Një vjetori i kalimit në amshim i Imzot Lucjan Avgustinit

May 21 • Kisha ndër Shqiptarë

Unë jam ringjallja dhe jeta:
kush beson në mua,
edhe nëse vdes, do të jetojë.
Edhe kush jeton e beson në mua,
nuk do të vdesë askurrë”

(Gj 11, 25-26).

Në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të Imzot Lucjan Avgustini, Dioqeza e Sapës e kujton bariun e saj me datë 22 maj 2017, përmes një kremtimi të veçantë.

Në Sallën e Takimeve pranë ambienteve të Kuries Dioqezane:

Ora 09.00: Hapja e ditës.
Ora 09.05: Fjala përshëndetëse e Administratorit Dioqezan të Sapës, Dom Simon Kulli
Ora 09.10: Fjala Përshëndetëse e Kryetarit të Bashkisë, z. Zef Hila
Ora 09.15: Sh. T. Zoti Alfred Moisiu, ligjërim me temë: Roli i individit në shoqëri
Ora 09.30:
Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Kosovë
Ora 09.35: Fjala përshëndetëse e një prej familjarëve të Imzot Avgustinit.
Ora 09.40: Prezantimi i librit “In Memoriam. Në nder të Imzot Lucjan Avgustini” , nga redaktuesi i librit z. Nest Zefi
Ora 09.55: Sh. T. Imzot Charles John Brown, Nunc Apostolik në Shqipëri, fjalë përshëndetëse

 

Në Kishën Katedrale kushtuar Nënë Tereza:

Ora 10.30: Mesha Shenjtë të cilën e Udhëheq Sh. T. Imzot Zef Gashi, Argjipeshkëv nderi i Tivarit
Ora 12.00:  Drekë/Cocktail në ambientet e Shtëpisë së Bamirësisë

Imzot Lucjan Avgustini, në predikimin e Meshës së Vigjiljes së Pashkës të vitit 2016, duke komentuar Ungjillin e Markut 16, 1-8, mes të tjerave i qe drejtuar grigjës së vet me këto fjalë: “… Tregimi ungjillor i udhëtimit të grave tek varri i Krishtit është tregimi i udhëtimit shpirtëror të çdo njeriu tek vendi ku gjendet e varrosur shpresa e tij, nën gurin e rëndë dhe të palëvizshëm të dëshpërimit…. Krishti e ka rrokullisur gurin dhe ka hapur një udhë të re. Asnjë udhë tjetër, përveç kësaj të Krishtit, asnjë pushtet, asnjë pasuri, asnjë lavdi tokësore, asnjë sukses njerëzor nuk mund ta shmangin përplasjen me gurin e rëndë të dëshpërimit. Ka vetëm një rrugë për t’i shpëtuar vdekjes: kjo rrugë është Krishti…”. Në Krishtin, Rruga e Vërteta dhe Jeta!

 

Kush ishte Imzot Lucjan Avgustini?

Imzot Lucjan Avgustini ka lindur në Ferizaj, më 23 gusht 1963, prej prindërve Gjini dhe Roza lind. Gjergji – Avgustini, që kanë pasur 10 fëmijë, si familje e mirë dhe e bekuar. Pagëzimin e mori po ashtu në Ferizaj, në kishën “Engjëlli Rojës” nga Imzot Smiljan Franjo Čekada, ipeshkëv i atëhershëm i Shkupit, më 5 shtator 1963. Shkollën fillore e kreun në vendlindje, ku ishte ministrat i rregullt, së bashku me Dodë Gjergjin, tani Ipeshkvin e Kosovës.

Pas shkollimit tetëvjeçar, së bashku me Dodë Gjergjin u paraqiten për seminar në Suboticë  “Paulinum”, ku përfunduan me sukses shkollën e mesme. Fakultetin filozofik – teologjik në Zagreb e kryen me sukses dhe sjellje të mirë, gjithnjë së bashku.

Më 15 gusht 1989 Imzot Nikë Prela i shuguroi meshtarë, duke treguar me dorë, fjalë dhe zemër se po i shuguronte për “Shqipërinë martire!”. Profetizoi. Ditë e shënuar dhe e paharruar, kur  besimtarët tanë ishin të tronditur nga kjo ngjarje, shumë prej tyre edhe të frikësuar, si Ipeshkvi ynë haptazi e përmendi Shqipërinë, lirinë fetare dhe demokracinë, atëherë kur edhe ne ishim “në gojë të ujkut”, siç thotë populli.

Më 10 shtator 1989 caktohet bashkëpunëtor i shtëpisë botuese “DRITA”, për punë të botimeve liturgjike, por edhe  ndihmonte Imzot Nikë Prelën, si ushtrues detyre të sekretarit personal. Ishte i palodhshëm dhe shumë i vullnetshëm për jetën dhe shërbimin meshtarak. Shpesh të dielave dhe festave e ndihmonte famullitarin e Stubllës, tash Imzot Rrok Gjonleshaj, argjipeshkvin e Tivarit. Zelli, vullneti, dëshira, entuziazmi i tij rinor vërtet ishte  i dukshëm dhe shembullor.

Pas kurorëzimit të punës së suksesshme në botimin e “Mesharit Romak”, (1992), më vonë edhe botimin e  Biblës komplete në gjuhën shqipe, për herë të parë nga Kisha katolike (1994), fushëveprimi rritej dhe begatohej. Përfundimi i kësaj pune të lodhshme dhe përvoje baritore dhe botuese, e bënin Don Lucjan Avgustinin të përshtatshëm të emërohet drejtor i parë i Caritasit të Kosovës, ndërsa më 15 prill 1993, edhe famullitar i Ferizajit, ku shërbeu me zell dhe përkushtim deri në nëntor të vitit 1994.

Shqipëria tashmë ishte hapur dhe bënte hapat e parë në liri dhe demokraci. Mungesa e klerit, kishave, shtëpive të famullive, ishin frymëzim për Don Lucjan Avgustini, së bashku me Don Dodë Gjergjin, që shprehin dëshirën dhe gatishmërinë për ta ndihmuar Kishën katolike në  Shqipëri me shërbimin e tyre meshtarak.

Më 27 tetor 1994 me dekretin 501/94 Lucjan Avgustini qe liruar nga detyrat në ipeshkvin Shkup-Prizren, për të qenë  i lirë si “Fidei donim” (Dhuratë feje) në argjipeshkvinë e Shkodrës.

Aty,  së pari ishte ndihmës-famullitar, kurse më 14 korrik 1995 emërohet famullitar i katedrales “Shën Shtjefni” në Shkodër. Puna dhe veprimtaria ishte e paskajshme, por edhe feja dhe dashuria e Don Lucjanit, përballonin çështje tejet të vështira dhe shumë sfiduese.

Më 24 maj 1997 nga Papa Shën  Gjon Pali  II qe emëruar nga “Kapelan i tij”, me titull të lartë të nderit – Monsinjor.

Imzot Lucjan Augustini , edhe pse i ri në moshë, por i rryer në jetë dhe përvojë meshtarake,  Ati i Shenjtë Benedikti XVI emëroi Ipeshkëv të Sapës në Shqipëri, për ta zëvendësuar Imzot Dodë Gjergjin, që ishte caktuar Ipeshkëv i Kosovës (12 dhjetor 2006).

Imzot Lucjan Avgustini ishte njeri i pendës dhe punës, mbi të gjitha i uratës, përshpirtërisë dhe komunikimit me njerëz, besimtarë, për t’i dëgjuar, këshilluar, udhëzuar, për t’iu thënë një fjalë të mirë, për t’ua dhënë përvojën e fesë dhe begatinë e dashurisë së krishterë. Ishte apostull i vërtetë në çdo fushëveprim, zelltar i pashoq, vullnetar i palodhshëm, dëshmitar dhe predikues i Krishtit dhe Ungjillit të tij. Për të koha ishte dhuratë, hir, pasuri për t’u ndarë dhe dhuruar të gjithëve.

Si ta kishte një lloj parandjenje se “koha” po e ngute, mos të them po e “përndjekte” hap pas hapi, si në ndonjë lloj vrapimi, përshpejtim kah amshimi.

Pas një sëmundje të rëndë, kaloi në amshim më 22 maj 2016, në Rezidencën e tij në Dioqezin e Sapës./drita.info/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »