Lutja ndihmon të vijë mbretëria e Zotit në tokë

May 27 • Meditimi i ditës

27 maj 2017 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 18,23-28; Ps 47,2-3.8-10; Gjn 16,23b-28)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe sille në këtë lutje dëshirën tënde të jesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja jote. Kërkoji Hyjit ndihmë për të dalluar ndonjë dëshirë specifike që të çon në drejtim të asaj që është “diçka më e madhe” – drejt projektit të Hyjit – dhe kërkoji Hyjit t`i bekojë përpjekjet e tua për të qenë dashuri për të tjerët.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë Tënde.

Më mëso ta njoh praninë Tënde në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet kujdesit të njerëzve të tjerë e ke treguar dashurinë Tënde për mua.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 16, 23-28

 

23 Atë ditë nuk do të më pyetni më për asgjë.

Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emër tim,

do t’jua japë.

24 Deri tani asgjë nuk kërkuat në emër tim.

Kërkoni dhe do të merrni

që gëzimi juaj të jetë i plotë.”

 25 “Këto jua thashë në shëmbëlltyra.

Po vjen koha,

kur nuk do t’ju flas më në shëmbëlltyra,

por haptazi do t’ju shpall për Atin.

26 Atë ditë keni për të lypur në emër tim,

e nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju,

27 sepse vetë Ati ju do,

pasi ju më deshët mua

e besuat se dola prej Hyjit.

28 Dola prej Atit dhe erdha në botë,

prapë po e lë botën e po kthehem tek Ati.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Lutja, ose një kërkesë për diçka “në emër të Jezusit” do të thotë të lutesh për diçka që do të ndihmojë të sjellë mbretërinë e Hyjit në tokë. “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullnesa jote si në qiell dhe në tokë.”
  • Ndërsa mbretëria e Hyjit nuk është “e kësaj bote” në kuptimin e dhurimit të vlerave tokësore, sigurisht që është e pranishme kudo që njerëzit i jetojnë lumnitë, e dëgjojnë dhe shkojnë pas asaj çka Jezusi mëson.

  

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma përkujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo frymëzim që të jetoj në ty nëpërmjet dashurisë – ndaj teje dhe gjitha krijesave tua.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »