Krishterimi për 20 shek. ka formësuar ndërgjegjen e popullit shqiptar

May 29 • Editorial

 

Nëse mendojmë që së bashku me Shën Palin ka mund të ketë qenë ndonjë nxënës i Krishtit, i cili e ka parë lartësimin në Qiell të Jezusit, kjo na mbushë me gëzim dhe krenari. Nuk është kjo një krenari e mendjemadhësisë, por një krenari e falënderimit ndaj Zotit, i cili ka dashur që të vinte  dhe të rrinte me ju gjatë gjithë këtyre shekujve në këtë tokë. […] Kjo e vërtetë ka formuar ndërgjegjen e të parëve tuaj që nga lindja e Kishës. Çfarë fati keni pasur që ta njihni kaq shpejt Zotin dhe të mbetni besnikë për 20 shekuj! Kur mendoj që Kisha në Poloni ka filluar të ekzistojë në vitin 966, atëherë e kuptoj çfarë fati kanë pasur të parët tuaj, që ta njohin Krishtin një mijë vjet para nesh!

 

Nga Mons. Juliusz JANUSZ*

Pas përvojës shumë të bukur shpirtërore te “Zoja Cërnagore”  në Letnicë, kam prapë një rast të ri për ta lavdëruar Zotin, me flijën e Birit të Tij, Jezu Krishtit, Shëlbuesin dhe Shpëtimtarin e botës. Kjo Bazilikë monumentale e Nënës Tereze, fryt i flijimeve të Ipeshkvit tuaj Dodë Gjergjit, si dhe i bujarisë tuaj, dhe të besimtarëve të Kosovës në mbarë botën, gjithmonë më bën përshtypje të madhe. Ajo është një dëshmi jo vetëm e fesë tuaj, të guximit që ta nderoni Zotin dhe Zojën Mari, në mesin e një bote të shekullarizuar dhe të një fesë tjetër, por kjo bazilikë është një kujtesë e gjallë e 2000 vjetëve të krishterimit në këto troje. Vitrazhet e këtij tempulli na përkujtojnë që Jezu Krishti, i vdekur dhe ringjallur, fill pas të Ngjiturit në Qiell, i ka dërgua këtu nxënësit e tij. Nëse mendojmë që së bashku me Shën Palin ka mund të ketë qenë ndonjë nxënës i Krishtit, i cili e ka parë lartësimin në Qiell të Jezusit, kjo na mbushë me gëzim dhe krenari. Nuk është kjo një krenari e mendjemadhësisë, por një krenari e falënderimit ndaj Zotit, i cili ka dashur që të vinte  dhe të rrinte me ju gjatë gjithë këtyre shekujve në këtë tokë.

Jezusi ka garantuar përkrahjen e tij nxënësve duke thënë: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës” (Vap 1, 7-8).

Sa popuj kanë provuar ta shlyejnë kujtesën e Zotit Krijues, të Birit të Tij të vetëm dhe të Shpirtit Shenjt Ngushëllues, i cili me frymëzimin dhe fuqinë e tij besimtarët i ka ftuar që mos kenë frikë dhe që të jenë dëshmitarët e dashurisë së tij.

Kjo e vërtetë ka formuar ndërgjegjen e të parëve tuaj që nga lindja e Kishës. Çfarë fati keni pasur që ta njihni kaq shpejt Zotërinë dhe të mbetni besnikë për 20 shekuj! Kur mendoj që Kisha në Poloni ka filluar të ekzistojë në vitin 966, atëherë e kuptoj çfarë fati kanë pasur të parët tuaj, që ta njohin Krishtin një mijë vjet para nesh!

Njerëzit që nuk besojnë në Zotin dhe nuk e njohin të vërtetën e Dashurisë së Tij, të zbuluar me mishërimin e Birit të Hyjit, iu duket indiferente fakti i besimit apo mosbesimit. Ka bile edhe teologë modern që mendojnë se nuk ka nevojë të njihet Krishti, për t’u shëlbuar dhe për ta dashur të afërmin. Disa, për një interpretim të rrejshëm të ekumenizmit dhe dialogut ndërfetar, gati ndalojnë çdo veprimtari misionare, për t’i kthye njerëzit në fenë katolike.

Mirë, a mundemi ne, meshtarë dhe shekullarë, mos t’i nënshtrohemi urdhrit të Krishtit, që pak më parë e kemi dëgjuar: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 18-20).

Disa duan të heqin dorë nga ungjillizimi duke thënë që Papa Françesku parapëlqen ateistët më shumë se të krishterët që s’janë të krishterë. Por unë pyetëm: të gjithë ateistët janë të shenjtë? Të gjithë ne jemi mëkatarë. Dallimi është që një ateist nuk e pranon që e ka fyer me mëkat jo vetëm të afërmin, por as Zotin.

Papa Bendikti XVI,  në një homeli para kandidatëve për diakonat, e ka shpjeguar këtë çështje, duke analizuar fjalët e Shën Palit në letrën drejtuar Timoteut. Ja shpjegimi i tij: “Në qendër të letrës dallohet shprehja në të cilën shihet e tërë madhështia e përgjasimit të njeriut me Zotin: “Zoti dëshiron që të gjithë njerëzit të shëlbohen dhe të arrijnë ta njohin të vërtetën”. Zoti i do të gjithë, nuk ka bijë të kategorisë së parë dhe të dytë, por shëlbimi është dashuria e Tij për të gjithë ata që e kanë fytyrën e njeriut.“Shëlbimi është fryt i dashurisë, kështu që e vërteta dhe shëlbimi janë së bashku me dashuri. Dashuria e Jezu Krishtit nuk mund të jetë e pranishme pa fe. Kështu që, e vërteta pa dashuri, nuk do të ishte më e vërtetë, dhe dashuria pa të vërtetë, bëhet një ideologji brutale e cila nuk mund të na shëlbojë”.

Teologët vërtet harrojnë që urdhri i parë është: Duaje Zotin, Hyjin tënd, dhe i dyti: duaje të afërmin tënd si vetveten. Për mua, nëse dikush nuk e ka njohur Dashurinë Supreme të Zotit, dhe shprehja më e larë e kësaj dashurie të Zotit ndaj nesh, është Biri i mishëruar i Hyjit, një ndër ne, nuk mund ta duaj të afërmin ashtu siç duhet.

Jemi njerëz të dobët, dhe për të dashur, për t’u flijuar, kemi nevojë për ndihmën nga Qielli. Kjo ndihmë na jepet me hirin e Sakramenteve. Mirëpo nëse nuk njihet dhe nuk pranohet ekzistenca e Zotit, Birit të Tij, të hirit të Tij, si mund të ketë dashuri të mirëfilltë, si mund të flijohet jeta për të tjerët.

Prandaj dashuria pa Zotin shndërrohet në egoizëm dhe keqpërdorim të të tjerëve. Revolucionet erotike të propaganduara nga e ashtuquajtura “dashuria e lirë”, sjellin te keqpërdorimi i grave dhe fëmijëve. Dashuria pa Zotin sjell deri te perversioni i propagandës së ideologjisë gender.

Nuk ka më person njerëzor, normal, sipas natyrës, por individë të disorientuar dhe të manipuluar. Nuk ka më familje, që është baza e shoqërisë së shëndoshë, prandaj shkatërrohet shoqëria dhe mbesin individët që nuk dinë më kush janë.

Duke festuar të Shëlbuemit, ta dëgjojmë thirrjen e apostullit Pal drejtuar Efesianëve: “që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; T’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund të kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër, dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, të cilën e tregoi me vepër të Krishtit duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell, mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, Zotërim, dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme” (Ef 1,  17-20).

Ta thërrasim ndihmën e Nënës Tereze, të Papës Shën Gjon Pali II, për t’ia përshtatur ftesës së Shën Palit, që e cituam më lartë. Kërkoj një uratë edhe për mua me rastin e 50 vjetorit të meshtarisë. E kam pranuar këtë hir nëpër duart e Papës Shën Gjon Pali II, kur ai ishte argjipeshkvi i Krakovës, më ka shuguruar meshtar më 19 mars 1967. Pas meshe  mund t’i merrini figurat që përkujtojnë këtë përvjetor.

Falënderoj Ipeshkvin tuaj, meshtarët, motrat dhe besimtarët, që kanë ndihmuar në organizimin e këtij festimi tim, të Jubileut të Artë, këtu në Prishtinë. Faleminderit. Zoti ju bekoftë!

*Nunc Apostolik në Sloveni dhe Delegat Apostolik për Kosovë

(Homelia e mbajtur në Katedralen “Nëna Tereze” në Prishtinë,  28 maj 2017)                           

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »