SHTEGTIM/ Shenjtërorja e Letnicës, oazë shpirtërore e Kishës Katolike në Kosovë!

May 29 • Kisha në Kosovë

Të shtunën e fundit të muajit maj, më 27 maj, Kisha Katolike e Kosovës ka shtegtuar në Shenjtëroren Nacionale të Zojës në Letnicë, një shtegtim ky tradicional i përvjetshëm i kësaj Kishe, në muajin kushtuar Zojës së Bekuar.

Sivjet, shtegtimin e ka pasurua me praninë e vet Delegati Apostolik për Kosovë, Mons. Juliusz Janusz, i cili ishte ftuar nga Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, që të kremtojë meshën me shtegtarët dhe të ndaj krezmimin 12 të rinjve dhe të rejave të famullisë së Letnicës. Shkak i pranisë së delegatit ishte edhe jubileu i tij i 50 i shugurimit meshtarak, një rast i bukur që të bashkëndajë me ne çaste feste.

Në praninë e mijërave besimtarëve nga të gjitha famullitë e Kosovës, meshës i priu Delegati, në bashkëmeshim me Ipeshvin Dodë Gjergjin dhe meshtarët e famullive tona.

Në vazhdim po e japim të plotë homelinë e delegatit, në të cilën e shpalos përmbledhtas rëndësinë shpirtërore dhe kishtare të kësaj Shenjtërore, domethënien e shtegtimeve mariane dhe  ndikimin që kjo Shenjtërore ka pasur për Kishën tonë: Martirët e Karadakut, thirrja e Nënë Terezës dhe thirrjet e shumta meshtarake dhe rregulltare.

 

–  –  –

 

I dashuri zotëri Imzot Dodë Gjergji,

të nderuar meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare,

të dashur shtegtarë!

Vij me gëzim të madh për ta përshëndetur “Zojën Cërnagore” në Letnicë, për ta nderuar, lutur dhe kërkuar ndërmjetësimin e saj amnor para Birit të saj, Jezu Krishtit të ngjallur. Është e dyta herë, që i dërguar nga Papa Françesku, si Delegat Apostolik në Kosovën, kam këtë privilegj të jem me ju në Letnicë. Si polak, gjej në çdo shenjtërore mariane një fazë të detyrueshme të jetës time. Sivjet dua ta takoj Zojën Mari sa më shpesh të jetë e mundshme, sepse Ajo, si Mbretëresha e Apostujve, është afër meje që 50 vjet, prej kur jam shuguruar meshtar, më 19 mars 1967 nga argjipeshkvi i Krakovës, Karol Wojtyla. Të gjithë e dini që Karol Wojtyla, tash Shën Gjon Pali II, është shenjt, ia ka kushtuar jetën e tij Zojës Mari dhe në moton ipeshkvore i ka shkruar këto fjalë “Totus Tuus”Jam tërësisht i yti Mari. Me shtrirjen e duarve, ai më ka dhënë jo vetëm meshtarinë, por e ka përforcuar dashurinë për Virgjërën Mari, si dhe nderimin ndaj Saj. Vërtet, qysh nga fëmijëria ime, prindërit e mi të dashur më kanë mësuar që t’i drejtohem gjithmonë Nënës së Zotit, si në çaste të gëzimit, ashtu edhe në ato të pikëllimit. Për zbatimin e përshpirtërisë mariane na ndihmon fakti që, Pajtorja e famullisë tonë në Korzenna, në jug të Krakovës, në Poloni, është Zoja e Malit Karmel. Në territorin e kësaj famullie, po ashtu në fshatin tim Lyczana, janë shumë kapela në udhëkryqe, me trupore apo figure të Zojës dhe të Shenjtërve, që gjatë muajit maj zbukuroheshin me lule dhe çdo mbrëmje bashkoheshim për t’i kënduar Litanitë Lauretane. Në raste të tilla shpesh këndohej një këngë që fliste për Marinë si një fakt Drite, që e ndriçon lundrimin detarëve. Teksti pak a shumë thotë kështu: “Të drejtohemi kah Kapela që na pret në bregdet, mes kohës me shtrëngatë, qiellit të vranët dhe të mbylltë. Bëj që të arrijmë e kurrë mos të tretemi, Mari, o Mari, ti na ndriço”.

Shtegtimet mariane, sidomos te Zoja e Jasna Gora (Kodra e Ndritshme) në Çestakovë, bashkojnë deri një milion besimtarë çdo vit. Sidomos për festën e të Ngriturit e Zojës në Qiell, më 15 gusht, studentet nga Varshava në Çestakovë, afro 300 km, së bashku me shumë të rinj, që iu bashkohen nga vendet e ndryshme europiane, por edhe përtej oqeanike, duke bashkuar kështu rreth njëqind mijë shtegtarë.

Veçoria e Shenjtëroreve Mariane është kjo: t’iu tregojnë, ndriçojnë rrugën, që njerëzit mos ta humbin drejtimin e saktë në jetë. Këtë ndriçim e ka përjetuar Nëna Tereze e Kalkutës mu këtu, në këtë shenjtërore. E dimë rrëfimin e saj që na zbulon: “Isha te këmbët e Zojës Mari të Letnicës, një Shenjtërore afër Shkupit, që e dëgjova thirrjen hyjnore. Më kujtohet mirë: kjo ndodhi natën e festës së Zojës Madhe. Lutesha dhe këndoja, plot me gëzim të brendshëm, kur e dëgjova zërin e Zotit, që më ftonte që të isha tërësisht e Tija, duke iu kushtuar Atij dhe shërbimit të të afërmit”.  Shumë e fitojnë këtu thirrjen e Marisë, thirrjen e Zotit, por jo të gjithë e ndjekin këtë zë me kaq vendosmëri, si Nëna Tereze. Jo të gjithë mund të jemi të shenjtë si Nëna Tereze, ose si Papa Gjon Pali II, por është e rëndësishme që mos ta humbim kujtesën e asaj çka na thotë Zoja Mari gjatë këtij kremtimi, gjatë vizitave tona në këtë vend të shenjtë. Ky është një vend i shenjtëruar nga Virgjëra Mari, por edhe nga Martirët e Karadakut gjatë shekullit 19, që kanë pësuar përndjekje të tmerrshme nga ana e okupatorëve turq. Të bartur në Turqi, sepse ishin shpallur haptas katolikë, vetëm 79 prej tyre kanë mbijetuar dhe janë kthye në këto troje. Pasardhësit e këtyre martirëve janë rreth 10. 000 katolikë, që jetojnë në këto hapësira apo gjetiu, që janë burim i thirrjeve për Kishën në Kosovë. Siç më ka treguar  ipeshkvi i juaj, Imzot Dodë Gjergji, tash janë afër 40 meshtarë që vijnë nga kjo pjesë, dhe po ashtu shumë rregulltare të kushtuara Zotit. Zoti dhe Virgjëra Mari me këto hire të thirrjeve që ua dhuron bijve dhe bijave tuaja, duan ta tregojnë që nuk është numri apo sasia e njerëzve që siguron suksesin e Kishës, por cilësia dhe besnikëria ndaj Ungjillit.

Të enjten e kaluar kemi festuar ditën e të Shëlbuemit, të Ngjiturit e Krishtit në Qiell. Para se ta braktiste tokën, Jezusi i ka siguruar nxënësit e vet: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 18-20). Një ndërmarrës, që do të donte ta ketë një veprimtari të suksesshme në mbarë botën, do të kishte llogaritur me siguri se do të kishte nevojë për shumë bashkëpunëtorë, ekspertë dhe të aftë, si dhe shumë burime ekonomike. Jezusi, përkundrazi, zgjodhi dymbëdhjetë Apostuj, njerëz me pak njohuri, peshkatarë dhe barinj, të kërcënuar me vdekje nga ana e Kryetarëve të Sinagogës, pra, nga udhëheqësit më të lartë të fesë në Zotin e Abrahamit dhe Mosiut, dhe këtyre të mjerëve u thotë që ta kthenin mbarë botën në fenë e Tij, Shëlbuesin dhe Shpëtimtarin e vetëm të botës. Nga ana njerëzore kjo ishte e “pamundshme”, por e dimë që për Zotin çdo gjë është e mundshme. Aq më tepër, siç na mëson Jezusi gjatë tri viteve të jetës publike, Zoti zgjedh atë çka është e dobët dhe e brishtë,  për të bërë gjëra të mëdha, për ta dëshmuar që është Ai dhe Shpirti Shenjt që veprojnë në Kishë, duke u shërbye me bashkëpunimin tonë të përvujtë si dhe me dobësitë tona. Ta përkujtojmë mësimin e përvujtërisë që Jezusi ia dha Pjetrit Apostull, duke i thënë se do ta tradhtonte, dhe megjithatë  ai do të mbesë kreu i Apostujve, si gur mbi të cilin Jezusi ka vendosur ta ndërtonte bashkësinë e besimtarëve, Kishën e tij. I përforcuar në fe, pas ngjalljes së Jezu Krishtit, Pjetri nuk pati më frikë nga përndjekja e priftërinjve hebrenj, por ka vazhduar misionin e tij apostolik, deri te flijimi dhe dhurimi i jetës për Jezu Krishtin në Romë. Në letrat e tij ai iu jepte zemër besimtarëve të Krishtit që të mbesin të vendosur në fe, edhe pse kishin shumë sprova dhe vuajtje. Kështu, për shembull, në letrën e parë, ai shkruan kështu: “Po, përkundrazi, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju” (1 Pt 4, 13-16). Me këtë shpirt të guximshëm dhe vendosmëri, që të mbesin besnikë Krishtit, ishin Martirët e Karadakut. Nga historia mësojmë që “këshilli i pleqve” i këtyre katër fshatrave katolike, Stublla, Binça, Vërnakolla dhe Terzijaj, para shpërnguljes dhe martirizimit në Turqi, kishin bërë këtë betim para Zojës Cërnagore: “Të vdesim, po, të tradhtojmë, jo”. Shikojeni dallim mes këtyre njerëzve dhe atyre që bëjnë biznes, për shembull në futbollin botëror. Klubi i famshëm i Real Madridit ka pranuar këtyre ditë një shumë tejet të lartë të mjeteve financiare nga një Shoqatë e pasur e Lindjes së Mesme, që fitojnë me naftë. Kjo Shoqatë, edhe pse nuk është pronare e vetme e këtij Klubi futbollistik, ka kërkuar prej udhëheqësve që ta hjekin shenjën e kryqit nga stema e Klubit, sepse ai nuk është i krishterë dhe kryqi e pengon. Udhëheqësit e Real Madridit, vend me traditë katolike mijëvjeçare, për t’i marrë këto para të ndyta, e kanë larguar kryqin nga stema e tyre. Lojtari i famshëm Ronaldo, për të fituar edhe më shumë para, vishet si mysliman dhe reklamon Ramazanin. Vërtet duhet të turpërohen nga këto qëndrime, nga njerëzit që jo vetëm e tradhtojnë fenë e krishterë, por edhe traditën e shëndoshë të shoqërisë spanjolle. Edhe Judë Iskarioti, kur e ka kuptuar që kishte gabuar rëndë, duke i pranuar 30 denarë, për ta tradhtuar Jezusin, kishte shkuar për t’i kthye ato para të ndyta. Njerëzit që e shesin kryqin për para, humbin çdo nderim tonë, dhe kjo gjë është për keqardhje.

E di që ju, katolikë, mund të jetoni dhe ta praktikoni fenë tuaj në Kosovë, dhe për këtë ta falënderojmë Zotin dhe Zojën Cërnagore, por disa që do të donin ta përqafonin fenë katolike, nuk gjejnë gjithmonë një ambient të favorshëm. Dëshira e tyre që të bëhen nxënësit e Krishtit,  krijon për  ata disa vështirësi, dhe ne lutemi për njetet e tyre, që ta jetojnë një jetë të denjë dhe në përkim me ndërgjegjen e tyre. Zoti sheh në brendi të zemrës dhe do ta gjejë mënyrën se si t’i afrojë ata kah vetja.  Jemi të lumtur që Kisha në Kosovë nuk ka më nevojë për misionarë. Aq më shumë, ajo përkujdeset dhe siguron veprimtari baritore në Shqipëri, në Malin e Zi dhe në Maqedoni. Për këtë duhet ta falënderojmë Zotin për të gjithë të kushtuarit e Tij, që me shekuj kanë ardhur këtu, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, për ta përhapur Lajmin e Gëzuar. Mes të tyre është edhe Shërbëtori i Zotit, ipeshkvi Janez Francisek Gnidovec, ipeshkëv i Shkup-Prizrenit në vitet 1924-1939. Ai ishte me prejardhje nga Sllovenia, dhe e ka shërbye këtë mision me shumë zell, duke dhënë një kontribut të bashkëjetesës mes feve dhe popujve të ndryshëm. Ta lusim sot Zojën Cërnagore që së shpejti të ngritet në nder të altarit, si model i jetës heroike të kushtuar të varfërve dhe të braktisurve.

Në fund, dua t’iu ftoj që të luteni për meshtarët tuaj dhe ipeshkvijtë, që dërgimi i tyre të zhvillohet sipas planit të Zemrës së Mëshirshme të Jezusit. Ne, meshtarët dhe ipeshkvijtë, nuk jemi automatikisht të shenjtë, por kemi një detyrë të rëndë që t’i ndajmë gjërat e shenjta, sakramentet, që janë shenjat e dukshme të hirit hyjnor. Nuk ka Kishë pa meshtarë, sepse Jezusi, Kryeprifti, ka dashur kështu. Dhe kur dëgjoni që një ipeshkëv apo meshtar ka bërë gjëra jo të denja, mos u demoralizoni, por lutuni për ata, që  siç thashë më parë, pa shërbim meshtarak nuk ka as Kishë katolike të Krishtit.

Në fund, shfrytëzoj bujarinë tuaj dhe ju lutem që të paraqitni uratë sipas njeteve të mija, sepse këtë vit kremtoj 50 vjetorin e shugurimit  meshtarak. Pata privilegjin të shugurohem nga argjipeshkvi i Krakovës, Karol Jozef  Wojtyla, që sot e nderojmë si Papë dhe Shenjt të madh, Gjon Pali II. Ishte festa e Shën Jozefit, 19 mars 1967, që ishte edhe e Diela e Larit. Solla me vete figurat që e përkujtojnë këtë datë kaq të rëndësishme për mua, që do t’i shpërndajmë pas Meshës. I shtypa në gjuhën shqipe, për të qenë afër jush dhe të ndihem së bashku me ju. Kam edhe ndonjë kopje të Letrës të Shenjtit Atë Papë Françeskut, me të cilën Papa më përgëzon mua dhe më përkujton sa falënderim i kam borxh  Papës Shën Gjon Palit II. Nuk kam mjaft kopje për të gjithë ju, por Ipeshkvi dhe meshtarët mund t’iu informojnë për përmbajtjen e kësaj letre. Qysh tash ju falënderoj për uratat tuaja, mbi të gjitha për ato që do t’ia drejtoni Zotit, me ndërmjetësinë e Zojës Cërnagore, si keni traditë të këndoni “N’Cërnagore kem një Nanë”. Zoti ju bekoftë dhe Zoja Cërnagore ju mbroftë.             

(Homelia e Delegatit Apostolik për Kosovë, Mons.  Juliusz Janusz, në Meshën e shenjtë në Shenjtëroren  “Zoja Cërnagore” në Letnicë, 27 maj 2017)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »