Kushtet e përjetshme të M. Elfridës në Tivar

May 30 • Kisha ndër Shqiptarë

M. Elfrida Abazi, anëtare e Kongregatës së Motrave të Shën Kryqit, bija e famullisë së Prishtinës, bëri kushtet e përjetshme, më 20 maj 2017, gjatë meshës solemne në Katedralen e vjetër të Tivar, në ora 11.00, të cilën e udhëhoqi Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, në bashkëmeshim me Imzot Zef Gashin, argjipeshkëv emerit i Tivarit, dhe dhjetëra meshtarë nga dioqeza e Tivarit dhe e Kotorit.

Besimtarët e bashkuar, familja e motrës Elfrida dhe motrat e ardhura nga Kroacia dhe Kosova, në krye me m. Amalia Kupčerić dhe eproren regjionale m. Franciska Molnar e përkrahën me lutjet e veta këtë ngjarje të rëndësishme për Kongregatën e motrave dhe për Kishën.

Duke e lexuar formulën e kushtimit dhe duke e dorëzuar në duar të motrës Provinciale, m. Elfrida vulosi gatishmërinë e sajë për t’i shërbyer Zotit dhe Kishës së tij përgjithmonë. Në homelinë e tij, Imzot Rrok Gjonlleshaj theksoi rëndësinë e lutjes në rrugën e kushtuar Zotit, pa të cilën çdo jetë e krishterë është i zbrazët dhe thahet. Ai nxiti motrën dhe të gjithë të pranishmit në lutje të vazhdueshme si dhe në zell për punë, e cila përmes lutjes bëhet e frytshme.

Mons. Zef Gashi foli për rolin e Motrave të Mëshirshme të Shën Kryqit në Tivar gjatë 70 viteve, me një ndërprerje të shkurtër, gjë që personalisht e ka përcjellë dhe përkrahë. Foli gjithashtu edhe mbi rëndësinë e bashkësive rregulltare në këto troje. Gjatë

Meshës së shenjt ritin e kushtimit e shpjegoi don Simo Ljuljiq, famullitar i Tivarit si dhe kancelar. Kremtimin e zbukuroi kori i famullisë  nën udhëheqjen e m. Svjetlana Paljušević, nga Gjakovo e Kroacisë, kurse korin e kishte përgatitur m. Roza Qerkini, motër françeskane e Zojës së Papërlyer. 

Familjarët e m. Elfrida gjatë kungimit kënduan këngën Anima Christi. Në përfundim të meshës së shenjt, eprorja provinciale e Motrave të mëshirshme të Shën Kryqit nga Gjakovo m. M. Amalija Kupçeriq, u falënderua udhëheqësve të meshës dhe të gjithë atyre të cilët në mënyra të ndryshme kontribuuan për realizimin e këtij festimi. Duke ia uruar në mënyrë të veçantë m. Elfrida, në emër të Provincës dhe Regjionit të Kosovës ajo i dëshiroi që me besnikëri të qëndroi në rrugën e filluar. Në fund solemnisht u këndua himna e Kongregatës sonë në gjuhën kroate: “Pjevaj Bogu zavjet svet”, pas së cilës të gjithë u ftuan në një koktej rasti.

Kjo festë do të mbetet gjatë në kujtesën tonë si dhe të besimtarëve për të cilët ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, sepse për të parën herë përjetuan që në historinë e famullisë së tyre të zhvillohet një festë e tillë.

Teksti dhe fotot: Motrat e Shën Kryqit

Shpërndaje

Comments are closed.

« »