Qëndro me ne, o Zot!

Apr 29 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Pashkëve (A)

 

Leximi i parë   Vap 2, 14. 22-33

Lexim prej Veprave të Apostujve

Ditën e Rrëshajëve Pjetri bashkë me të njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha: “Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjoni fjalët e mia! Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusin Nazarenas – njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini, me anë të tij i bëri ndër ju – këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit, ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve. Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet. E njëmend, për të Davidi thotë: ‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh, sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem. Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime, po dhe trupi im do të pushojë me shpresë, sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet. Ti ma tregove udhën që shpie në jetë: në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’ Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne. Por ai, mbasi ishte profet dhe mbasi e dinte se Hyji iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hypte në fronin e tij, qysh më parë e parapau dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha: ‘Nuk qe lënë në nëntokë as trupi i tij nuk e provoi kalbësimin.’ Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë! E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori premtimin, Shpirtin Shenjt, dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni edhe ju vetë.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 16

Ref: Na e trego, o Zot, udhën e jetës

——————————————–

Më ruaj, o Hyj, sepse të kam rënë ndore! 

I thashë Zotit: “Ti je Zoti im,

tjetër të mirë nuk kam veç teje!”

Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota ime,

në dorën tënde është fati im!

————————————————–

E bekoj Zotin që më këshillon:

edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im,

mbarë trupi im pushon në qetësi.

————————————————–

Edhe trupi im pushon në qetësi,

sepse s’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,

as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhe.

————————————————–

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme në të djathtën tënde.

 

Leximi i dytë  1Pjt 1, 17-21

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, në qoftë se ju e quani atë Atë që pa krahambajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tija, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit! Dinie mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrue-shëm, argjend apo ar, por me gjak të pa-çmueshëm të Krishtit, Qengjit të patëmetë e të panjollë. Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj. Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.

Fjala e Zotit

 

Aleluja

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt,

dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.

Aleluja

 

Ungjilli Lk 24, 13-35

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Po atë ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat që quhet Emaus, që është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. Ata bisedonin njëri me tjetrin për të gjitha këto ngjarje. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. Ai i pyeti: “Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni ndër vete udhës?” Ata u ndalën të trishtuar e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, i përgjigji: “A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?” Ai i pyeti: “Po çka?”  Ata i përgjigjën: “Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto, sot është e treta ditë me që ndodhën këto ngjarje. Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën shi ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”  Ai u tha: “O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?” E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin shenjt për të. Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri kinse po vazhdonte udhën. Por ata iu vunë: “Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!” Dhe hyri që të rrijë me ta.  Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha. Atyre u hapën sytë dhe e njohën. Por ai u zhduk para syve të tyre. Atëherë i thanë njëri-tjetrit: “Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin shenjt?” U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. Të njëmbëdhjetët u thanë: “Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!” Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën.

Fjala e Zotit.  

 

Porosia

Përvoja e Pashkës është e vërtetë nëse e rijetojmë çdo të dielë. Pa Pashkën e së dielës nuk mund të quhemi e të jemi të krishterë.

“Po atë ditë, dy prej tyre po shkonin…”. Në ditën e ringjalljes Jezusi afrohet e ecën me dy dishepuj. Hapi i parë është gjithmonë i Jezusit që na vjen përballë në rrugën që përshkruajmë. I Ngjalluri nuk njihet nga të tijtë, sepse ata janë të penguar ta shohin nga zhgënjimi e nga humbja e çdo shprese, si shkak i kryqëzimit e i harrimit të fjalës së Jezusit. “Ata i përgjigjën: Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit…”.

Të dy përmbledhin ngjarjen historike të Jezusit, e quajnë profet, por nuk arrijnë të shpallin ngjalljen e tij. Shpresat e këtyre dy dishepujve janë varrosur në varr me vdekjen e Jezusit! “O të pamendë e të ngadalshëm që të besoni”, i qorton Jezusi. I quan të pamendë sepse nuk kuptojnë të vepruarit e Hyjit në histori. Shtegtari që në pamje të jashtme nuk dinte asgjë, shpjegon kuptimin e thellë të ngjarjeve nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

“Por ata iu vunë: Rri me ne se u bë natë” Tashmë i panjohuri ka arritur t’i japë një kuptim një tragjedie që dishepujt nuk e kishin kuptuar. Jezusi hyri për të qëndruar me ta: prania e të Ngjallurit me të tijtë nuk është më e përkohshme, por tashmë përfundimtare. Kur janë në tavolinë Jezusi thyen bukën e bëhet i njohur.

Pas dëgjimit të Shkrimit, vjen thyerja e bukës, domethënë Eukaristia, ku dishepujt mund të takojnë gjithmonë Jezusin e ngjallur.

 

Lutja e besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Zoti i ngjallur bashkëndan ecjen tonë dhe, si dishepujt e Emausit, hap mendjet tona drejt Shkrimeve. E thërrasim duke thënë:

 

Qëndro me ne, o Zot.

L. Mbështete, o Zot, Kishën tënde, që të jetë besnike e përhapjes së fjalës sate dhe e sakramenteve të tua, të lutemi.

L. Bëj, o Zot, që besimtarët të marrin Eukaristinë me besim dhe kështu “të ngihen” me Hyjin mbi këtë tokë, në pritje që të jenë të ngopur në lavdi, të lutemi.

L. Ec me ne, o Zot; bëj që kremtimet eukaristike të ngrohin zemrën tonë dhe nga ajo të mësojmë të vihemi në sjellje dëgjese dhe bamirësie ndaj vëllezërve, të lutemi.

M. Dëgjoji, o Atë, lutjet që të drejtojmë dhe na jep gëzimin të pranojmë Birin tënd në ecjen e jetës së përditshme, që të mund ta njohim dhe ta duam më shumë. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: E diela – dita e Zotit (www.ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »