U përkujtua njëvjetori i kalimit në amshim i Imzot Lucjan Avgustinit (1963-2016)

May 23 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Violeta Marashi

Në përvjetorin e parë të kalimit në amshim të Imzot Lucjan Avgustinit, Dioqeza e Sapës ka kujtuar bariun e saj përmes një Kremtimi të veçantë të kësaj dite.

Në sallën pranë selisë së tij, që e drejtoi për 10 vite me radhë,  nën organizimin e familjes dioqezane të Sapës, ishin të pranishëm Nunci i Ri, Imzot Browun, Hierarkia e Kishës në Shqipëri, mbarë kleri i Sapës dhe të dioqezave të tjera të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ish Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Alfred Moisiu, autoritetet të larta shtetërore dhe civile, familjarët e tij si dhe besimtarët, që së bashku në këtë ditë përkujtimore nderuan figurën dhe veprën e tij.

Në emër të Dioqezës, Administratori Dioqezan Dom Simon Kulli, përmes fjalës së tij të përshëndetjes dhe të mirënjohjes, falënderoi Zotin për Imzot Avgustinin, për dashurinë e tij të shprehur në vepër për këtë vend dhe për popullin shqiptar gjatë gjithë viteve të jetës së tij meshtarake.

Përmes një ligjërate të shkurtër si kohë, por shumë e thellë në përmbajtje, rreth argumentit të çmuar mbi rolin, kontributin e individit në shoqëri, edhe ish presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Alfred Moisiu, kujtoi me shumë nostalgji ipeshkvin e paharruar Imzot Lucjan Avgustinin dhe vlerësoi kontributin e tij maksimal në rimëkëmbjen e Kishës Katolike në vendin tonë. Vepra e tij duket si drita e diellit tha ai, që ky at shpirtëror nuk kurseu asgjë për lehtësimin e vuajtjeve të njerëzve kudo që i ka takuar.

Imzot Lucjani ishte njeriu i miqësisë me Zotin dhe njeriun. Një lidhje mjaft të ngushtë kishte dhe me shokun e fëmijërisë dhe vëllain në Krishtin, Imzot Dodë Gjergjin, ku ky i fundit shprehi falënderimin ndaj Zotit që e ka pasur një vëlla të tillë duke kujtuar edhe momente të ndryshme gjatë jetës që kanë kaluar së bashku, ndërsa sot një pjesë e tij tha ai vazhdon të jetojë sërish me mua.

Edhe pse ka pak ditë që Shenjtëria e tij Papa Françesku emëroj Nuncin e Ri në Shqipëri, Imzot Charles John Brown, ai shprehi afërsinë që Ati i Shenjtë ka treguar me popullin shqiptar dhe me Kishën Katolike në Shqipëri. Në këtë përvjetor, me nxitjen e Dom Simon Kullit dhe Dom Mark Shtjefnit, u promovua edhe libri i parë “In Memoriam” kushtuar Imzot Lucjan Avgustinit, me autor Nest Zefi. Është ky libër me një përmbledhje kujtimesh, dhe një radhitje e virtyteve dhe karakteristikave që përbënin Imzot Avgustinin.

E gjithë ceremonia përkujtimore kishte për kryefjalë emrin e nderuar të Imzot Lucjan Avgustinit. Edhe në kremtimin e Meshës Shenjte, mbajtur në Katedralen Shën Nënë Tereza, të gjitha lutjet u drejtuan për shpirtin e tij dhe të gëzojë lumninë e parrizit. Siç e theksoi edhe argjipeshkvi i nderit i Tivarit, Imzot Zef Gashi, gjatë homelisë së tij: Thuhet se vdekja është shpendi grabitqar i jetës. E në rastin tonë, kjo thënie e ka kuptimin e plotë të fjalës. Deshëm, s’deshëm, jeta është ecje drejt vdekjes, njeriu është udhëtar kalimtar. Bibla na mëson dhe vërteton: Të lumët ata që vdesin në Zotin.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »