Miqtë e Katedrales për Katedralen

May 12 • Uncategorized

Pse ky aksion?

Vjet, më 4 shtator 2016, në Vatikan, Papa Françesku e shpalli të Shenjtë Nënë Terezën. Kurse ne, në një vjetorin e shenjtërimit të saj, do ta shugurojmë Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Motoja e Ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, është: “Vjet në Romë – sivjet në Prishtinë”. Kjo do të thotë që sivjet do të kemi ngjarje të rëndësishme në Prishtinë, pasi që në një vjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të bëhet shugurimi i Katedrales, që i kushtohet kësaj bije të madhe të popullit tonë.

Sivjet mbushen plotë 10 vjet qëkur kanë filluar punimet e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë. Këtë vit, Ipeshkvia e Kosovës, synon të përfundojë punimet e parapara të katedrales, për të qenë gati për shugurimin e saj më 5 shtator 2017.

Për të arritur këtë qëllim, po punohet me intensitet të shtuar si brenda ashtu edhe jashtë saj.  Momentalisht, në brendësinë e saj po kryen shtyllat, janë në punim bankat, e disa punë dekorative, kurse në proces pune është veshja e jashtme me gurë traventin dhe mermer, nga kompania “Monte Cassino”, Itali. Ipeshkvia e Kosovës ka shpreh vullnetin e vet që t’iu drejtohet miqve të Katedrales për të marrë pjesë në përfundimin e punimeve. Me këtë rast, ajo dëshiron të hap krahët e vet për t’i pranuar të gjithë njerëzit vullnetmirë, që t’i bashkohen asaj, pa marrë parasysh besimin. Kjo nismë vjen edhe pas kërkesave të njerëzve vullnetmirë gjithandej trojeve shqiptare, që të mund të jenë pjesë e ndërtimit të Katedrales, që është “përmendorja e përmendoreve” kushtuar Nënë Terezës.

Duke e marrë parasysh këtë vullnet të njerëzve dhe me qëllim të përfshirjes sa më të madhe në këtë vepër shpirtërore dhe kulturore, Fondacioni “Drita” në bashkëpunim me Famullitarin e Katedrales kanë ra në ujdi për të filluar aksionin për të regjistruar Miqtë e Katedrales, me qëllim të krijimit të një miqësie Shën-Tereziane në vendin tonë, e cila do të vazhdojë të jetojë edhe në vitet pas përfundimit të ndërtimit të Katedrales.

 

Bëhu edhe ti një nga miqtë e Katedrales Nënë Tereza

Katedralja Nënë Tereza, qysh para se të fillojë të ndërtohet ka krijuar miq e simpatizantë. Miqtë e parë ishin ata që e mbështetën idenë dhe vullnetin e Imzot Mark Sopit, Presidentit Ibrahim Rugovës, Don Shan Zefit e shumë e shumë të tjerëve, që e kanë dëshiruar një Katedrale në Kryeqytetin tonë, kushtuar bijës së popullit tonë Nënë Terezës, sikur i gjejmë në qytetet europiane.

Pastaj janë ata miq, të cilët e kanë mbështetur ndërtimin e saj dhe ata që e kanë mbështetur gjatë ndërtimit me autoritet, me punë dhe me lëmoshë. Sigurisht, besimtarët katolikë janë ndërtuesit Katedrales, por nuk ka munguar mbështetja e shqiptarëve nga të gjitha besimet dhe nga të gjitha trojet.

Tani, duke qenë që jemi në fazën finale të ndërtimit, Katedralja dhe udhëheqësit e saj, dëshirojnë ta shtrijmë rrjetin e miqve me qëllim të krijimit të miqësisë tereziane në vendin tonë, e cila do të jetë e vazhdueshme edhe pasi të kryen punët e ndërtimit. Kjo lidhje miqësie do të bashkëpunojë në vazhdimësi për të krijuar një kulturë tereziane, e cila do të kontribuojë për një të ardhme më të mirë të të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim. Udhëheqësit e Katedrales dëshirojnë të krijojnë mundësinë e vazhdueshme, që sa herë që do të shihet e nevojshme të ndërhyhet për veprat e mëdha të dashurisë për njeriun, shoqërinë dhe popullin tonë, të mund t’iu drejtohen miqve të vet për bashkëpunim dhe përkrahje.

Me këtë qëllim, çdo 26 gusht, që është ditëlindja e Gonxhes sonë dhe Dita e Bekimit të Gurthemelit të Katedrales, do të ftohen miqtë për të festuar së bashku dhe për të filluar aktivitetet e përvjetshme për nder të Nënë Terezës – “ Ditët e Shenjtës Nënë Tereza” – që do të zgjasin deri me 5 shtator, në festën liturgjike të saj.

 

Revista jonë DRITA dhe bashkëpunëtorët e saj, e kanë përqafuar këtë aksion dhe angazhohen të bëjnë promovimin e saj, duke i ftuar të gjithë njerëzit vullnetmirë dhe përkrahësit e shpirtit Shën-Terezian të regjistrohen për t’u bërë pjesë e një aksioni dashurie, bamirësie e humaniteti në Vendin tonë.

Për informacione më të detajuara, lexoje broshurën e aksionit në formën PDF, të cilën e gjeni në këtë aplikacion.

Kliko mbi foto për ta lexuar të plotë

Miqtë e Katedrales për Katedralen
*
*
*
 - 
*
*

Shpërndaje

Comments are closed.

« »