Siguria e vërtetë në zemrën e Krishtit

May 14 • Meditimi i ditës

14 maj 2017 – E diela 5-të e Pashkëve – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 6,1-7; Ps 33,1-2.4-5.18-19; 1Pt 2,4-9; Gjn 14,1-12)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në ekzistencën time.
E kundroj praninë e Hyjit, i cili gjithmonë është pranë meje me dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lus që t`i lejoj
që të ndikoj në të jetuarit tim, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

Lus për hirin e shenjtë
që t`i harroj brengat e mia,
që të jem i hapur ndaj asaj çka Hyji kërkon prej meje,
që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po ndihem sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj pa u ngutur,
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Pushoj në njërën apo tjetrën fjalë që më ushqen shpirtërisht.

 

Gjn 14, 1-12

 

1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!
Besoni në Hyjin
edhe në mua besoni!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.
Po të mos kishte, a do t’ju thoja:
‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?
3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,
do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,
që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”
5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”
6 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.
Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.
7 Nëse më njohët mua,
do ta njihni edhe Atin tim.
Që tani e njihni
dhe e keni parë.”
8 Filipi i tha:
“Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!”
9 “O Filip ‑ i tha Jezusi ‑ kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende?
Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin.
Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’
10 Po a nuk beson
se unë jam në Atin e Ati është në mua?
Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes:
Ati që banon në mua i kryen veprat e veta.
11 Më besoni mua:
Unë jam në Atin dhe Ati është në mua.
Përndryshe, besoni për shkak të vetë veprave!
12 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
kush beson në mua,
veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë.
Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto,
sepse unë po shkoj tek Ati.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjt:

 

  • Jezusi sheh se si nxënësit nuk po e kuptonin dhe kërkon të kenë besim duke u bërë thirrje të mos lejojnë që t`u trazohet zemra.
  • Jezusi më shikon edhe mua me të njëjtën mëshirë, e njeh hezitimin tim, dyshimet, pyetjet e mia. Ai më thotë: “Paqja me ty!” duke më kujtuar se tash veç e kam një vend në zemrën e tij, një vend që është për mua atje përgjithmonë.

  

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.
Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »