Papa Françesku ka emëruar kardinalin e parë suedez

May 21 • Kisha në botë

 

Sheshi i Shën Pjetrit – Vatikan/21 maj 2017: Sot, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku njoftoi se më 28 qershor do të mbledhë koncistorin për emërimin e 5 kardinajve të rinj.

Ky lajmë ishte i papritur, pasi për festën e Shën Pjetrit dhe Palit, tradicionalisht argjipeshkvijve të rinj metropolitan iu jepet pallio, por jo edhe emërimi i kardinajve.

Por më interesante në emrat e të emëruarve, ishte se në mesin e tyre do të jetë Imzot Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit, ipeshkvi i parë në Suedi, e tani do të jetë edhe kardinali i parë në histori në shtetet skandinave.

Papa Françesku vjet pati vizituar Suedinë, me rastin e 500 vjetori të reformacionit, dhe Imzot Arborelius e pati shoqëruar gjithnjë Papën. Ky emërim historik konsiderohet fryti i parë i vizitës dhe një shpresë se në të ardhmen do të kemi lajme të mira nga shtetet skandinave.

Dhe e dyta gjë interesante në këtë emrin është se Imzot Gregorio Rosa Chávez, ipeshkëv titullar i Mullì, ndihmës i kryedioqezës së San Salvador, në El Salvador, do të jetë i pari ipeshkëv ndihmës që do të emërohet kardinal.

Kardinajtë e rinj të emëruar sot nga Papa Françesku vijnë nga Mali, Spanja, Suedia, Laosi e San Salvadori:

Imzot Jean  Zerbo, kryeipeshkëv i Bamako, në Mali.

Imzot Juan José Omella, kryeipeshkëv i Barcelonës, Spanjë.  

Imzot Anders Arborelius, ipeshkëv i Stokholmit, Suedi.

Imzot Luis Marie-Ling Mangkhanekhoun, ipeshkëv titullar i dioqezës Aquaenovensis in Proconsulari, mëkëmbës apostolik i Paksé, në Laos.  

Imzot Gregorio Rosa Chávez, ipeshkëv titullar i Mullì, ndihmës i kryedioqezës së San Salvador, në El Salvador.

 

“Dua të ju lajmëroj se të mërkurën, më 28 qershor, do të mbaj një koncistor për të emëruar 5 kardinalë të rinj. Prejardhja e tyre nga vise të ndryshme të botës shpreh katolicitetin e Kishës, të përhapur në mbarë tokën, e dorëzimi i një titulli a i një diakonie në Romë, tregon se kardinajtë i përkasin dioqezës së Romës që, sipas shprehjes së Shën Injacit: “kryeson dashurinë e të gjitha Kishave. Të enjten, më 29 qershor, në festën e Shën Pjetrit dhe Shën Plait, do të bashkëkremtoj meshën me kardinajtë e rinj, me kolegjin e kardinajve, me argjipeshkvijtë e rinj metropolitan, ipeshkvij dhe me disa meshtarë. Ju besojmë kardinjatë e rinj mbrojtjes së Shën Pjetrit e Palit, që me ndërmjetësin e prijësit të apostujve, të jenë shërbëtor të njëmendtë të bashkimit kishtar e ndërmjetësinë e apostullit të popujve, të jenë shpallës të hareshëm të Ungjillit në botë, e me dëshminë dhe këshillat e tyre të më mbështetin më fuqishëm në shërbimin tim si Ipeshkëv i Romës, bari universal i Kishës” ishin fjalët e Papa Françeskut.

 

Me këta 5 kardinaj, numri i kardinalëve zgjedhës, nëse do të ndodhte një konklavë eventuale, do të rritet në 121, një më shumë se pragu maksimum i vendosur nga Papa Pali VI. Por kjo nuk do të jetë për kohë të gjatë, pasi me 3 shkurt 2018, kardinali Antonio Maria Vegliò i mbush 80 vjet dhe, ashtu si është e paraparë me rregullore, do ta humb të drejtën të jetë kardinal zgjedhës në konklavë./drita.info/

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »