A ke përjetuar ndonjëherë “gëzim të madh”?

May 25 • Meditimi i ditës

25 maj 2017 – E enjte, Ngritja e Krishtit në Qiell (Të Shëlbuemit), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 1,1-11; Ps 47,2-3.6-9; Ef 1,17-23; Mt 28,16-20)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Kurrë mos qofsha aq i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Kur e ndiej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,
jam i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e ke kaluar në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 28,16-20

 

16 Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. 17 Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan.
18 Jezusi u afrua e u tha:
“Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. 19 Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! 20 Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ngritja e Jezusit në qiell ndërlidhet me profecinë e Besëlidhjes së Vjetër. Pas qindra e qindra vitesh u përmbush premtimi i Hyjit. Koha e Hyjit është tani koha jonë.
  • Nxënësit ndjenë “gëzim të madh” kur Jezusi i bekoi dhe u transferua tërësisht në dimensionin hyjnor të realitetit – në qiell. Momente të tilla të njohjes së brendshme dhe të gëzimit janë të rralla, por të çmuara për ne. Edhe pse me kalimin e kohës zbehen kujtimi i tyre na mban në kohë të vështira. A mund ta identifikoj një moment të tillë “gëzim të madh”?

 

Bashkëbisedimi

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.
Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithë atë çka ai dëshiron të më thotë.
Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës kur më vështron.
Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.
Ia hap zemrën kur i flas për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.
Do ta lus që të më ndihmojë që të mund të mbështetem plotësisht në përkujdesjen e tij,
i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »