Papa Françesku priti në vizitë Presidentin Amerikan Donald Trump

May 25 • Kisha në botë

Dje, në orët e paradites, Papa Françesku priti në audiencë private presidentin amerikan, Donald Trump, vizita e parë shtetërore e tij te Papa. Në orën 8.31, Ati i Shenjtë i shtrëngoi dorën presidentit Trump në Sallën e Fronit e pas fotografive protokollare për shtypin, u ul për një bisedë gjysmë orësh me të, në bibliotekën private.

Tema e takimit mes dy leader-ve – sipas një note të Sallës së Shtypit të Vatikanit – “marrëdhëniet e mira bilaterale mes Selisë së Shenjtë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe angazhimi i përbashkët për jetën, lirinë fetare dhe lirinë e ndërgjegjes.” Dy palët shprehën nevojën e bashkëpunimit mes Shtetit të SHBA-s dhe Kishës Katolike në SHBA, e angazhuar në shërbim të popullsisë në fushën e shëndetësisë, edukimit dhe asistencës së imigrantëve. Biseda ka vazhduar – sipas notes – rreth çështjeve aktuale ndërkombëtare dhe mbi promovimin e paqes në botë përmes negociatave politike e dialogut ndërfetarë, në theks të veçantë mbi situatën në Lindjen e Mesme dhe mbrojtjen e bashkësisë së krishterë atje.

Gruaja e presidentit amerikan, Melania, pavarësisht se ishte në Vatikan, së bashku me të shoqin, nuk mori pjesë në bisedë dhe u takua më pas me Papën, të cilit i kërkoi bekimin për një Rruzare, që kishte në dorë.

Pas bisedës private, Donald Trump i paraqiti Papës delegacionin amerikan, prej 11 vetësh. Pastaj, shkëmbimi i dhuratave. Ndër të tjera, Ati i Shenjtë i dha presidentit tre dokumentet papnore “Evangelii gaudium“, “Amoris laetitia” e “Laudato sì“, si edhe një kopje të Mesazhit për Ditën Botërore të Paqes 2017, nënshkruar nga vetë Ati i Shenjtë. Papa Bergoglio  bekoi edhe disa rruzare të tjera e, së fundi, u dhuroi të pranishmëve medaljen e papnisë. Presidenti Trump i dhurojë Papës një komplet të veprave të Martin Luther King, një autor që Papa kishte cituar në fjalimet e tija gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara.  

Duke ja shkrirë dorën në mbarim të audiencës, presidenti Trump i tha Papaës: “Nuk do të harroj ç’më thatë”. Më pas presidenti Donald Trump pati një takim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin dhe me atë për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Paul Richard Gallagher.

E ndërsa presidenti shoqërohej për takimin me autoritetet e tjera të Vatikanit, e shoqja, Melania, vizitonte Kapelën Paoline. Në përfundim të bisedës, Trump dhe familja e tij vizituan Kapelën Sikstine dhe Bazilikën e Shën Pjetrit.

Po dje, presidenti amerikan u takua me homologun e tij italian, Mattarella, në Quirinale dhe me kryeministrin italian Gentiloni, në Vilën Taverna, për të diskutuar mbi temat e mbledhjes së G7-ës, që do të mbahet të premten, në Taormina të Italisë. Rreth orës 13.40 presidenti amerikan la Italinë dhe u nis për në Bruksel, për të vazhduar turneun e tij të parë jashtë SHBA që nga marrja e presidencës.

Trump pas takimit me Papa Françeskun u shpreh se është i venduar për të promovuar paqen: “Me Papën pata një takim fantastik. Ai është personalitet i madh”, e në llogarinë e tij në Twitter  shkuan: “Takimi me Papën ishte nderi më i madh i jetës sime. U largova nga Vatikani më i vendosur se kurrë për të vijuar mbrojtjen e paqes në botë”. /drita.info/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »