Zoti, burimi i veprave të mia të mira

May 17 • Meditimi i ditës

17 maj 2017 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 15,1-6; Ps 122,1-5; Gjn 15,1-8)

 

Prania e Hyjit

Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

Trungu i trashë dhe i shtrembër i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të parë e nxjerrë të gjitha mundësitë e këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? Jo i/e brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çka ndiej përnjëmend,
sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 15, 1-8

 

1 “Unë jam hardhia e vërtetë,
e im Atë është vreshtari.
2 Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt,
Ai e pret,
kurse secilin që jep fryt,
Ai e pastron,
që të japë më shumë fryt.
3 Tashmë ju jeni të pastruar
me anën e fjalës që ju thashë.
4 Banoni në mua sikurse edhe unë në ju.
Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt
prej vetvetes,
i shkëputur prej hardhisë,
po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua.
5 Unë jam hardhia,
ju jeni shermendet.
Kush mbetet në mua e unë në të,
ai jep shumë fryt,
sepse pa mua s’mund të bëni asgjë.
6 Nëse ndokush nuk mbetet në mua,
hidhet jashtë porsi shermendi i prerë
e thahet.
Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen.
7 Nëse mbeteni në mua,
dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju,
kërkoni gjithçka të doni
dhe do t’ju jepet.
8 Me këtë gjë lavdërohet im Atë:
nëse jepni shumë fryt
e dëftoheni nxënës të mi.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Është lehtë të mendosh për lutjen si një kohë apo përpjekje personale që e bëj. Do të ndalem e të mendoj për faktin se çka është duke më thënë Jezusi – e dëgjoj se si më thotë: “Unë banoj në ty.”
  • Prova se Jezusi jeton në mua janë veprat që i bëj, frytin që e jap. I pranoj frytet e mira dhe falënderoj burimin prej të cilit, nëpërmjet meje, vijnë ato fryte.

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka që ai dëshiron të më thotë.
Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.
Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.
Ia hapi zemrën kur i flas për druajtjet dhe dyshimet e mia.
Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në përkujdesjen e tij,
i vetëdijshëm se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »