Pjetërshani, kremton festën e Shën Jozefit Punëtor

May 1 • Kisha në Kosovë

Famullia e Shën Jozefit Punëtor në Pjetërshan të Gjakovës, me 1 maj, ishte nikoqire e të kremtes së pajtorit të saj, Shën Jozefit. E rrethuar me një peizazh mahnitës pranveror, Kisha e Shën Jozefit Punëtor, përgjatë ditës së hënë ishte vend shtegtimi i shumë besimtarëve, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltarëve, të cilët kishin shkuar, nga anë e kënd Kosovës, për ta kremtuar këtë festë, e cila, njëherit është edhe Dita Ndërkombëtare e Punës.

 

Në bashkëmeshim të vëllezërve meshtarë, të cilët kishin ardhur nga shumë famulli të Dioqezës së Kosovës, mesha e shenjtë e festës së Shën Jozefit u celebrua nga famullitari i Kishës së Zllakuqanit, Don Izak Dodes.

Gjatë homilisë së rastit, Don Izaku, ka folur për rëndësinë të cilën e ka dhe vazhdon ta ketë në historinë e Kishës Katolike Universale, e sidomos në jetën e secilit prej nesh, Shën Jozefi Punëtor, ati i Zotit tonë Jezu Krishit, që është edhe pajtori i të gjithë punëtorëve. Sipas Don Izakut,  Papa Pio XII, në vitin 1955 ka dashur që ta vlerësojë këtë ditë duke ja dhuruar botës, e në veçanti botës së punës, këtë shenjtë të madh.

Ndërsa, famullitari i Pjetërshanit, Don Marjan Ukaj, e ka falënderuar Don Izakun për celebrimin e meshës së shenjtë, si dhe të gjithë meshtarët, motrat e nderit dhe të gjithë besimtarët – shtegtarët që ishin të pranishëm në këtë eveniment solemn eukaristik. Në fund të meshës, Don Marjani, e ka falënderuar edhe “Radio Marinë” për transmetimin e drejtpërdrejtë të kësaj meshe. 

 

Teskti: Ardian Nikolla

Fotografitë: Besim Ndau

Shpërndaje

Comments are closed.

« »