Imzot Dodë Gjergji: Katedralja e Zojës Ndihmëtare në Prizren është simbol i ringjalljes dhe shpresës për popullin dhe kishën tonë!

May 26 • Kisha në Kosovë

Në Kishën Katedrale Zoja Ndihmëtare në Prizren, u kremtua festa e Zojës Ndihmëtare (24 maj), pajtorja e kësaj kishe. Meshës solemne të festës i priu bariu i kishës në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarë të dekanatit.

Në ambientin e Kishës që po rinovohet, nuk kishte vend për të gjithë besimtarët e mbledhur nga famulli të ndryshme, e posaçërisht nga famullitë e dekanatit të Prizrenit. Ipeshkvi Dodë Gjergji, pasi përshëndeti të pranishmit dhe nënvizojë rëndësinë e festës së Zojës, në aspektin teologjik dhe ekleziologjik, në homeli u ndal në rëndësinë e Kishës së Prizrenit që ka pasur gjatë shekujve, duke e konsideruar si një shenjë e ringjalljes dhe shpresës për popullin dhe kishën në Kosovë. Dhe nuk është e rastit pse pikërisht kjo kishë e ka për pajtore Zojën Ndihmëtare. Në vazhdim po i japim disa fragmente më të rëndësishme të homillisë së Imzot Dodë Gjergjit.

 

Katedralja e Prizrenit – simbol i ngjalljes dhe shpresës

Jemi sot bashkë për të festuar pajtoren tonë, Zojën Ndihmëtare, në Kishën Katedrale të Prizrenit – ishin fjalët hyrëse të ipeshkvit duke shtuar se, në këtë Kishë, e cila në vitet 1870-ta është ringjallë, jo vetëm si ndërtesë, por është ringjallë si shpresë, prandaj kjo për popullin tonë është simbol i ringjalljes dhe i shpresës. Gjatë këtyre viteve kësaj kishe iu është dhënë edhe njëherë liria dhe e drejta për t’u ndërtua, iu është rikthye dinjiteti dhe respekti i saj. E këtë ringjallje e këtë shpresë, ipeshkvi parardhës Imzot Bucciarelli, ka dashur që, këtë popull dhe këtë kishë, t’ia kushtojë Zojës Ndihmëtare, sepse ka qenë i bindur se kjo kishë (grigjë) ka nevojë për ndihmën e Zojës së Bekuar. Prandaj, sot, në festën e saj, jemi këtu për ta falënderuar Zotin dhe Zojën e Bekume për ndihëm që na e ka dhënë gjatë kohërave të vështira; për ta ripërtëritur gjithë popullin tonë të krishterë në Kosovë për të qenë i tëri në veprim të ungjillit.

Kisha e Prizrenit, që nga kohërat kur pushtoheshin këto troje e populli i krishterë e deri në ditët e sotme, ka përjetuar shumë dhimbje, por edhe shumë gëzime. Gjatë këtyre viteve, nëpër famulli tona në Kosovë, janë ndërtuar shumë kisha, janë shuguruar shumë meshtarë të kësaj kishe, të këtij populli, janë kushtuar shumë murgesha në kongregata të shumta rregulltare.

 

Kohë e lulëzimit të të mirave

Me ndihmën e Zojës ne jemi sot këtu, pas shumë luftërave, trazirave e sfidave të mëdha, e me ndihmën e Saj do të vazhdojmë edhe tutje, në të ardhmen që na pret; si për ta rinovua shpirtin e besimtarit të krishterë në Prizren e në krejt Kosovën, po ashtu edhe për ta rinovua funksionimin e Kishës, këtu në Prizren dhe në gjithë Kosovën.

[…]

Jemi dëshmitarë se kjo kohë është kohë e lulëzimit dhe shumë të mirave për popullin tonë dhe për Kishën tonë. Edhe pse do të gjenim arsye për vërejtje ndaj ipeshkvit, priftit, besimtarëve, përgjegjësve për situatën e sotme në Kosovë, politikës së vendit, por nuk kemi të drejtë, sepse asnjëherë nuk kemi qenë më mirë se sot. Këtë që e kemi ne sot e kanë dëshirua etërit tanë, prindërit tuaj, shumë parardhës të mijë ipeshkvij të kësaj Kishe, meshtarë të shumtë, krejt populli i Zotit, që të jenë të lirë ta duam Hyjin, ta shpallim ungjillin. Kush e ndal sot të krishterin të jetë një zë i ndershëm i kësaj shoqërie, kush e pengon sot familjen e krishterë të përparojë, të jetë e lumtur brenda dhe jashtë kulmit të vet? Kush na ndal të shpallim ungjillin, të mbjellim gëzim në zemrat tona, të ndezim flakën e dashurisë në vatrat tona për ta fisnikëruar këtë shoqëri?

Prandaj, ju ftoj sot, vëllezër e motra, që, me Krishtin në zemrat tona, të shprehim falënderim për gjërat që i kemi, të mos lakmojmë gjërat që na bëjnë të largohemi nga vendi, por të gjejmë guximin me e dashtë vendin tonë, kishën tonë, për të cilat të parët tanë kanë sakrifikuar shumë. Të kemi vullnetin e forcuar me Shpirtin Shenjt, për të shtegtuar tek Elizabeta, ashtu siç bëri Virgjëra Mari, e për të shpallur tek kushërirët tanë se Zoti është ngjizur në mua; se ne jemi bijtë e bijat e Zotit, që shtegtojnë me guxim e gëzim, që nuk ndalemi edhe para sfidave, sakrificave që na dalin rrugës, ashtu siç ecte Maria pas Birit të saj deri te Kryqi.

[…]

Moment falënderimi ndaj Zotit

Është moment ky për të falënderua Zotin për të mirat që na i ka dhanë këtu në Prizren. Këtu janë bërë shumë gjëra të bukura; shkolla fillore Loyola, po vazhdohen punët në pjesën tjerët të shkollës, e do të vazhdohet të punohet në projekte tjera për të mirën e popullit tonë. Ju grigja e Prizrenit, nuk duhet ta leni ipeshkvin, priftin vetëm, duhet ta mbështetni, e në mënyrë të veçantë duhet ta mbështetni priftin për ta përfunduar rinovimin e kësaj Katedrale të bukur. Dua të falënderoj Don Shan Zefin, Don Alfredin dhe motrat, për punën që e bëjnë në pastoral, në shërbimin ndaj juve, që ju bashkojnë në uratë dhe ju forcojnë që të jeni besnik Krishtit Zot  dhe Kishës. Jini dëshmitarë të të mirave të Zotit, si njerëz që i ka shndërruar Krishti i ringjallur – ishin fjalët e përfundimit të homilisë, që erdhën si porosi prej bariu për grigjën për të vazhduar dëshminë e krishterë edhe në ditën sotme.

Mesha u transmetua drejtpërdrejtë nga Radio Maria e Kosovës, një mundësi kjo që kjo festë të përjetohet edhe nga ata që nuk kanë mund të marrin pjesë fizikisht në Katedrale./drita.info/

Shpërndaje

Comments are closed.

« »