Imzot Lucjan Avgustini: njeri fisnik dhe bari shembullor

May 30 • Kisha ndër Shqiptarë

 

Nga Imzot Zef GASHI

 

Imzot Lucjan Avgustini ishte një njeri i pendës dhe i punës, mbi të gjitha i uratës, përshpirtërisë dhe komunikimit me njerëz, për t’i dëgjuar, këshilluar, udhëzuar, për t’iu thënë një fjalë të mirë, për t’ua dhënë përvojën e fesë dhe begatinë e dashurisë së krishterë. Ishte apostull i vërtetë në çdo fushëverpim, zelltar i pashoq, vullnetar i palodhshëm, dëshmitar dhe predikues i Krishtit dhe ungjillit të tij.

 

Fort të nderuar vëllezër në episkopat dhe në meshtari,

të dashur rregulltarë e rregulltare,

seminarista e kandidatë,

të dashur vëllezër e motra në pagëzim,

shumë të nderuar anëtarë të familjes Avgustini,

e nderuara Dioqezë e Sapës dhe ju grigjë e dashur,

të nderuara autoritete civile vendase dhe qendrore,

ju përshëndes dhe Ju falënderoj për praninë dhe pjesëmarrjen tuaj në këtë kremtim – përkujtim përvjetor të të dashurit dhe të paharrueshmit tonë Imzot Lucjanit, për shpirtin e të cilit po ia drejtojmë Mirësisë së të madhit Zot, këtë Fli Hyjnore të Meshës Shenjte.

Ende sot e kësaj dite, fuqishëm tingëllon në veshët tanë komunikata që u lëshua në këtë vend, para një viti, me këtë përmbajtje: “Ipeshkvia e Sapës, me shumë dhimbje njofton se në orën 15:145 të datës 22. 05. 2016 në të kremten e Trinisë Shenjte, në selinë e Ipeshkvisë, i rrethuar nga kleri i tij i dashur dhe gjithë familjarët e tij, kaloi në shtëpinë e Atit, bariu i saj imzot Lucjan Avgustini.”

Ishte ky një lajm sa i pabesueshëm aq edhe tronditës, jo vetëm për ne, kolegët e tij në episkopat, për klerin e Ipeshkvisë së Sapës, si edhe për familjarët, por edhe për besimtarët dhe për mbarë popullatën e gjerë, institucionet fetare e shoqërore të vendit.

Thuhet se vdekja është shpendi grabitqar i jetës. Në rastin tonë, kjo thënie e ka kuptimin e plotë të fjalës. Deshëm, s’deshëm, jeta është ecje drejt vdekjes, njeriu është udhëtar, kalimtar. Vdekja është një gjë, është një ngjarje, të cilës askush askurrë s’mund t’i shmanget as t’i ikë. Por, për të krishterin vdekja tashmë nuk është vetëm fati i domosdoshëm i njeriut, me të cilin duhet të pajtohemi, ose vetëm vendimi hyjnor të cilin duhet pranuar patjetër, ose gjykimi të cilit njeriu duhet t’i nënshtrohet për shkak të mëkatit. I krishteri “vdes për Zotin dhe në Zotin” për të cilin edhe ka jetuar, ashtu na mëson Shkrimi Shenjt. Te lumët ata që vdesin në Zotin”, vërteton Bibla.

Vdekja e të drejtit do të thotë hyrje në botën e paqes, në pushimin e amshuar, hyrje në dritën e cila nuk ka mbarim. “Requiem aeternam dona eis Domine, et lux perpetua luceat eis”. Shpresa në pavdekshmëri dhe ringjallje e cila vërehet edhe në Besëlidhjen e Vjetër, gjënë tani në misterin e Krishtit të Ringjallur themel të sigurt dhe të qëndrueshëm. Sepse, jo vetëm me bashkimin me të dhe me vdekjen e tij, tashmë jetojmë një jetë të re, por Ai na jep një siguri, që sipas Shën Palit, Ai që e ngjalli Jezusin nga të vdekurit, do ta ngjall edhe trupin tonë të vdekshëm. Qe, pra, përse për të krishterin, në fund të fundit, vdekja është fitore, sepse jeta e tij është Krishti. Vdekja trupore sjell lindjen shpirtërore, do të thotë zhveshje nga petku i mjerimit që është trupi, dhe veshje me një trup të ri, “pagëzimi”, të ringjallur dhe të lumtur.

Në ato ditë, para një viti pra, konstatuam një gjë: edhe pas lutjeve të shumta e të përzemërta të të gjithë kategorive njerëzish, e sidomos ato të fëmijëve nën dritaren e dhomës së tij para figurës së Mbretëreshës së Majit, për shëndetin dhe jetën e tij, u pa qartë se i madhi Zot në Provaninë e tij Hyjnore e kishte vendosë ta marrë këtë lule të këndshme pranverore tek vetja në Parriz. U largua në moshën më të mirë e më të frytshme të jetës, dhe kështu u krijua një zbrazëti e pakompenzueshme në aradhet tona.

Monsinjori ynë i dashur ishte me të vërtetë shembull i bujarisë, mirësisë dhe dashurisë vëllazërore e meshtarake. Mungesa e tij do të ndjehet për një kohë të gjatë në zemrat tona. Së bashku me të gjithë ju mund të themi se jemi shumë krenar që e patëm. Kujtimi për të do të jetë i përjetshëm dhe i paharruar, jo vetëm për ne këtu të pranishëm, por për të gjithë ata që e kanë njohur. Edhe pse këtë largim të hershëm të tij nga kjo jetë nuk arrijmë ta kuptojmë, prapëseprapë ne si besimtarë i pranojmë me besim të plotë planet e Zotit, që ndonjëherë nuk janë si planet tona, si na thotë vetë Perëndia në Shkrimin e Shenjtë.

Sidoqoftë ne sot jemi këtu në shenjë respekti ndaj tij, si dhe në shenjë solidariteti ndaj klerit të dioqezës dhe familjarëve të tij, por të gjithë së bashku në lutje për shpirtin e madh e të ndritur të tij. Pra përzemërsisht do të lutemi për të, por edhe do t’i porositemi që edhe ai nga lart të lutet për ne.

“Ky bari i zellshëm që ia kushtoi tërë jetën shërbimit ndaj Zotit dhe ndaj vëllezërve, është tashmë në duart e Atit përgjithmonë. Në duart e Zotit ishin edhe ditët e tija, me gëzime e mundime, shpresa e zhgënjime, besnikëri ndaj Ungjillit dhe pasion për shpëtimin shpirtëror dhe material të grigjës, që iu kishte besuar”.

Qëndresa dhe besnikëria e tij ndaj Mësuesit Hyjnor ishte ajo e Shën Palit, i cili thotë: “As vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja e as e ardhshmja, as fuqitë as lartësitë, as humnerat e as një krijesë tjetër, nuk do të na mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë.” (Rom 8, 35-39). E pikërisht në këtë bindje mbështetet shpresa e pamposhtur e krishterë. Frymëzim për zellin pastoral e apostolik për të ishte Mësuesi Hyjnor, Bariu i Mirë, Shëlbuesi ynë Jezu Krishti. Në figurën e tij, në kontakt me të nëpërmjet lutjes dhe meditimit të përditshëm, ai frymëzohej dhe forcohej shpirtërisht. Energjia shpirtërore që dilte nga figura e Jezusit të Ringjallur i jepte vullnet dhe qëndresë në aktivitetet e përditshmërisë.

Ishte i palodhshëm dhe shumë i vullnetshëm për jetën dhe shërbimin meshtarak. Zelli, vullneti, dëshira dhe entuziazmi i tij rinor, vërtet ishte i dukshëm dhe shembullor.

Po e citoj një mik dhe njohës të mirë të Monsinjorit, i cili thotë: “Imzot Lucjan Avgustini ishte një njeri i pendës dhe i punës, mbi të gjitha i uratës, përshpirtërisë dhe komunikimit me njerëz, për t’i dëgjuar, këshilluar, udhëzuar, për t’iu thënë një fjalë të mirë, për t’ua dhënë përvojën e fesë dhe begatinë e dashurisë së krishterë. Ishte apostull i vërtetë në çdo fushëverpim, zelltar i pashoq, vullnetar i palodhshëm, dëshmitar dhe predikues i Krishtit dhe ungjillit të tij.”

Në një hark kohor të shkurtër bëri punë dhe veprimtari të ndryshme voluminoze, për të cilat do t’ia kishte lakmi çdo moshatar i tij. Fundi i fundit, jo aq sasia e moshës, por cilësia i jep vlerën jetës dhe personit që e jetën atë. Një jetë e shkurtër 53 vjeçare, por e dendur me veprimtari të fushëveprimeve të ndryshme e të shumta, por edhe të cilësisë së lartë kulturore, pastorale, e mbi të gjitha shpirtërore, e karakterizojnë figurën e monsinjorit tonë.

Dëshiroj ta përfundoj këtë fjalë rasti në këtë meshë përkujtimore, me vetë fjalët e Imzot Lucjan Avgustinit, të cilat i patë fill thënë pas shugurimit ipeshkvor, më 5 janar 2007, në këtë Katedrale, që lirisht mund të konsiderohen si plan-program i veprimtarisë së tij apostolike, sepse ato e pasqyrojnë më së miri profilin e shpirtëror të monsinjorit tonë. E ato ishin: “Të jesh ipeshkëv, do të thotë thirrje për të dëftuar Jezu Krishtin dhe për të shpallur mësimin e tij. Kjo thirrje nuk më largon nga populli, por përkundrazi më mundëson dhe më kërkon nga unë që të jam në mes të popullit, për ta mësuar me mësimin e ungjillit, për ta jetuar me dashuri dhe falje, për ta ushqyer me Korpin dhe Gjakun e tij, për të qëndruar besnik Krishtit dhe zëvendësit të tij në Tokë, Shën Pjetrit dhe pasardhësve të tij, sipas shembullit të të parëve dhe martirëve tanë.”

Një jetë e shkurtër, e ndërprerë në zenitin, kulmin e saj, por e vrullshme dhe e bujshme me veprimtari dhe dëshmi komplementare e një njeriu të Zotit, në të gjitha pikëpamjet. I paharrueshëm qoftë kujtimi i tij për brezat e ardhshëm. E gëzoftë amshimin e lumtur në shtëpinë e Atit, në shoqërinë e shenjtërve. Amen.

(Homelia e Imzot Zef Gashit, argjipeshkëv emerit i Tivari, në meshën e përvjetorit të parë të kalimit në amshim të Imzot Lucjan Avgustinit, Kisha Katedrale Nënë Tereza, Vau-Dejës, e hënë, 22. 05. 2017)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »