Sa i afrohesh Zotit?

May 28 • Meditimi i ditës

28 maj 2017 – E diela 7-të e Pashkëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Vap 1,12-14; Ps 27; 1Pj 4,13-16; Gjn 17.1-11a)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i/e tillë si jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Hyji gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.

Do të ndalem një moment dhe e përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat vetjake,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në rrjetën e gërshetuar me shumë marrëdhënie – në lidhje me natyrën, me njerëzit, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që qarkullon nëpërmjet tyre.

Disa nga këto lidhje janë të deformuara, disa të ndërprera, disa të prishura:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e mërzitur, i/e pikëlluar, i/e nervozuar, i/e zhgënjyer.

Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ta dëgjoj në mënyrë që ta marrë vesh çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Gjn 17, 1-11

 

1 Jezusi, si i tha këto, i çoi sytë e vet kah qielli dhe vazhdoi:

“O Atë, arriti koha:

jepi lavdi Birit tënd

që Biri të të japë lavdi ty

2 e që me pushtetin,

të cilin ia dhe mbi çdo njeri,

t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.

3 E kjo është jeta e pasosur:

që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë,

dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë:

e kreva veprën,

që ma dhe ta kryej.

5 E tani, o Atë, më lavdëro para teje

me atë lavdi që e kisha te ti

para se të fillonte të ishte bota.

6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve

që ti m’i dhe nga bota.

Ata ishin të tutë, ti m’i dhe,

dhe ata e mbajtën fjalën tënde.

7 Tani e kuptuan

se gjithçka më dhe, vjen prej teje,

8 sepse fjalët që ti m’i dhe

ua dorëzova atyre.

Ata i pranuan

dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje

dhe besuan se ti më dërgove.

9 Unë për ta lutem.

Nuk lutem për botën,

por për ata që ti m’i dhe,

sepse janë të tutë.

10 Gjithçka kam unë është jotja

e çka ke ti imja,

dhe në ta u lavdërova.

11 Unë nuk rri më në botë

e ata janë në botë,

e unë po vij te ti.

O Atë i shenjtë!

Ruaji në Emër tënd

ata që ti m’i dhe

që të jenë një sikurse ne!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·               Jezusi na ka lënë gjëra të mjaftueshme që të jemi në gjendje për t`iu afruar Atit me të cilin ai është tani në lavdi.Ne jemi ata që na duhet të nisemi në udhëtim drejt tij.

·               Le të na ngushëllojnë fjalët e Jezusit se “ai lutet për ne”.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »