“Mos t’ju shqetësohet zemra”

May 16 • Meditimi i ditës

16 maj 2017 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 14,19-28; Ps 145,10-13b.21; Gjn 14,27-31a)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
të çdo molekule dhe atomi, i të gjitha sendeve që ekzistojnë, i gjithë asaj që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në
mua, tani.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë si si jam.
Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me shpresë, me besim.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde

 

Gjn 14, 27-31

 

27 Po ju lë paqen,

po ju jap paqen time!

Nuk po jua jap siç e jep bota.

Mos t’ju shqetësohet zemra

as të mos ju trembet.

28 Ju dëgjuat se ju thashë:

‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’.

Po të më donit, do të galdonit

se po shkoj tek Ati,

sepse Ati është më i madh se unë.

29 Ju thashë tani

‑ para se të ndodhë,

që të besoni kur të ndodhë.

30 S’do të flas më shumë me ju,

pse po afrohet princi i botës.

Ai kundër meje s’mundet asgjë.

31 Por, që ta dijë bota se e dua Atin

dhe se bëj ashtu si më urdhëroi Ai.

Çohuni! Të shkojmë prej këndej!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në një prej momenteve më të tmerrshme të jetës së tij Jezusi u jep zemër miqve të vet që të mos shqetësohen dhe të mos frikësohen. Një porosi e fuqishme që na drejton Hyji është që mos të kemi frikë.
  • Ndoshta as nuk e dalloj paqen që ma jep Jezusi menjëherë. Nuk është kjo një paqe siç e ofron bota, dhe një zemër e tmerruar dhe e munduar me probleme mund t`i huq begatitë që i ofron paqja e Jezusit. Do të thellohem më shumë nën sipërfaqen e brengosjeve të jetës sime duke pranuar paqen për të cilën flet Jezusi.
  • Hyji e di se sa lehtë na kap frika dhe brengosemi. Në këto momente Hyji ecën së bashku me ne, dorë për dore, me një përkujdesje të madhe, duke dëshiruar që të jemi të sigurt. Edhe pse jemi të tmerruar apo të pasigurt, jemi të sigurt sepse i takojmë Hyjit. Në këtë qëndron paqja jonë.
  • Jezusi me bekon me paqen e vet, që më bën më të qetë dhe më të sigurt. Pas paqes që ma jep Jezusi, vijon thirrja se duhet të çohem dhe të nisem në rrugë.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »