KFOR-i Portugez dhuron Zojën e Fatimës Ipeshkvisë së Kosovës

May 2 • Kisha në Kosovë

 

Sot, në orët e paradites, KFOR-i Portugez, me rastin e kryerjes së misionit të tyre në Kosovë dhe kthimit në atdheun e tyre, ka dhuruar Imzot Dodë Gjergjit, ipeshkvit të Kosovës, truporen e Zojës së Fatimës, në shenjë bashkëpunimi dhe falënderimi disavjeçar në mes dy institucioneve.

 

Truporja e Zojës së Fatimës që kishte qëndruar për disa vite në Kapelën e ushtarëve të Kfor-it Portugez, iu dhurua Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, që të qëndrojë në Kishën tonë e të mbetet një lidhje shpirtërore mes dy vendeve, të vazhdojë të drejtohemi lutjet tona Virgjërës Mari – Zojës së Fatimës, e njohur për ndërmjetësime mrekullibërëse.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, duke e pranuar me gëzim këtë dhuratë të çmuar, ka shprehur falënderimin ndaj ushtarëve portugez, për punën e tyre dhe për ruajtjen e paqes në vendin tonë. Zoja e Fatimës do të jetë një lidhje e fortë shpirtërore mes nesh – tha Ipeshkvi – , e do vazhdojë të jetë Zoja këtu, që do të simbolizojë lidhjen tonë shpirtërore mes dy popujve tanë e dy kishave tona. Zoti e bekoftë punën e Juaj kudo që do të veproni në shërbim të paqes – u shpreh Imzot Dodë Gjergji.

Zoja e Fatimës, për popullin portugez ka rëndësi të veçantë, pasi që Zoja e Bekuar është shfaqur në Fatima të Portugalisë tre fëmijëve; Lucia dos Santos, Giacinta Marto dhe Francisco Marto. Shfaqja ka ndodhur më 13 maj 1917 në Cova da Iria, afët qytetit të Fatimas në Portugali. Në Fatima është ndërtuar një shenjtërore kushtuar Virgjërës Mari, për nder të këtyre shfaqjeve të Zojës, dhe është e njohur në gjithë botën si vend shtegtimi dhe lutjeje, e në veçanti për popullin portugez.

Dhurata e Zojës së Fatimas për Ipeshkvinë tonë ka rëndësi të veçantë, pasi ushtarët portugez kanë dhuruar simbolin e identifikimit të tyre shpirtëror, duke e shpreh afërsinë e madhe që kanë me kishën tonë në Kosovë.

Të kujtojmë se ushtarët portugez që në fillim të pranisë së tyre në Kosovë, kanë qenë bashkëpunëtorë të frytshëm në shumë fusha. /Drita/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »