Përshpirtëria e Nënë Terezës: Lutja dhe meditimi i Rruzares

May 13 • Këndvështrime

 Nga Mons. Lush Gjergji

 

“Të falem, O Hirplote! Zoti me ty!” (Lk 1, 28)

“Maria, në shenjën e Lajmërimit, paraqet modelin e vërtetë si duhet të jetojmë, sepse para së gjithash ajo ka pranuar Jezusin në jetën e saj me dashuri dhe me fe… Po-ja e Marisë ishte thënë me buzë dhe me zemër.” (Nëna Tereze)

 

Lutja e Rruzarës ka lindur si përshpirtëri popullore e 150 Të falemi Mari, në vend të 150 psalmeve të Davidit. Ky zhvillim historik, ka zanafillën mes shekujve XII dhe XIV, me traditë që të lutej Të falemi, Mari, në shekullin XII. Mirëpo, përshëndetja e engjëllit është në Ungjill, prandaj njihet që nga fillimi i krishterimit. Vetëm në shekulli VII kjo uratë është pjesë e liturgjisë në të dielën e IV të kohës së Ardhjes, me theksim marian, si përgatitje për Kërshëndella.  Hap pas hapi, urata Ati ynë dhe Të falemi, Mari, kishte zëvendësuar në kuvende psaltirin për ata që nuk dinin shkrim – lexim. “Shenjta Mari” dhe “Amen” janë shtuar më vonë. Kjo uratë qe botuar në breviarit apo Lutjen e Orëve, në vitin 1586 të Papës Piu V.

Lutja e Rruzares në 150 njësi ndahej në tri pjesë të barabarta, si edhe breviari, për mëngjes, mesditë dhe mbrëmje. Enrico di Kalkari e ndau rruzaren në 15 njësi apo dhjetëshe, duke e shtuar në mes të dhjetësheve edhe uratën Ati ynë. Më vonë lutja e rruzares ishte përpunuar edhe me shtimin e mistereve apo shenjave, duke medituar mbi fshehtësitë dhe të vërtetat themelore të fesë së krishterë, gjithnjë në lidhje të ngushtë dhe në bashkëpunim mes Jezusit dhe Marisë në misterin e shëlbimit.

Domenico di Prussia, në vitet 1410-1439, kishte përpunuar më tej Rruzaren, duke e ndarë në 50 Të falemi Mari, dhe duke ia shtuar misteret apo shenjat në çdo dhjetëshe të kësaj urate, si një lloj psaltiri marian.

Përhapja e uratës së Rruzares ishte mbi të gjitha vepër e Shën Domenikut (1170-1221) dhe Alano de la Roche (1428-1478), duke e quajtur edhe Rruzarja e së Lumes Virgjër, dhe duke i përdorë përfundimisht shenjat e mishërimit, mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit dhe lavdinë e Zojës Mari.

Domenikani Alberto de Castello ka reduktuar misteret apo shenjat në 15 njësi që duhet medituar gjatë lutjes së rruzares.

Papa Piu V, në vitin 1569 me bullën “Consueverunt romani Pontifici” përfundimisht  e ka vërtetuar dhe caktuar mënyrën e tashme të lutjes së rruzares, duke e quajtur atë “uratën më të mirë të meditimit.”

Në lutje të rruzares, Ati ynë, Të falemi, Mari, Lavdi Atit, dhe duke medituar misteret e jetës, vdekjes dhe ngjalljes së Jezu Krishtit, përmblidhet vepra e shëlbimit, që si protagonist ka Jezu Krishtin, në bashkëpunim me Nënën e Tij, Zojën Mari.

Kardinali Newman ka thënë: “Rruzarja është feja që shndërrohet në uratë.” Kështu është krijuar një sintezë e mrekullueshme mes Trinisë së Shenjt – Lavdi Atit (khs. Mt 28, 19), uratës së Jezusit, Ati ynë (khs. Mt 6, 9-14), Të falemi, Mari (khs. Lk 1, 28-29). “Shenjtja Mari” është urata e Kishës, e të gjithë neve. Mu për këtë, edhe pse urata e rruzares është mariane, ajo është kristocentrike. Papa Piu V thotë:“Rruzarja, siç e dinë të gjithë, është një mënyrë e shkëlqyeshme e uratës meditative, që përbëhet prej: Ati ynë, Të falemi, Mari, Lavdi Atit, duke u gërshetuar me shenjat e fesë tonë, kështu që na paraqitet në mendjen tonë pamjet dhe drama e mishërimit dhe shpërblimit të Zotërisë.”

Papa Piu XII thotë: “Lutja e Rruzares është sinteza e Ungjillit, meditimi i mistereve të Zotërisë, flijim mbrëmësore, kurora e trëndafilave, himn lavdie, uratë e familjes, përmbledhje e jetës së krishterë, peng i sigurt e të mirave qiellore, pararojë për pritjen e shëlbimit.”

Lutja e Rruzarës është uratë meditative, kontemplative mbi të vërtetat themelore të fesë. Koncili Dytë i Vatikanit thotë: “të çmojnë shumë praktikat dhe ushtrimet e përshpirtërisë ndaj saj, të porositura gjatë shekujve prej magjisterit të Kishës”. (LG 67)

 

Në të parin shenjë të gëzimit, të mendojmë se Virgjëra Mari qe përshëndetur prej  Engjëllit Gabriel se do ngjizte dhe lindte Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë.

Ati e dërgon Birin për virtyt të Shpirtit Shenjt, ndërsa Maria, në emër të saj, por edhe të mbarë njerëzimit, thotë Po-në e madhe. Lajmërimi, vazhdon gjatë shekujve, sepse Zoti, nëpërmjet Kishës, dëshiron që të vijë Lajmi i Mirë te çdo njeri i çdo kohe. Edhe ne, si Maria jemi të ftuar ta dëgjojmë dhe pranojmë Jezu Krishtin me gëzimin e Zojës Mari, me fe, dashuri, falënderim, bashkëpunim në planin e shëlbimit.

Maria, në shenjën e parë të gëzimit, paraqet Kishën, njerëzimin, që i drejtohet asaj: “lutu për ne mëkatarët!”. Kisha, si bashkësi e besimtarëve dhe nxënësve të Krishtit, sot e mishëron dhe ia dhuron botës Jezusin, me anë të sakramenteve, sidomos në Eukaristi. A jemi të vetëdijshëm dhe përgjegjës ndaj Fjalës së Zotit? A pranojmë ne vullneti e Zotit vetëm me fjalë, apo edhe me zemër, me tërë qenien tonë?

 

Në të dytin shenjë të gëzimit të mendojmë se Virgjëra Mari shkoi të takohet me shenjtën Elizabetë dhe ndenji me të tre muaj,

Maria e bart Lajmin e Mirë – Jezusin, duke dashur të ndihmojë dhe të jetë në shërbim të saj. Ky udhëtim së shpejti shndërrohet në dërgim. Feja, nëse është e vërtetë, është gjithmonë  dërgim dhe shërbim, takim, jetë që na është dhuruar për t’ua dhuruar të tjerëve, të gjithëve.

Zoja Mari në udhëtim paraqet Kishën në ecje kah njerëzimi i çdo kohe dhe hapësire. Ne duhet ta pyesim vetveten: si është ky takim – ballafaqim mes Kishës së botës? A jemi ne dëshmitarë burimor të së Vërtetës, risisë, Zotit në botën e sotme, siç ishte Virgjëra Mari? Atë e thirri Zoti që të ishte Nëna e Jezusit, dhe fill pas kësaj që dërguar te Elizabeta. Feja, dhuratat e Shpirtit Shenjt, nuk na janë dhënë vetëm neve dhe për ne, por edhe në shërbim të tjerëve, sipas shembulli të Marisë, e cila klithë “punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm –  i shenjtë është Emri i tij.” (Lk 1, 49)

Është e pamundshme jeta me Zotin, për Zotin dhe mos të jemi krijues, të frymëzuar, të ftuar dhe të dërguar te tjerët, mos të zgjojmë tek ata dridhjen e thellësisë së shpirtit, siç ndodhi mes Marisë dhe Elizabetës. Një takim i thjeshtë mes dy grave shndërrohet në takim dhe dëshmi feje dhe përvojë hyjnore.

Maria nuk e kishte pranuar Jezusin vetëm për vete, por kishte dhuruar me gatishmëri çka kishte pranuar – Jezusin…. Ne nuk jetojmë dhe nuk punojmë për askënd tjetër, por vetëm për Zotin. Duke punuar dhe shërbye të tjerët, të varfrit ndër më të varfër, ne e duam, shërbejmë dhe u komunikojmë atyre Zotin, si bëri Maria me Elizabetën.” (Nëna Tereze)

 

Në të tretin shenjë të gëzimit, meditojmë lindjen e Jezu Krishtit në shpellën e Betlehemit.

Rrethanat e lindjes së Jezu Krishtit janë vërtet të pazakonta, tejet të çuditshme, në një shpellë, nga një Virgjër… Në hijen e këtyre fakteve, është gjithnjë Shën Jozefi, që pati një detyrë tejet të vështirë, “të pamundur”, si babë, edhe pse babë nuk ishte, duke u bërë kështu shembull i lartë i dëgjesës, fesë dhe dashurisë. Marisë i qe kërkuar a është e gatshme ta pranonte planin e shëlbimit, ndërsa Shën Jozefi i qe shpjeguar ky plan në ëndërr, atëherë kur mendonte ta braktiste Marinë fshehtazi. (khs. Mt 1, 18-25)

Shembull i vetëm: të jesh në  gatishmëri të plotë të Zotit dhe të njerëzve edhe në rrethana tejet të vështira.

“Ta pranojmë Jezusin, siç e ka pranuar Maria, ta ruajmë siç bëri Shën Jozefi, të bëjmë që ta njohin të tjerët, siç bënë të dytë në familjen e Nazaretit… Familja e Nazaretit është shembull i vetëm i shenjtërisë, dashurisë dhe harmonisë. Familja sot është në krizë, sepse mungon Zoti, urata, bashkimi, se prindërit nuk jetojnë më me përgjegjësi dhe dashuri dërgimin e babës apo  nënës.” (Nëna Tereze)

 

Në shenjën e katër të gëzimit të mendojmë paraqitjen e Jezusit Fëmijë në Tempull të Jerusalemit.

Ky veprim ka tri domethënie: rrethprerjen e fëmijës, pastrimin e nënës pas lindjes dhe paraqitjen e të paralindurit, sipas Ligjit të Moisiut.

Me rrethprerje fëmija bëhej anëtar i Popullit të zgjedhur, merrte emrin. Me ritin e pastrimit bëhej edhe paraqitja në tempull, sepse Jezusi ka ardhur për t’i shpëtuar të gjithë dhe për të krijuar një popull të ri, Popullin e Zotit – Kishën. Ky dërgim qe zbuluar dhe shpallur nga Simoni dhe profetesha Ana.

Çdo kungim është takim dhe bashkim me Jezusin. Edhe ne duhet Atë ta njohim në hosten e shuguruar, ta duam dhe ta shpallim, siç bëri Simoni dhe profetesha Ana, edhe pse Jezusi fshihet nën trajtën e hostes, , si fshihej nën trajtën e një fëmije të rëndomtë.” (Nëna Tereze)

 

Në të pestën shenjë të gëzimit të mendojmë gjetjen e Jezusit dymbëdhjetëvjeçar në Tempullin e Jerusalemit.

Mendja njerëzore kurrë nuk mund t’i kuptojë planet e Zotit (khs. Lk 2, 60). Shi për këtë, Jezusi i tha Marisë dhe Jozefit: “A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” (Lk 2, 49) Ai është ne Tempullin e Atit të vet, ndërsa ata e kërkonin të trishtuar. Jeszusi, nuk e pranon “skllavërinë” e askujt, as atë të Marisë dhe të Jozefit dhe shi për këtë thotë: a nuk e dinit… Ai nuk është vetëm Biri i tyre, por, para së gjithash Biri i Hyjit, prandaj duhet të jetë i dëgjueshëm dhe t’i nënshtrohet Atit, siç duhet të jenë edhe ata, të gjithë ne. Dëgjesa ndaj Zotit shprehet dhe tregohet sot nëpërmjet dëgjesës dhe përkatësisë ndaj Kishës katolike.

Njerëzit kënaqën kur i shohin motrat tona në shoqëri me Marinë, me rruzare në dorë, gjithnjë të gatshme ta shpallim Lajmin e Mirë të gjithëve. Lutuni si lutej Maria, sepse ajo i ruante të gjitha në shpirtin e saj, nëpërmjet uratës, meditimit, dhe vazhdon t’i ruajë si ndërmjetëse e të gjitha hireve.” (Nëna Tereze)

 

(Marr nga libri: Don Lush GJERGJI, Jeta, Dashuria, Dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, DRITA, 2016, f. 139-143)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »