Sakramenti i Pagëzimit: rilindja e bijësisë me Zotin

May 16 • Këndvështrime

 Nga Papa Françesku

 

Sot po fillojmë një varg të katekezave mbi Sakramentet. Katekeza e parë i kushtohet Pagëzimit. Për koniçidencë të bukur të dielën e ardhshme bie festa e Pagëzimit të Zotit.

1.Pagëzimi është sakrament mbi të cilin themelohet feja jonë dhe që na sharton si anëtarë të gjallë në Krishtin e në Kishën e tij. Bashkë me Eukaristinë dhe me Krezmimin/Përforcimin e përbëjnë të a.q. «Fillesën e krishterë», e cila është një vepër dhe ngjarje unike sakramentale, e cila na formëson në Zotin e na bënë shenjë të gjallë të pranisë dhe të dashurisë së tij.

Mund të lind tek ne një pyetje: vërtet është i nevojshëm Pagëzimi për të jetuar si të krishterë e për ta ndjekur Jezusin? A nuk është, shikuar në thelbin e tij, një rit i thjeshtë, një akt formal i Kishës për të dhënë emrin një fëmije? Janë pyetje këto që mund të na lindin. Në lidhje me këtë, ajo çfarë shkruan Shën Pali, duket tejet dritëdhënëse: «Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi të pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetë të re.» (Rom 6, 3-4). Ja pra, nuk është një formalitet! Është një akt që e prek në thellësi ekzistencën tonë. Nuk është e njëjta gjë një person i pagëzuar apo një person i papagëzuar. Ne, me Pagëzim, zhytemi në atë burim të pashtershëm të jetës që është vdekja e Jezusit, vepra më e madhe e dashurisë në krejt historinë; fal kësaj dashurie mund të jetojmë një jetë të re, jo më në mëshirë të së keqes, të mëkatit dhe të vdekjes, por në bashkim me Hyjin e me vëllezër e motra.

2.Shumë prej nesh nuk e kujtojnë aspak kremtimin e këtij sakramenti, dhe është natyrshme, sepse kemi qenë pagëzuar pak ditë pas lindjes. Këtë pyetje e kam bërë dy a tri herë këtu në shesh: kush prej jush e di datën e Pagëzimit, le ta ngrit dorën. Është e rëndësishme ta di ditën në të cilën unë kamë qenë zhytur në atë burim të shpëtimit të Krishtit. Ja lejoj vetës të ju jap një këshillë. Më shumë se një këshillë, një detyrë për sot. Sot, kur të shkoni në shtëpi, kërkoni për datën e Pagëzimit tuaj, e kështu do të mësoni ditën e bukur të pagëzimit tuaj. Të mësosh datën e pagëzimit është të mësosh për datën e gëzimit tënd. Rreziku që mos ta mësosh ditën e pagëzimit është që të humbësh kujtimin e asaj që Zoti ka bërë për ne, kujtimin e dhuratës që e kemi pranuar. Atëherë do ta konsiderojmë vetëm si një ngjarje që ka ndodhur në të kaluarën – madje as me vullnetin tonë, por me vullnetin e prindërve –, e cila nuk ka kurrfarë ndikimi në të tashmen.  Duhet ta rizgjojmë kujtimin e Pagëzimit tonë. Jemi të grishur ta jetojmë pagëzimin tonë për çdo ditë, si një realitet aktual i ekzistencës sonë. Nëse arrijmë ta ndjekim Jezusin e të qëndrojmë në Kishë, përkundër kufizimeve tona, brishtësisë sonë e mëkateve tona, kjo ndodh për shkak të Sakramentit me anë të të cilit jemi bërë qenie të reja dhe jemi veshur me Krishtin. Me fuqinë e Pagëzimit, në fakt, ne jemi liruar prej mëkatit të rrjedhshëm, jemi shartuar në marrëdhënien e Jezusit me Hyjin Atë. Jemi bërë bartësit e një shprese të re, sepse Pagëzimi na e jep këtë shpresë të re; një shpresë që të ecim rrugës së shpëtimit gjithë jetën. Këtë shpresë, asgjë e askush, nuk mund ta shuaj, sepse shpresa nuk zhgënjen. Mbajeni mend: shpresa në Zotin nuk zhgënjen kurrë. Fal Pagëzimit jemi të aftë të falim e të duam edhe atë që na ofendon e na bën keq. Fal Pagëzimit arrijmë të njohim tek të më të fundmit e më të varfrit fytyrën e Zotit, i cili na viziton dhe na bëhet i afërm. Pagëzimi na ndihmon që tek fytyrat e personave në nevojë, tek ata që vuajnë, të njohim të afërmin tonë, ta shohim fytyrën e Jezusit. Krejt kjo është e mundur me fuqinë e Pagëzimit!

3.Një element i fundit që është i rëndësishëm. E bëjë në formë pyetjeje: një person mund ta pagëzojë vetveten? Askush nuk mund të pagëzohet prej vetvetes? Askush. Ne mund ta kërkojmë, ta dëshirojmë, por gjithnjë kemi nevojë për dikë që të na jep këtë Sakrament në emër të Zotit. Sepse Pagëzimi është një dhuratë që shpërndahet në një kontekst të përkujdesjes dhe të bashkëndarjes vëllazërore. Gjithnjë në histori, një person e pagëzon një tjetër, një tjetër, një tjetër… kështu bëhet një zinxhirë. Një zinxhirë i Hirit. Unë nuk mund ta pagëzojë vetveten: duhet të kërkoj prej tjetrit Pagëzimin. Është një akt i vëllazërisë, një akt i bijësisë në Kishë. Në kremtimin e Pagëzimit mund t’i mësojmë karakteristikat e dëlira të Kishës, e cila si një Nënë vazhdon të lind bijë e bija të reja në Krishtin, të ngjizur në Shpirtin Shenjt.

Të kërkojmë pra prej Zemrës së Zotit, që të përjetojmë gjithnjë e më shumë, për çdo ditë, këtë hir që e kemi marr në Pagëzim. Duke u takuar mes veti,  vëllezërit dhe motrat tona mund të takojnë bijtë e vërtetë të Hyjit, vëllezërit dhe motrat e vërteta të Jezu Krishtit, gjymtyrët e vërteta të Kishës. E mos e harroni detyrën e sotme: të kërkoni, të pyetni për datën e Pagëzimit tuaj. Sikur që e di datën e lindjes sime, ashtu duhet të di datën e Pagëzimit tim, sepse është një ditë festë për mua.

(Teksti i plotë i Audiencës së përgjithshme, 8 janar 2014. Përktheu: Rev. “DRITA”)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »