pjese.   

Në anën tjetër, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, shprehi kënaqësinë e bashkëpunimit me Ipeshkvinë e Kosovës dhe mundësinë e ngjarjeve të këtilla në Komunën e Drenasit. Kjo është një shenjtë – tha Lladrovci – se është i mundur bashkëpunimi dhe dialogu për të mirën e qytetarëve tanë.

Pas koncertit, për artistët dhe pjesëmarrësit, ishte përgatitur një koktej rasti për të bashkëndarë eksperiencën e bukur dhe të ngrohtë të kësaj mbrëmje kulturore. /Drita/

Fotografitë: Besim Ndau

[wonderplugin_gallery id=”56″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »