Sa jam i/e varur nga Zoti?

May 30 • Meditimi i ditës

30 maj 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 20,17-27; Ps 68; Gjn 17,1-11a)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde.Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

Hyji ma ka dhuruar lirinë.

Madje po të kisha qenë fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo, o Zot, që lirinë e dhënë nga ti, me hirin tënd, ta përdor mençur.

 

Ndërgjegjësimi 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 17, 1-11

 

1 Në atë kohë, Jezusi i çoi sytë e vet kah qielli dhe tha:

“O Atë, arriti koha:

jepi lavdi Birit tënd

që Biri të të japë lavdi ty

2 e që me pushtetin,

të cilin ia dhe mbi çdo njeri,

t’u japë jetën e pasosur të gjithë atyre që ia dhe ti.

3 E kjo është jeta e pasosur:

që të njohin ty, Një të vetmin Hyjin e vërtetë,

dhe atë që dërgove, Jezu Krishtin.

4 Unë të dhashë lavdi mbi tokë:

e kreva veprën,

që ma dhe ta kryej.

5 E tani, o Atë, më lavdëro para teje

me atë lavdi që e kisha te ti

para se të fillonte të ishte bota.

6 Emrin tënd ua zbulova njerëzve

që ti m’i dhe nga bota.

Ata ishin të tutë, ti m’i dhe,

dhe ata e mbajtën fjalën tënde.

7 Tani e kuptuan

se gjithçka më dhe, vjen prej teje,

8 sepse fjalët që ti m’i dhe

ua dorëzova atyre.

Ata i pranuan

dhe e kuptuan se me të vërtetë dola prej teje

dhe besuan se ti më dërgove.

9 Unë për ta lutem.

Nuk lutem për botën,

por për ata që ti m’i dhe,

sepse janë të tutë.

10 Gjithçka kam unë është jotja

e çka ke ti imja,

dhe në ta u lavdërova.

11 Unë nuk rri më në botë

e ata janë në botë,

e unë po vij te ti.

O Atë i shenjtë!

Ruaji në Emër tënd

ata që ti m’i dhe

që të jenë një sikurse ne!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi ishte plotësisht i vetëdijshëm se çdo gjë që kishte vinte nga Hyji.
  • I lutem Hyjit që të ma kujtojë varësinë time, që të ma japë përvujtërinë për t’u vetëdijesuar se Ai i di nevojat e mia dhe dëshiron të jetë bujar ndaj meje.

  

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »